E shtunë, 12 Tetor, 2024

LISTAT E HAPURA DHE “ NËNA” PARTI

“Të fortit” e partisë, gjithnjë kanë qenë aty afër, për të kapur pushtetin dhe për të kapur pozicionet, duke imponuar kështu një “mesatare” politike, e cila më pas ka metastazuar në të gjitha nivelet e përfaqësimit politik. Përfaqësimi i këtillë nuk është përjashtim edhe për të “zgjedhurit e popullit”, të cilët vijnë pikërisht nga kjo logjike, nga kjo “përzgjedhje” që bëhet diku nëpër korridoret e bërrylave partiakë. A mund listat e hapura ta ndryshojnë këtë logjikë?

Autor: Bardhyl Zaimi

Tranzicioni i përjetshëm në Maqedoninë e Veriut, me shumë pak përjashtime, ka prodhuar gjatë tërë kohës një lloj autoritarzimi brenda partive politike, i cili mëpastaj është reflektuar në të gjitha poret e shoqërisë dhe jetës institucionale. Ky autoritarizëm i heshtur, shpeshherë i veshur me petkun e një demokracie të brendshme të rrejshme, nuk ka lejuar që brenda një partie politike, brenda një ideologjie, të hapet debat, të hapet horizonti i ideve të reja, por edhe i fytyrave të reja.

“Të fortit” e partisë, gjithnjë kanë qenë aty afër, për të kapur pushtetin dhe për të kapur pozicionet, duke imponuar kështu një “mesatare” politike, e cila më pas ka metastazuar në të gjitha nivelet e përfaqësimit politik. Përfaqësimi i këtillë nuk është përjashtim edhe për të “zgjedhurit e popullit”, të cilët vijnë pikërisht nga kjo logjike, nga kjo “përzgjedhje” që bëhet diku nëpër korridoret e bërrylave partiakë. Pikërisht, në kohën kur partitë tashmë duket se kanë ndezur motorët e zgjedhjeve të parakohshme, mbetet për t’u trajtuar cilësia e përfaqësimit, që me vite të tëra dergjet në një përgjumje të thellë partiake, pa sesnin më të vogël për përfaqësim kualitativ, në përputhje me logjikën elektorale dhe jo në përputhje me dëgjueshmërinë partiake. 

Bashkë me akthin e pritjes për hapjen e negociatave, duket se partitë politike gradualisht po e projektojnë edhe mundësinë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Partitë opozitare të bllokut maqedonas dhe shqiptar me kohë kanë deklaruar se janë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërkohë që përfaqësues qeveritarë kanë deklaruar se nuk është koha për zgjedhje, por për fokusim në prioritetet e procesit të integrimit dhe të zhvillimit.

Pavarësisht se Maqedonia e Veriut është në pritje të një vendimi tepër të rëndësishëm, zgjedhjet e parakohshme duket se mbeten një synim, që tash për tash nuk theksohet me zë të lartë. LSDM-ja tashmë ka projektuar karavanin e tribunave në qytetet më të mëdha me arsyetimin se dëshiron të dëgjojë nga afër vërejtjet e qytetarëve, por edhe idetë të cilat do të përfshihen në programin e ardhshëm zgjedhor. Kjo, parti, tashmë ka ndërruar edhe identitetin vizuel, ndërkohë që ka promovuar sloganin ”Në rrugë të drejtë”.

Edhe VMRO-DPMNE, e cila vazhdimisht insiston në zgjedhje të parakohshme tashmë e ka promovuar sloganin e ri ”Rimëkëmbje e Maqedonisë”, ndërkohë që lideri i saj Hristian Mickovski ka përfërcuar ekipin e tij me emra të rinj. Ai në mënyrë konstante kohëve të fundit ka ripërsëritur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe paraprakisht formimin e qeverisë teknike.  

Në sfond të kësaj parapërgatitje ”spontane” për zgjedhje, përveç temave tjera që ndërlidhen drjtëprdrejt me idenë e reformave, siç është rasti me Ligjin për Prokurorinë Publike, është hapur edhe çështja e modelit zgjedhor, që tashmë po debatohet në nivel partish dhe analistësh. Të gjitha partitë pa përjashtim janë pjesë e këtij debati, duke ofruar ndërkohë variantet e tyre të cilat vlerësojnë si më të mira për procesin zgjedhor.

LSDM-ja qeveritare ka propozuar modelin me një njësi zgjedhore, ndërsa VMRO-DPMNE modelin me 120 njësi zgjedhore. Në bllokun politik të partive politike shqiptare, BDI mbetet e përcaktuar për modelin me gjashtë njësi zgjedhore, Aleanca për shqiptarët për modelin me tetë njësi zgjedhore, ndërsa Lëvizja “Besa” për model me tre njësi zgjedhore.

Sigurisht është pjesë e debatit demokratik që në kuadër të ndryshimeve të sistemit zgjedhor të debatohet mbi modelin zgjedhor. E gjithë kjo do të ishte në suaza të normalitetit sikur bashkë me këtë të hapej edhe çështja e cilësisë së deputetëve, por edhe mënyra e zgjedhjes së tyre, e cila edhe formalisht është në suaza të parimeve demokratike, në esencë mbetet e dirigjuar nga autoritarizmi partiak, nga përzgjedhjet që vijnë për merita thjesht partiake.

Maqedonia e Veriut përgjithësisht ka një traditë të përzgjedhjes së fortë me logjikë të dëgjueshmërisë partiake të deputetëve në secilën parti. Zakonisht, në listat e partive qarkullojnë tashmë emra që mund postin e debutetit e ushtrojnë disa mandate, ndërkohë që edhe emrat e rinj që bëhen pjesë përbërjes parlamentare gjithashtu mbeten pjesë e logjikës së dëgjueshmërisë partiake.

Kjo logjikë ka krijuar tashmë një parlament deputetësh të “përgjumur”, të cilët nuk arrijnë të dalin nga skema partiake e debateve në parlament, ndërkohë që ky debat mbetet i përqendruar vetëm te agjendat partiake pa arritur të zbresë në nivele problemesh dhe interesi të elektoratit që përfaqësojnë. Kjo logjikë ka pamundësuar shfaqjen e zërave autentikë të deputetëve, të cilat në debatin parlamentar do t’i prezantonin pikëpamjet e tyre, të cilat mbeten ngushtë të lidhura me pritjet e elektoratit që përfaqësojnë.

Duke e ushqyer këtë skemë të përzgjedhjes në listat e partive, tashmë nga një përbërje në një përbërje tjetër parlamentare kemi rënie të kualitetit të të zgjedhurëve. Kjo logjikë funksionimi e ruan pluralitetin politik të përfaqësimit, por nuk lejon që brenda këtij pluraliteti të depërtojnë prurje të reja, të cilat do të shënon një kualitet tjetër përfaqësimi gjithnjë duke u bazuar në idenë e problemeve reale me të cilat ballafaqohet elektorati që i voton.

Partitë janë në të drejtën e tyre që debatojnë për modelin zgjedhor, por mbetet shumë e rëndësishme që të krijohet një ambient debate edhe për një çështje tjetër që siç duket ato e shmangin lehtësisht. Krahas debatit mbi modelin zgjedhor, mbetet shumë e domosdoshme që të hapet debati edhe mbi lsitat e hapura zgjedhore, të cilat do të sillnin një kualitet tjetër përfaqësimi jashtë skemave të paravendosura nga “dora e fortë” e përzgjedhjes partiake.

Kjo çështje duhet gjithnjë e më tepër të imponohet në hapësirën publike, si një mundësi dhe pikëkthese për t’i dhënë fund “pluralizmit” autoritar të partive politike, të cilat duket se gjithnjë janë të interesuara që të vazhdojnë me logjikën e “dëgjueshmërisë” së të “përzgjedhurve të popullit”. Mbase është koha e fundit që partitë të çlirohen nga ky “autoritarizëm demokratik” që në rend të parë i vendos interesat partiake dhe jo edhe të elektoratit që kërkon përfaqësim dinjitoz në përputhje me pritjet e tyre. Listat e hapura do të sillnin në parlament energji të reja, debat cilësor dhe mbi të gjitha përfaqësim real të elektoratit. Në të kundërtën do të vazhdojmë të ngujohemi në emrat që e përfaqsojnë partinë, por jo edhe interesin e elektoratit, do të vazhdojmë të kemi deputet që për gjatë gjithë mandatit nuk do të ngjiten në foltoren e parlamentit.       

    

Të fundit