E enjte, 16 Maj, 2024

Përse Sali Berisha ishte në promovimin e librit të doktor Kalos?

Nga Mero Baze

Reagimet ndaj librit të doktor Kalos, si mjek personal i Enver Hoxhës janë të natyrshme. Nuk besoj që ka ndonjë mjek diktatori, që nuk ja ka arritur të bëjë një libër të debatuar pas vdekjes së dikatorit.

Isuf Kalo, ndryshe nga shumë personazhe të ngjashëm në botë, ka fatin që librin për diktatorin ta shkruajë në liri. Ky është një fat, nëse je njeri i lirë dhe një denim, nëse nuk e mposht dot diktatorin brenda vetes.

Nuk dua të merrem me reagimet ndaj librit, pasi mendoj që duhet një lexim serioz i tij. Për më tepër që kam një shije të mirë nga brumi intelektual i doktor Kalos.

Por nga një shfletim i thjeshtë, kuptova pse Sali Berisha dhe zonja e tij kishin vrapuar në promovimin e librit.

Nuk është miqësia e vjetër me doktor Kalon. Mik e ka pasur edhe në vitet ‘90, kur përfundoi emigrant në vendet skandinave. Ka pas plot miq në jetë që i ka sulmuar dhe e ka bërë të paqenë miqësinë me ta, për interesa të veta.

Por nëse e shlfetoni librin dhe pa e lexuar, do ta kuptoni.

Të gjithë kemi parasysh dy fotografi të famshme. Sali Berisha dhe gruaja e tij, dhe Dr. Isuf Kalo me gruan e tij, në një varkë në liqenin e Pogradecit me djalin dhe nusen e djalit të Enverit.

Pastaj të njëjtët personazhe në një dhomë me oxhak po në Pogradec, në vilën e Enverit.

Fotografitë kanë pas bërë shumë bujë kur u botuan në vitin 2010. Sali Berisha u egërsua aq shumë, sa i shpalli luftë emisionit “Fiks Fare” që i publikoi. Por nuk i përgënjeshtroi. Kishte më shumë makthin se kush i kishte nxjerrë.

Për shkak të peshës së madhe që fituan ato foto, dhe peshës edhe më të madhe që ka antikomunizmi fallco i Sali Berishës, ndërkohë që ka qenë një zvarranik pas fëmijëve të Enverit, doktor Kalo e ka detyrim, të bëjë një shpjegim se si një figurë e rëndësishme e pluralizmit, ndoshta njeriu që ka diktuar më shumë se kushdoi tjetër fatin e Shqipërisë këto 30 vjet, Sali Berisha, kishte depërtuar në familjen Hoxha.

Është e qartë që kishte depërtuar përmes tij në shiltetë dhe varkën e Enverit, ndaj dhe duhet ta bëjë këtë shpjegim.

Nuk është fjala për ndonjë personazh episodik të historisë sonë, që mund ta neglizhonte. Është fjala për Enverin tonë të dytë, që ka 30 vjet që dikton fatin e këtij vendi, shpesh herë me marrëzitë e tij.

Nuk e ka bërë në libër, ndaj dhe Sali Berisha ka vrapuar i lehtësuar me gruan e tij, të ishte në promovimin e librit. Biles kishte mërzitur dhe Tritanin.

Është nga ato nderet e jetës që nuk e di pse doktor Kalo ja kë bërë Sali Berishës, duke gjymtuar integritetin e një njeriu që ka fatin të dëshmojë për diktatorin që nuk kemi njohur nga afër.

Pas kësaj, përtoj ta lexoj atë libër. Edhe pse mund të jetë shumë i mirë  për ato gjëra që ka thënë. Por njeriun e letrave, e vrasin gjërat që nuk thotë. Aty ndjehet dënimi që vjen prej mungesës së lirisë brenda vetes.

Të fundit