Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, dhe ish-ministri i administratës, Azir Aliu, konfirmuan angazhimin e tyre për luftën kundër korrupsionit dhe reformimin e institucioneve pas një takimi me të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Shkup, Nicole Varnes, përcjell KDP.
“E nisëm mëngjesin në institucionin më të rëndësishëm për shqiptarët në vendin tonë – Ambasadën e SHBA-së,” shkroi Fetai në Facebook. Ai shtoi se me diplomaten amerikane diskutuan për vazhdimin e partneritetit në luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe integrimin evropian.
Ambasada e SHBA-së konfirmoi se takimi ishte “diskutim produktiv për partneritetin e vazhdueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e qeverisjes së mirë”.
Ndërkohë, ish-ministri Azir Aliu deklaroi publikisht mbështetjen për agjendën qeveritare të koalicionit VLEN, pavarësisht paralajmërimit të liderit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, për kalim në opozitë.
“Me respekt të madh për kryetarin e partisë dhe të drejtën e tij për vlerësim politik, ndjej detyrimin që publikisht të them se do të vazhdoj të jem pjesë e procesit që e nisëm së bashku në VLEN dhe në këtë Qeveri,” shkroi Aliu në Facebook.
Ai vlerësoi se kjo Qeveri “për herë të parë i hapi seriozisht institucionet dhe nisi të merret sistematikisht me problemet”, duke shtuar se tërheqja pa një plan të qartë “i jep hapësirë BDI-së të rehabilitohet”.
“Unë besoj se çdo i ri shqiptar, çdo intelektual, meriton një opsion tjetër politik – një avangardë që zgjedh fitoren e shpresës, dhe vendos të mençurit dhe të ndershmit – jo aventurierët – në piedestalin e shoqërisë,” theksoi Aliu.
Reagimet vijnë në kohën kur rritet pakënaqësia në radhët e Aleancës për Shqiptarët. Ministri për çështje evropiane, Orhan Murtezani, tha se zemërimi ndaj vendimit të Taravarit për të lënë koalicionin qeveritar do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
“Mendoj se vendosmëria e strukturave për të mos përfunduar në përqafimin e Ali Ahmetit është më e madhe se kalkulimet e Taravarit,” deklaroi Murtezani. “Sipas informatave tona jozyrtare, revolta është e madhe dhe ai trend do të vazhdojë.”
Një ditë më parë, deputeti Salim Sulejmani dha dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake dhe nga Kuvendi, në shenjë proteste ndaj drejtimit të ri politik të partisë. Ai tha se hyrja në koalicion me BDI-në para zgjedhjeve lokale përbënte “largim serioz nga parimet” e partisë.
Murtezani nuk zbuloi nëse priten aderime të reja në koalicionin VLEN, por tha se situata brenda Aleancës është “dinamike” dhe se “duhet të priten ditët në vijim”.