E hënë, 7 Tetor, 2024

ZIGZAG: PËR RRIQËRAT, PLESHTAT E JORGANIN

Idetë, thoshte një filozof, nuk pikin nga qielli. Dentisti tim, teksa të dielën po m’i shkulte dhëmbët, e nisi një muhabet, monolog, që mua më mbetej vetëm ta dëgjoj: Ideja e tij ishte se për të çuar në vend drejtësinë, kur është fjala për hajdutët, peshq të mëdhenj, të kohës sonë, shteti nuk duhet të bëj as më shumë e as më pak përveç se – të hetojë me sa pasuri kanë hyrë në politikë e më pas t’ju blejë nga një mercedes të kategorisë së lartë dhe – t’ua konfiskojë pasurinë! Makinën ta kenë si shpërblim për kursimet që i kanë bërë arkës së shtetit! Monologu i dentistit tim shkonte dhe më tej: Nuk ia vlenë t’i rrasësh në burg e t’ua lëshë gjithë atë kamje!

 

Autor: Seladin Xhezairi

1. A po bëhemi si anglezët? Ata e kanë ‘qeverinë në hije’, një qëmtuese e vëmendshme e gabimeve të Qeverisë që, në emër të partisë opozitare, nuk denjon të ofrojë edhe alternativat. Përgjigjen e di, e marr me mend, po në rastin e Kosovës së këtyre ditëve, nishanet sikur janë shpresëdhënëse: Për zgjedhjet e afërta të parakohëshme atje do konkurrohet me më shumë lista dhe me shumë kandidatë për – kryeministër! Shqiptarët, nga njëra anë, dhe minoritarët nga ana tjetër. Këta të fundit, si dhe deri tani, mund të kenë rolin e përcaktuesit. Ama, lista e gjatë e kandidatëve për kryeministër e ka një të mirë: Vjosa Osmanin, të parën grua që do të mund t’i printe qeverisë kosovare, me ingjerenca që nuk e vënë në pozicionin e ‘mbretëreshës angleze’! Kryeministrin apo kryeministren e re  e presin probleme e sfida të cilat nuk është zor të identifikohen: në fushën e shtetit të së drejtës që mungon, në korrupsionin, thonë, që lulëzon dhe një betejë për të kapërcyer Rubikonin me emrin ‘dialog’ me Serbinë. Rikthimi i besimit në institucione, mbase, si kudo në këto hapësira, kushdo që ta bëj, do të ishte për duartrokitje!

2. Këto ditë të nxehta gushti, që e kanë vënë këtë verë si më të nxehtën në rruzullin tokësor në 140 vitet e fundit, në Beograd njëfarë Milan Stamatoviq, lider i partisë ‘Zdrava Srbija’, me demek ‘Serbia e shëndoshë’ ka hedhur idenë  se e vetmja mënyrë që ‘Serbia të ruaj territorin’ e Kosovës është që ajo, me një marrëveshje ndërshtetërore Beograd-Moskë, t’i jepet për një kohë – Rusisë! Kjo me automatizëm, argumenton ai, do t’i bënte serbët e Kosovës shtetas rusë dhe do ta pengonte atë që serbët e quajnë ‘Shqipëri e madhe’!

Këto ditë po lexoj një studim të një autori serb për rrënjët e nacionalizmit në Jugosllavinë e Titos, të botuar në Beograd më 1976. Besoni apo jo: asgjëkundi nuk flitet për nacionalizëm shqiptar, por kryekëput për atë serb, në funksion të ‘Serbisë së Madhe’ dhe atë kroat – për ‘Kroacinë e Madhe’.  Autori u referohet me këtë rast edhe treguesve statistikorë nga të cilët rezulton se shqiptarët, po edhe boshnjakët, maqedonasit e malazezët kanë qenë – në bisht të zhvillimit shoqëror e ekonomik!

3. Dentisti tim, teksa të dielën po m’i shkulte dhëmbët, e nisi një muhabet, monolog, që mua më mbetej vetëm ta dëgjoj: Ideja e tij ishte se për të çuar në vend drejtësinë, kur është fjala për hajdutët, peshq të mëdhenj, të kohës sonë, shteti nuk duhet të bëj as më shumë e as më pak përveç se – të hetojë me sa pasuri kanë hyrë në politikë e më pas t’ju blejë nga nga një mercedes të kategorisë së lartë dhe – t’ua konfiskojë pasurinë! Makinën ta kenë si shpërblim për kursimet që i kanë bërë arkës së shtetit! Monologu i dentistit tim shkonte dhe më tej: Nuk ia vlenë t’i rrasësh në burg e t’ua lëshë gjithë atë kamje!

– Gjuha shkon aty ku dhemb dhëmbi!- i them në ikje.

– Dhëmbët e prishur, duhet flakur! – më përgjigjet me një buzëqeshje, dentisti im.

Vërte, po ta shikosh, hollë e hollë, demokracia jonë në tranzicion vazhdon të jetë e mbërthyer nga pleshta e rriqëra që nuk u bëhet vonë! Dhe, kjo për shkak se punët i bëjmë me turrevrap e me hakmarrje: Ai na e then xhamin e makinës, ne ia rrënojmë shtëpinë! Nuk shkohet përtej arsyetimit ‘e ngritur në mënyrë të jashtëligjshme’. Ku ta dish, për të mos e prishur lëmshin e për të vazhduar avazin e vjetër! /KDP

Të fundit