Zyrtarët federalë kanë hapur një hetim “mashtrim me marketingun” ndaj kompanisë që prodhon cigaret elektronike JUUL, lidhur me akuzat se ajo kishte vënë në shënjestër adoleshentët, njofton gazeta Wall Street Journal.
Kongresi dhe prokurorët e përgjithshëm të disa shteteve kanë hapur gjithashtu hetime për cigaret elektronike JUUL.
As Komisioni Federal i Tregtisë dhe as JUUL nuk e kanë konfirmuar artikullin e gazetës. Por kompania thotë se do të “bashkëpunojë plotësisht dhe është transparente me çdo agjenci qeveritare ose rregullator që interesohet për prodhimet tona”.
Kompania mohon se ka provuar ta shesë produktin e saj tek të rinjtë.
“Fushata jonë më e hershme e marketingut në 2015 kishte si objektiv të rriturit e grupmoshës 25-34 vjeç … na vjen keq që fushata u krye në një mënyrë të tillë që ishte perceptuar sikur drejtohej ndaj të rinjve”.
JUUL thotë se ka hequr dorë nga praktika e përdorimit të të ashtuquajturave persona me ndikim në mediat sociale – palë të treta të paguara që përdorin Twitter dhe blogë për të shkruar në lidhje me produktet dhe shërbime të tjera.
Objektivi i cigareve elektronike është që të përdoren nga duhanpirësit që po përpiqen të lënë duhanin.
Por kritikët thonë se produktet janë tërheqëse për adoleshentët sepse pajisjet kanë shije frutash dhe karamele.
JUUL thotë se ka ndaluar shitjen e produkteve me aroma në dyqanet tradicionale dhe ka vendosur sisteme të reja për verifikimin e moshës, në mënyrë që cigaret elektronike të mos bien në duart e fëmijëve.
Ndërkohë, zyrtarët e shëndetësisë në Miluoki të Uisconsit po “i nxisin me forcë” njerëzit të ndalojnë përdorimin e cigareve elektronike sepse pajisjet dyshohen se shkaktojnë sëmundje të mushkërive.
Zyrtarët intervistuan 27 persona që janë sëmurur nga pneumonia kimike dhe thonë se 89% pohojnë se përdorin cigare elektronike.
Simptomat e tyre përfshijnë marrje fryme, kollitje dhe humbje peshe.
Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve njofton për rreth 200 raste të sëmundjeve të mushkërive që lidhen me cigaret elektronike në 22 shtete, përfshirë një vdekje në Ilinois.