E enjte, 12 Dhjetor, 2024

Raportet me Kosovën, në fokus të takimeve të Vuçiqit në SHBA

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se ka pasur një bisedë të gjatë, serioze dhe të përgjegjshme me zëvëndës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, për raportet mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe në përgjithësi marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

Vuçiq, deklaroi se Kosova ishte gjithashtu temë mbizotëruese në bisedimet që ka pasur me nënkryetarin e Këshillit Atlantik, Damon Wilson.

“Mbrojtja e interesave të popullit serb në Kosovë dhe ruajtja e interesave jetike kombëtare dhe shtetërore të Serbisë ishin thelbi i angazhimit tim në bisedën me Wilson”, tha Vuçiq.

Vuçiç u takua mbrëmë në Nju Jork edhe me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo.

Ai tha se i ka kërkuar Pompeos që Shtetet e Bashkuara të shtojnë presionin ndaj Kosovës, për të hequr tarifën ndaj mallrave serbe, në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet të dyja vendeve.

Në anën tjetër, Departamenti i Shtetit, përmes një komunikate, njoftoi se sekretari Pompeo, ka kërkuar rinisjen e negociatave me Kosovën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të përqëndruar në njohjen e ndërsjellë./REL

Të fundit