Partia opozitare Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) do të votojë në Kuvend për ratifikimin e Marrëveshjes për Partneritet Strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, por lideri i saj, Venko Filipçe, kritikoi qeverinë për mungesë transparence dhe kërkoi publikimin e detajeve nga dy marrëveshjet – ajo për partneritet strategjik dhe ajo ndërqeveritare për bashkëpunim, përcjell KDP.
Marrëveshja ndërqeveritare midis Londrës dhe Shkupit pritet të nënshkruhet deri në fund të kësaj jave në kryeqytetin britanik, ndërsa data për nënshkrimin e marrëveshjes për partneritet strategjik ende nuk është caktuar.
Filipçe deklaroi të hënën se është thelbësore që publiku të ketë qasje në të gjitha detajet e marrëveshjes me Britaninë, duke theksuar se bëhet fjalë për “shuma të mëdha parash dhe interesa të panjohura që do t’i paguajnë gjeneratat e ardhshme”.
“Qeveria ka për detyrë të publikojë të gjitha informacionet. Ne e mbështesim plotësisht marrëveshjen për bashkëpunim strategjik, por mënyra e huamarrjes për projekte të tilla e karakterizon këtë qeveri si antievropiane,” tha Filipçe.
Ai shtoi se, në vend që të bllokojë rrugën drejt Bashkimit Evropian, qeveria duhet të shfrytëzojë mundësitë që ofron BE-ja, përfshirë grantet e pakthyeshme.
Kryeministri Hristijan Mickoski, së bashku me ambasadorin britanik Matthew Lawson, prezantuan më 17 maj detajet e marrëveshjes për partneritet strategjik, një ditë pas takimit me kryeministrin britanik Keir Starmer në margjinat e samitit të Tiranës.
Mickoski tha se marrëveshja do të shërbejë si bazë për një cikël investimesh në vlerë prej 5 miliardë funte (rreth 6 miliardë euro), që do të përfshijë ndërtimin e një linje hekurudhore moderne për transport mallrash dhe pasagjerësh nga Tabanoci në Gjevgjeli, spitale të reja, përfundimin e kompleksit spitalor në Shtip dhe ndërtimin e një konvikti studentor me 200 shtretër.
I pyetur për kritikat e opozitës, Mickoski tha se ato përfaqësojnë një politikë nihiliste që kundërshton çdo veprim të qeverisë.
“Sipas tyre, çdo gjë që bën kjo qeveri nuk vlen. Kjo është sjellje e papjekur, veçanërisht në lidhje me Marrëveshjen për Partneritet Strategjik me Britaninë,” tha Mickoski.
Filipçe gjithashtu i bëri thirrje qeverisë të sqarojë nëse është e gatshme të diskutojë për pranimin e migrantëve, pas raportimeve të disa mediave britanike.
Mickoski më parë e mohoi këtë, duke theksuar se marrëveshja nuk parashikon vendosjen e migrantëve në Maqedoninë e Veriut, por përfshin bashkëpunim policor dhe luftë të përbashkët kundër grupeve kriminale.