E premte, 26 Korrik, 2024

MEDIAT- KRYESHTYLLË E DEMOKRACISË DHE INTEGRIMIT

Liria e mediave mbetet dimension esencial i zhvillimeve demokratike dhe i procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Konferenca ” Ditët e mediave BE-Ballkani Perëndimor” e mbajtur në Podgoricë, ka ripohuar imperativin për media të lira, si një dimension themelor të integrimeve. Përforcimi i sferës mediale mbetet angazhim permanent i Komisionit Europian.

Autor: Bardhyl Zaimi

Podgorica ka hapur një horizont tjetër për mediat e Ballkanit Perëndimor. Mbi 350 përfaqësues të mediave dhe të shoqërisë civile kanë marrë pjesë në konferencën treditore ” Ditët e mediave BE-Ballkani Perëndimor” të organizuar për të tretën e herë me radhë nga Komisioni Europian. Në të gjitha panel diskutimet e konferencës liria e mediave është parë si një predispozitë kryesore për zhvillimet demokratike. Bashkëpunimet rajonale në drejtim të promovimit të një gazetarie kualitative gjithashtu kanë qenë në fokusin e pjesëmarrësve në këtë konferencë.

Përfaqësues të lartë të BE-së kanë theksuar nevojën për më tepër përkushtim për të mbrojtur dhe garantuar lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes. Ata kanë theksuar se rruga e vendeve të Ballkanit Perëndimor kalon përmes mediave të lira, të cilat kultivojnë përmbajtje kualitative gazetareske. Në hapjen e kësaj konferencë, komisari për zgjerim i BE-së, Johannes Han, nëpërmjet një videomesazhi, ka theksuar se nuk do të ketë progres për asnjë vend të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së nëse nuk sigurojnë dhe garantojnë liri të medias dhe të shprehjes së lirë.

”Mesazhi ynë është i qartë si kristiali: Nuk mund të ketë përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian pa mbrojtjen dhe garantimin e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes. Kjo është arsyeja pse ne po fillojmë dhe mbarojmë procesin e pranimit me kapitujt 23 dhe 24 të sundimit të ligjit “, ka theksuar Hahn. Ai ka rikujtuar se liria e medias është element kyç i sundimit të ligjit dhe është në qendër të strategjisë së BE-së për Ballkani Perëndimor.

Në po të njëjta frekuenca ka qenë edhe drejtori për fqinjësi dhe negociata për zgjerim në KE, Kristian Danielson, i cili ka theksuar nevojën e respektimit të lirisë së medaive si një vlerë që qëndron në themelet e Bashkimit Europian. “ Tani është koha që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor të zhvillojnë reforma serioze në sektorët e medias dhe me këtë të dëshmojnë përkushtim kredibil ndaj vlerave dhe standardeve evropiane. Liria e mediave dhe liria e shprehjes janë themelet e ndërtimit të Bashkimit Evropian. Nuk ka negociata me BE-në pa mos i garantuar të njëjtat” ka theksuar ai. Danielson ka bërë të ditur se që nga viti 2014, BE ka dhënë 20 milionë euro për të përkrahur mediat në Ballkanin Perëndimor.

Genoveva Ruiz Calavera nga Drejtoria për Zgjerim e Komisionit Evropian në një publikim në tëiter ka theksuar se është koha për të zbatuar sundimin e ligjit në sektorin e mediave dhe për t’i dhënë fund ndërhyrjeve politike dhe mungesës së transparencës. Ajo ka vënë në dukje se BE do të vazhdojë të nxisë aktorët politikë dhe të inkurajojë shoqërinë civile që të vazhdojnë të punojnë për përmirësime në të gjithë sektorët. ”Mesazhi është i qartë: Nuk ka përparim në media, nuk përparim në sundimin e ligjit, kjo do të thotë nuk do të ketë përparim në procesin e pranimit në BE”, ka theksuar ajo.

Në njoftimet paraprake Komisioni Europian ka ritheksuar ndihmën permanente që kanë marrë mediat në vendet e Ballkanit që kap shifrën prej 20 milionë eurove. Kjo mbështetje ka qenë për pesë programe rajonale dhe për nisma me partnerët në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Këto programe përfshijnë ekspertizën gjyqësore përforcuese për lirinë e shprehjes dhe median, programin rajonal të trajnimit për të përmirësuar cilësinë dhe profesionalizmin e gazetarisë dhe programin e asistencës teknike për të mbështetur median e shërbimit publik në Ballkanin Perëndimor.

Padiskutim që mediat në vendet e Ballkanit Perëndimor po kalojnë në një proces të gjatë të transformimit të tyre. Liria mediave shpeshherë ka qenë e këcënuar nga format e ndryshme të presionit politik, ndërkohë që nuk ka një suazë të konsoliduar ligjore që do të mundësonte funksionimin normal të tyre në bazë të principeve të bazauara dhe të promovuara nga BE, që gjithnjë vijnë në formë rekomandimesh.

Sidoqoftë, konferenca ” Ditët e mediave BE-Ballkani Perëndimor” ka krijuar një momentum tjetër për të reflektuar dhe për të fuqizuar interaksionin mes mediave në vendet e rajonit me politikat mediale europiane, të cilat gjithë zhvillimet demokratike, por edhe gjithë procesin e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor e shohin në kryeshtyllën e jetës demokratike, në lirinë e mediave.

Kjo konferencë dhe konferencat paraprake kanë shpaluar nevojën për bashkëpunime rajonale në funksion të promovimit dhe etablimit të gazetarisë kualitative si një kundërvënie ndaj gjithë atij kaosi medial që ka prodhuar fenomenin e lajmeve të rrejshme që përben një kërcënim të përhershëm për informimin e drejtë dhe për gjithë suazën e debatit kualitativ për të gjitha çështjet që ndërlidhen me të ardhmen europiane të vendeve të Ballkanit.

Konferenca në Podgoricë, në të gjitha dimensionet e saj, ka parashtruar nevojën e konsolidimit të sferës mediale si predispozitë jetike për të çuar përpara procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Tashmë mbetet e qartë që Komisioni Europian, do të mbetet i përkushtuar për ta thelluar dimensionin e mediave të pavarura dhe të lirisë së shprehjes si një vlerë themelore e përbashkimit me standardet tashmë të vendosura në vendet europiane.

Në gjithë procesin e integrimeve mediat do të jenë në fokusin e BE-së. Në të gjitha prononcimet në këtë konferëncë paralajmërohet se liria e mediave mbetet e panegocueshme për vendet e Ballkanit. Në fakt, tashmë dihet që kualiteti i demokracisë varet kryesisht nga kualiteti i mediave. Mediat mbeten indikatorë të zhvillimeve demokratike dhe i përbrendësimit edhe të lirive tjera politike, të cilat kërkohen dhe vijnë gjithnjë si rekomandime nga KE.

Sigurisht, trysnitë politike, favorizimet, mungesa e një suaze ligjore korrekte dhe e respektueshme nga institucionet e shtetit dhe aktorët e jetës publike janë vrima të zeza që e përthithin funksionimin normal të mediave. Në këto kushte mbetet shumë e vështirë mbijetesa e mediave profesionale, e atyre mediave që nuk kanë varshmëri nga politike. Edhe ky aspekt është diskutuar në këtë konferencë, duke kërkuar modelet për funskionim të qëndrueshëm dhe vetëfinacim.

Janë një sërë problemesh që pengojnë funksionimin normal të mediave të pavarura. Por, pavarësisht nga kjo, nga Podgorica, Komisioni Europian, tashmë e ka dhënë mesazhin e madh të funksionimit të papenguar të mediave, mesazhin e nxitjes dhe afirmimit të mediave që kultivojnë gazetari profesionale. Kjo betejë për të krijuar një hapësirë të mirëqenë për funksionim normal të mediave në bazë të principeve profesionale tashmë ka një aleat të përhershëm dhe të përkushtuar BE-në. Liria e mediave mbetet esencë e demokracisë dhe kjo predispozitë u ripohua fuqishëm në Podgoricë nga të gjithë pjesëmarrësit.

 

Të fundit