E premte, 17 Maj, 2024

NGËRÇET E DJERRINËS POLITIKE

Gjithë periudha e tranzicionit është përshkuar me ngërçe të elitave politike, që janë shtendosur  me “ujdi” për hesap të tyre. Edhe aktualisht po luhet e njëjta shfaqje në kurriz të qytetarëve. Rruga e normalitetit dhe progresit kërkon dialog korrekt politik dhe jo improvizime egosh partiake. A do ta tejkalojë takimi i mundshëm i liderëve këtë djerrinë politike që po prodhon vetëm dëshpërim qytetar?

 

Autor: Bardhyl Zaimi

 

Jo njëherë politika në Maqedoninë e Veriut ka ditur të luajë në kurriz të qytetarëve. Gjithë trajektorja e zhvillimeve politike është determinuar nga  marrëveshjet e elitave politike, të cilat të shkëputura tërësisht nga realitet shoqërore dhe qytetare kanë sjellë “ujdi” për veten e tyre, por jo edhe për zgjidhje afatgjatë për problem të caktuara. Ka dominuar ideja egocentrike e elitave politike në një frazë fatale për interesin e përgjithshëm se  “nëse ne jemi mirë, atëherë të gjithë janë mirë”. Kjo logjikë ka prodhuar “ujdi elitiste” pa ndonjë vizion për të ardhmen e qytetarëve.

Tranzicioni në Maqedoninë e Veriut tashmë njeh një sërë “ujdish” të këtilla, të cilat janë bërë diku në prapaskenat e politikës, aty ku zakonisht luhen shfaqjet e interesave personale dhe klanore. Marrëveshjet janë pjesë e jetës politike dhe demokratike , por vetëm kur ato janë në funksion të një vizioni më kuptimplotë, kur janë në funksion të një kapërcimi kualitativ të një situate të caktuar. Marrëveshjet e këtilla nënkuptojnë një debat dhe dialog të pandërprerë, nënkuptojnë dije dhe principe për ta tejkaluar një gjendje politike që rrezikon të prodhojë polarizime të skajshme dhe bashkë me këtë edhe konfliktualitet politik.

Maqedonia e Veriut deri më tash ka kaluar nëpër shumë faza të këtilla ngërçesh politike, të cilat kanë ardhur si pasojë e politikave të gabuara dhe në të shumtën e rasteve të inkriminuara. Si zakonisht kanë pasuar marrëveshjet politike, të cilat iu kanë dhënë fund ngërçeve të prodhuara në laboratorët partiakë, të cilat janë intepretuar si ngërçe që vijnë nga politikat destruktive të njërës apo palës tjetër.

Partitë politike përfaqësojnë vullnet elektoral dhe qeverisja dhe gjithë jeta politike dhe demokratike determinohet nga ky vullnet. Sidoqoftë, ky vullnet fillimtar jo gjithmonë është përbrendësuar si logjikë funksionimi politik. Në të shumtën e rasteve ky vullnet është shfytyruar dhe degjeneruar tërësisht në një lloj elitizmi vullgar që është kujdesur gjithnjë  për marrëveshje politike në sfondin e të cilave kanë qëndruar mbulime të inkriminimeve politike.

Në tunelin e errët të këtyre “ujdive” politike dergjet ideja e normalitetit shoqëror edhe demokratik. Nuk kanë munguar gjatë tërë kohës “ujditë” e këtilla, të cilat më tepër janë bërë për mbijetesë elitash se sa për një qëllim më të lartë që ndërlidhet me vendosjen e principeve të qeverisjes së mirë, paqes shoqërore dhe vendosjes së një sistemi të verifikuar vlerash që do të prodhonte mirëqenie për të gjithë. Dekadata e fundit e uzurpimit partiak të institucioneve dhe rasti më i fundit i aferës “Zhvatja” tregojnë se sa e vështirë është që në Maqedoninë e Veriut të vendoset një sistem normal funksionimi institucional që do të bazohej në integritetin profesional dhe jashtë skemave të elitave politike që gjithnjë janë të prirura të tjetërsojnë dhe degjenerojnë të gjitha ato mekanizma që sigurojnë drejtësi për të gjithë.

Ngërçet politike zakonisht prodhohen nga pozicionimet e forta të partive politike, të cilat në planë të parë kanë interesin e tyre dhe jo atë të qytetarëve. Edhe aktualisht skena politike po e vuan një ngërç politik që mund të rrezikojë një proces në të cilin bashkësia ndërkombëtare ka investuar gjatë tërë kohës. Ligji për Prokurorinë Publike, i cili duhet të përcaktojë edhe fatin e Prokurorisë Speciale Publike duket se tashmë ka krijuar një polarizim të skajshëm politik që nuk dihet se ku do të përfundojë.

Në ndërkohë është paralajmëruar takim liderësh për të martën nga kryeministri Zaev dhe me gjasë një ftese të tillë do t’i përgjigjet edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. Pikërisht ky ligj pritet të jetë në tavolinën e debatit, ndërkohë që është bërë e ditur se lideri i partisë më të madhe opozitare maqedonase, Mickovski, do të shtrojë si kërkesë edhe zgjedhjet e parakohshme. Takimi i mëhershëm i liderëve kishte dështuar pikërisht të këtij kushti të vendosur nga Mickovski.

Maqedonia e Veriut tashmë ndodhet në një kontekst krejt tjetër dhe “udhëtimet” politike që iu mungon dimensioni i bashkërëndimit minimal për çështje kruciale duken gati të pamundura. Por, partitë politike, në këtë shtet qytetarësh të dëshpëruar me të drejtë, duket se gjithnjë më tepër kujdesen për veten e tyre se sa për interesin e përgjithshëm që ngatërrohet diku në përllogaritjet e elitave politike të shtresuara në jetën publike si fatkeqësi për qytetarët.

Kohë e humbur, taktizime, ngërçe të pafundme politike janë melmesat e politikës pa vizion në Maqedoninë e Veriut. Reprezentimi politik nuk është vetëm legjitimitet elektoral dhe vetëm pluralititet partiak. Këtij reprezentimi i duhet integritet dhe principe permanente vlerash dhe angazhimesh që tejkalojnë situatat e përhershme të “ujdive” sa për sy e faqe dhe “tregtive” për të mbuluar dhe shpëtuar personat e inkriminuar. Kjo mbetet një betejë e vështirë që nuk mund të fitohet me sllogane. Kjo betejë kërkon anagazhime korrekte, vizion afatgjatë dhe praktika të mirqena që promovojnë dhe kultivojnë normalitet dhe profesionalizëm institucional.

Drejtësia mbetet një ndër kushtet më themelore që vjen si rekomandim i vazhdueshëm nga BE. Kthimi i bësueshmërisë në institucionet e drejtësisë kërkon një angazhim serioz disaplanësh që ndërlidhet me vendosjen e standardeve dhe integritetit profesional. Ky proces nuk varet vetëm nga “ujditë” e elitave politike, por nga një angazhim gjithëpërfshirës i të gjithë aktorëve të jetës publike. Ky proces kërkon debat dhe pjesëmarrje institucionale, kërkon përfshirje të shoqërisë civile dhe të gjithë institucioneve tjera të pavarura që nuk varen nga “ujdia” e elitave politike. /KDP

Të fundit