E shtunë, 27 Korrik, 2024

A DO TË KETË VETING PËR TA SHPËTUAR DREJTËSINË?

Gjithë ndodhitë rreth PSP-së çojnë në rënien e ndjeshme të besimit të qytetarëve në këtë institucion. Nuk dihet ndërkohë se si do të transformohet ky institucion drejtësie, që tashmë ka humbur shumë nga kredibiliteti i vetë. Dilemë më vete mbetet statusi i prokurorëve, ndërsa vetingu nga ekspertët shihet si një zgjiedhje e vetme për ta rikthyer besimin në drejtësinë.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Sipas të gjitha gjasave, Prokuroria Speciale Publike, me ligjin e ri për prokurorinë do të ketë një status tjetër, por me funksionin parësor që ka pasur kur është themeluar. Nuk dihet se kur do të ketë një marrëveshje politike për miratimin e ligjit, por duket se e ardhmja e PSP-së do të jetë në kuadër të Prokurorisë së Përgjithshme Publike. Janë hapur ndërkohë një sërë dilemash që ndërlidhen me fatin e prokurorëve në këtë institucion, por edhe për lendët të cilat janë hapur dhe të tjera që pritet të procedohen.

Kërkohet veting në gjyqësor. Shkarkimi i kryeprokurores Katica Janeva ka paralizuar punën e Prokurorisë Speciale në Maqedoninë e Veriut. Lidhur me fatin e këtij institucioni pritet të diskutohet në ditët në vazhdim në Këshillin e Posaçëm, ku në fokus do të jetë statusi i prokurorëve. Espertët vlersojnë se duhet veting në gjyqësor. Sipas avokatit Ibrahim Bajramit transferimi i prokurorëve të Prokurorisë Speciale në vendet ku kanë qenë më parë është i gabuar. Ai thotë se këta prokurorë nuk mund t’i trajtojnë lëndët të cilat tashmë janë në procedurë gjyqsore.

”Jam i mendimit që mbrenda ligjit për Prokurori duhet të inkurporohet mundësia që jo vetëm prokurorët që kanë përfaqësuar lëndët në procedurë gjyqësore me autorizim të kryeprokurores por edhe i gjithë stafi administrativ teknik edhe sigurimi që kanë bërë sigurimin e PSP mbrenda ligjit aktual që duhet me urgjencë më të madhe sa më shpejtë të miratohet. Të parashihet mundësia që ky staf të jetë pjesë e Prokurorisë për Krim të Organizuar”,thotë Bajrami . Sipas tij, është e nevojshme të ketë veting në gjygjsor, por paraprakisht duhet të miratohet një ligj ku në bazë të kushteve të ligjit do të ketë një process të vetingut në të cilin do të kalojnë të gjithë edhe prokurorët, por edhe gjykatësit.

Të njëjtin qëndrim e shpreh edhe profesoresha, Arta Bilalli. Ajo thekson se pas skandalit me ish Prokuroren Speciale, Katica Janeva, vështirë se gjyqësori në RMV do të rimëkëmbet. Sipas saj është e domosdoshme të ketë veting të plotë e të paanshëm. ”Arrestimi i prokurores speciale Janeva dhe dyshimet që ekzistojnë për të janë treguesi më i mirë se gjyqësia në RMV nuk do të rimëkëmbet pa reformë dhe ndryshimë rrënjësore. Ne u ballafaquam me situatë të mjerë e mbase edhe dëshpëruese, andaj mendoj se vetting-u është i domosdoshëm. Vetting të plotë e të paanshëm me kyçje të personave me integritet dhe pjesëmarrje aktive të faktorit ndërkombëtar”, thotë Bilalli.

VMRO-DPMNE-ja kundërshton transferimin e lëndëve të PSP-së në Prokurorinë Publike. Sipas opozitës kryeprokurori Lubomir Jovevski dhe të gjithë mbështetësit e kësaj ideje, shkelin ligjin e Prokurorisë, duke bartur lëndët e institucionit kompetent për ndjekjen e lëndëve që dalin nga përgjimet, në një institucion tjetër. Sipas partisë në pushtet, e gjitha kjo bëhet pasi që VMRO-DPMNE-ja nuk është mësuar me barabarësinë para drejtësisë. Duke mos mbështetur reformat, VMRO-DPMNE-ja tenton që të mbrojë funksionarët e saj, thonë nga partia e Zaevit. LSDM-ja akuzon partinë e Mickoskit se po pengon proceset euro-integruese. Këshilli i Prokurorëve nesër pritet të diskutojë për fatin e Prokurorëve të Prokurorisë Speciale. Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Aco Kolevski, njoftoi se për prokurorët patjetër të aplikohen dispozitat e Ligjit për Prokurorinë e Posaçme, për ndalimin e funksionit të tyre Këshilli i Prokurorëve tashmë njëzëri ka shkarkuar Katica Janevën nga funksioni i Prokurores së Posaçme Publike për shkak të sjelljes joprofesionale dhe të pandërgjegjshme. Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Aco Kolevski njoftoi se Këshilli do të vazhdon seancën nga dita e hënë ku edhe do të diskutohet për rregullimin e statusit të prokurorëve të tjerë në Prokurorinë e Posaçme Publike.

Të fundit