Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Maqedoninë e Veriut vlerëson se pas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë se mund të fillojnë procedurat për kalimin nga ordinancat e tyre të mjekësisë së përgjithshme në ordinancë të mjekësisë familjare, mjekësia familjare nuk përfiton asgjë. Sipas Shoqatës, ata të cilët do të përfitojnë në këtë rast janë pacientët.
Autore: Xhumadije Ibrahimi
Pas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë se Specialistët e mjekësisë familjare mund të fillojnë procedurën e shndërrimit të ordinancës së tyre të mjekësisë së përgjithshme në ordinancë të mjekësisë familjare, nga shoqata e mjekëve Shqiptarë e përshëndesin këtë iniciativë, për të cilën siç shprehen ata kjo ka qenë kërkesë e kamotshme e Shoqatës së Mjekëve.
“Kjo është një kërkesë e kamotshme e Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë së Veriut, por edhe e mjekëve familjarë. Këtu duhet sqaruar punët jo të gjithë ordinancat e përgjithshme kalojnë në atë familjare, pra familjarët duhet që nëpërmes aplikimit që do të bëhet në ministrinë e shëndetësisë të cilët të cilët kanë bërë listë me ata të cilët i plotësojnë kushtet”, thotë Nevzat Elezi, kryetar i Shoqatës.
Sipas tij, nga e gjithë kjo reformë mjekësia familjare nuk përfiton asgjë, por do të përfitojnë pacientët.
“Pacientët do ta lehtësojnë punën e tyre që të mos shkojnë t’i marrën udhëzimet referuese nga specialistët përkatës të internës apo ndonjë lëmie tjetër. Pra do të ketë drejtë specialisti amë të shkruaj direkt terapinë apo udhëzimet përkatëse”, thotë Elezi.
Nga Shoqata e Mjekëve kërkojnë që të ndryshohet veprimtaria mjekëve, duke apeluar deri tek Fondi Shëndetësor që të merren parasysh vërejtjet e tyre. /KDP