Shkarkimi i papritur nga Donald Trump i “aleatit të Serbisë në Shtëpinë e Bardhë” si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare ka shqetësuar Beogradin, por shumica e ekspertëve besojnë se pasaardhësi i tij i mundshëm, Charles Kupperman, nuk do të jetë shumë ndryshe nga Bolton
Nga Ivan Angelovski, BIRN
Dorëheqja e detyruar e John Bolton si Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i presidentit Donald Trump ka shkaktuar zhurmë në Ballkan dhe ka pasur përgjigje kontradiktore nga Serbia dhe Kosova. Mediat serbe shprehën tronditje për lajmet ndërsa ato në Kosovë e mirëpritën atë.
“A e ka humbur Serbia aleatin e saj në Shtëpinë e Bardhë?”, pyeti Telegraf në Serbi. “I vetmi kundërshtar i Kosovës në Shtëpinë e Bardhë”, “Pse është lajm i mirë shkarkimi Bolton?” pyeti Gazeta Express në Kosovë.
Megjithatë, ekspertët në Uashington janë më pak të sigurt se shkarkimi i Bolton do të ketë shumë ndikim në rajonin e Ballkanit dhe dyshojnë se zëvendësuesi i tij i mundshëm, Charles Kupperman, do të jetë shumë ndryshe.
Ndërhyrja më e njohur e Boltonit në Ballkan erdhi në gusht të vitit 2018 kur, pasi presidenti i Kosovës Hashim Thaçi diskutoi një shkëmbim të mundshëm territorial me Serbinë, si pjesë e një zgjidhjeje të mosmarrëveshjes së tyre të gjatë, Bolton i hutoi aleatët amerikanë në Europë – të cilët kryesisht e kundërshtojnë idenë e ndryshimet e kufijve – duke mbështetur idenë.
Bolton tha që Uashingtoni nuk do ta kundërshtonte shkëmbimin e territorit me kusht që Beogradi dhe Prishtina të hartonin një “zgjidhje reciprokisht të kënaqshme”.
“Ai nuk dukej se kishte një ‘qëndrim’ për Ballkanin, përveç faktit se të ishte i hapur për të marrë në konsideratë një shkëmbim territorial midis Serbisë dhe Kosovës,” tha Daniel Serwer, Drejtor i Politikës së Jashtme Amerikane në Shkollën e John Hopkins të Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara.
“Ajo që bie në sy është mbështetja e tij për një marrëveshje shkëmbimi territorial midis Kosovës dhe Serbisë. Përveç kësaj, nuk i njoh shumë mirë pikëpamjet e tij në lidhje me Ballkanin,” shtoi ai.
Por Serwer thotë se njerëzit kishin të drejtë ta konsideronin Boltonin “më të afërt” me Serbinë sesa me Kosovën. “Bolton e kundërshtoi pavarësinë e Kosovës në atë kohë.”
Michael Carpenter, një ish-ndihmës sekretar i mbrojtjes me përgjegjësi për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë, tha se ai ishte më pak i sigurt se Bolton simpatizonte Serbinë.
“Nuk jam i sigurt nëse ai është më i afërt me Serbinë sesa me Kosovën, por ai ka një nga rekordet më të këqija në politikën e jashtme në të gjithë Uashingtonin,” tha ai. “Bolton ka mbajtur qëndrime të gabuara dhe të pamatura në një sërë çështjesh, të tilla si përkrahja e luftës në Irak, duke dashur të bombardojë Iranin dhe duke sugjeruar se SHBA-ja duhet të pushtojë Venezuelën,” shtoi ai.
Lexo me tej:
Andi Bushati: Gëzimi i panevojshëm për rënien e John Bolton
Por Carpenter tha se ai nuk mendon se ndryshimi i Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare do të ndikonte shumë në përpjekjet e fundit të SHBA-së për t’u përfshirë më shumë në dialogun e udhëhequr nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë, i cili synon “normalizimin” e marrëdhënieve midis Serbisë dhe provincës së saj të mëparshme – shtetësinë e së cilës ajo nuk e njeh.
Kjo sidomos pasi Departamenti i Shtetit në fund të gushtit caktoi Zv/Ndihmës Sekretarin Matthew Palmer si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, me një mandat për të ndihmuar integrimin e rajonit në institucionet perëndimore. “Palmer është një profesionist dhe do të vazhdojë me punën e tij,” tha Carpenter
Presidenti Trump ka thënë se ka 15 kandidatë për të zëvendësuar Boltonin. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë emëroi Kupperman, zv/këshilltarin e sigurisë kombëtare, për të plotësuar përkohësisht postin.
The New York Times tha që Kupperman kishte gjasa ta merrte atë post, por pyetja ishte, për sa kohë. Ajo kujtoi se “zyrtarët zëvendësues e kanë për zakon të qëndrojnë në këtë administratë për periudha kohore të papërcaktuara” dhe paralajmëroi: “Të dhënat e Kupperman si një njeri në rrethin e ngushtë të z. Bolton mund ta shkurtojnë mandatin e tij”.
Prapaskenat/ Pse iku Bolton, “armiku” i shqiptarëve që këshillonte Trump
Vetë Bolton i ka vlerësuar Kuppermanin, duke sugjeruar një ngjashmëri të ngushtë përsa i përket pikëpamjeve të politikës së jashtme. “Charlie Kupperman ka qenë një këshilltar për mua për më shumë se 30 vjet. Ekspertiza e gjerë e Charlie në mbrojtje, kontrollin e armëve dhe hapësirën ajrore do të ndihmojë axhendën e mëtejshme të sigurisë të presidentit Trump,” tha ai në janar, kur Kupperman iu bashkua administratës Trump.
Sipas biografisë së tij zyrtare, Kupperman ka më shumë se katër dekada eksperiencë në politikën dhe programin e sigurisë kombëtare. Ai ka shërbyer në administratën Ronald Reagan, duke mbajtur poste në Zyrën Ekzekutive të presidentit, Administratën Kombëtare të Aeronautikës dhe Hapësirës dhe në Komitetin e Përgjithshëm Këshillimor të presidentit për Kontrollin e Armëve dhe Çarmatimin. Ai gjithashtu ka punuar si Këshilltar i Mbrojtjes dhe Politikës së Jashtme në fushatën presidenciale të Ronald Reagan.
Carpenter tha për BIRN se ai i ngjante Boltonit përsa i takon pikëpamjeve të tij përgjithësisht anti-myslimane, të cilat mund të ndikojnë në perceptimet e Ballkanit, pasi shumica e njerëzve në Kosovë janë myslimanë ndërsa Serbia është kryesisht e krishterë.
“Kupperman ngjan si një klon i Boltonit, pasi ka shërbyer në bordin e një organizate të ekstremit të djathtë, Qendrës për Politikë të Sigurisë, e cila ka përhapur disa teori konspirative, siç është pretendimi se Vëllazëria Myslimane është infiltruar në qeverinë e Shteteve të Bashkuara,” tha ai.
Këshilli mbi Marrëdhëniet Islame Amerikane, CAIR, tha që nuk do ta mirëpresë emërimin e tij si zëvendësues i përhershëm i Boltonit. “Pozicioni i Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare ka kaluar nga lideri i grupi anti-mysliman tek një tjetër i tillë,” tha për BIRN Robert McCaw, Drejtori i Departamentit të Çështjeve të Qeverisë në CAIR.
“Bolton ishte kryetar i Institutit Gatestone nga viti 2013 deri në vitin 2018. Kupperman shërbeu në bordin e Qendrës për Politikë të Sigurisë nga viti 2001 deri në vitin 2010. Të dyja janë qendra konservatore anti-emigrantë dhe anti-myslimane,” tha ai.
“Lidhjet e Boltonit me një organizatë anti-myslimane mund ta kishin bërë atë lehtësisht të njëanshëm duke mbështetur Serbinë para Kosovës,” shtoi ai.
“Mbështetja e Boltonit për shkëmbimin territorial me Kosovën, të propozuar nga qeveria serbe, të krijon idenë se ai ka të paktën lidhje më të ngushta me qeverinë serbe. CAIR jo domosdoshmërisht beson se Kupperman do të jetë ndryshe nga paraardhësi i tij,” përfundoi ai.
BIRN