Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Metthew Palmer, do të jetë Përfaqësues i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, njofton KDP.
Në njoftimin e Departamentit të Shtetit, thuhet se në këtë rol, Palmer do të “udhëheqë përpjekjet tona për të fuqizuar angazhimin diplomatik amerikan në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe në fokusimin në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore”.
Në këtë kapacitet, Palmer do të udhëtojë në Slloveni, për të marrë pjesë në Forumin Strategjik në Bled, thuhet më tutje në njoftim, shkruan REL.
Ai gjithashtu do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në takimin e Drejtorëve për Ballkanin të vendeve anëtare të Kuint-it në Bruksel, si dhe do të marrë pjesë në takime në Vjenë dhe Podgoricë nga 4 deri më 10 shtator.
Përveç angazhimit si Përfaqësues i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Palmer do të vazhdojë të jetë zëvendës-ndihmës sekretar amerikan i shtetit, në zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, një post që ai mban që nga viti 2018. Më parë, ai ishte Drejtor i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore.
“Matthew Palmer, një diplomat i karrierës me përvojë në Ballkan, me gjasë do të emërohet si i dërguar i ri special, sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve që e njohin këtë çështje. Emërimi i tij i pritshëm përfaqëson shtysën e fundit të Shteteve të Bashkuara për të adresuar tensionet midis Serbisë dhe Kosovës dy dekada pasi një konflikt i armatosur nxiti ndërhyrjen e NATO-s dhe çoi në ndarjen e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë së saj nga Serbia”, shkruan Foreign Policy në artikullin e fundit.
Gazeta shkruan se për disa ekspertë, emërimi i parashikuar i Palmer është një zhvillim i mirëpritur në një rajon shpesh të lënë anash nga politikëbërësit kryesorë të Uashingtonit, së paku që nga përpjekjet intensive të bëra për t’i ndaluar konfliktet vdekjeprurëse të viteve 1990.
Eksperti i politikës së jashtme, Daniel Vajdich, i cili ka njohuri për rajonin, tha se përfshirja e SHBA’së në këtë çështje, tregon se për ta ka një rëndësi të madhe, transmeton Gazeta Express.
“Përcaktimi i një të dërguari special për Ballkanit tregon qartë se Shtetet e Bashkuara janë duke u përfshirë më shumë në këtë çështje sesa vetëm formalisht” tha Vajdich.
Vajdich, i cili ka qenë edhe në Komitetin e Senatit Amerikan për Punë të Jashtme, tha se “Sipas mendimit tim, kjo tregon rritje të gjasës se do të gjejmë ndonjë zgjidhje për këtë çështje para fundit të administratës Trump”.
Caktimi i Palmer si i dërguar special i SHBA’së për zgjidhjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë vjen pas takimit të Sekretarit të SHBA’së Mike Pompeo dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Viçiq në Nju Jork.
Pompeo i kishte kërkuar Vuçiqit që t’i rifillojë negociatat me Kosovën dhe ta bëjë këtë “me shpirtin e kompromisit dhe fleksibilitetit të nevojshëm për të siguruar një marrëveshje dhe zgjidhje potenciale”.