Deri më tani, KPE-ja ka arritur të mbajë të bashkuar liderët evropianë rreth interesave të përbashkëta strategjike. Se në çfarë drejtimi do të evoluojë më tej – drejt një BE-je me përbërje të zgjeruar apo një federate të shteteve – mbetet për t’u parë. Sidoqoftë, KPE-ja po mban gjallë ëndrrën evropiane për paqe dhe progres.
Shkruan: Xhelal Neziri
Mbi 47 liderë evropianë zbarkuan sot në Tiranë për samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (KPE). Siç theksoi edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen: “Ky është një simbol i fuqishëm, një mesazh i qartë se BE-ja është më e madhe se 27 anëtarët aktualë.” Është një vizion që po kristalizohet gjithnjë e më shumë nga urgjencat gjeopolitike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe krizat globale.
Ideja për këtë platformë politike u iniciua nga presidenti francez Emmanuel Macron në vitin 2022, me qëllimin për të krijuar një hapësirë dialogu mes vendeve anëtare dhe joanëtare të BE-së. Pesë samitet e mëparshme janë mbajtur në vende të ndryshme të Evropës – ky është i pari që organizohet në Ballkan. Në vitin 2022, plot 72 vjet pas konceptit të parë të tillë, Macron riktheu në vëmendje idenë e KPE-së në një kohë kur Bashkimi Evropian ishte funksional, por i lodhur nga procesi i zgjerimit. Pas ndryshimit të metodologjisë së negociatave për anëtarësim, të propozuar më 2019 dhe të miratuar një vit më vonë, Macron e hodhi idenë e KPE-së si një mjet për të bashkuar Evropën derisa të realizohet zgjerimi. Në fjalimin e tij më 9 maj 2022, në Konferencën e Strasburgut, ai prezantoi vetëm pjesërisht vizionin e tij për këtë bashkim të gjerë evropian.
Brenda BE-së po zhvillohen diskutime për reformimin e procesit të vendimmarrjes, me qëllim krijimin e një “Unioni me dy shpejtësi”. Kjo ide, e artikuluar fillimisht nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, është përqafuar në një formë edhe nga kancelari aktual Olaf Scholz. Ndryshe nga Franca, Gjermania favorizon një Union gjithëpërfshirës, ku vendimet merren me shumicë votash, jo me konsensus – siç ndodh aktualisht. Scholz e elaboroi këtë ide në fund të gushtit 2022 në Pragë, por ajo u prit me skepticizëm nga disa vende të Evropës Qendrore, që frikësohen se ndryshimi i sistemit të vendimmarrjes mund të sjellë diskriminim për shtetet më të vogla ekonomikisht, për shkak të pamundësisë për të ndikuar në vendime.
Ndërsa diskutohet reformimi i brendshëm i BE-së, boshti Gjermani-Francë pritet të mbetet forca drejtuese. Edhe pse Britania e Madhe doli nga BE-ja më 2016, ajo po kthehet në të njëjtin orbitë strategjike me BE-në. Një rol të rëndësishëm po luan edhe Turqia – si urë mes Perëndimit dhe Lindjes, dhe faktor në arkitekturën e re të sigurisë evropiane dhe globale.
Se Gjermania do të vazhdojë të mbetet e angazhuar në drejtimin e Unionit dëshmon edhe vizita e parë e kancelarit të ri gjerman, Friedrich Merz, në Bruksel më 9 maj – Ditën e Evropës. Ishte dita e tretë e tij në detyrë dhe vizita e parë jashtë vendit si kancelar, çka përbënte një mesazh të qartë: Gjermania jo vetëm që mbështet forcimin e BE-së si një projekt që solli paqe dhe zhvillim për 75 vite me radhë, por synon edhe rritjen e rolit të saj gjeopolitik në një botë në transformim.
Ndërkohë që sot KPE është mbledhur në Ballkanin shpesh të harruar dhe të ngërthyer në histori, vendet e rajonit kanë marrë një porosi të qartë se Brukseli nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për zgjidhjen e problemeve të tyre historike. Samiti po zhvillohet në Sheshin Skënderbej të Tiranës, ku në fokus janë temat kyçe të sigurisë evropiane, konkurrencës ekonomike, migracionit dhe roli i të rinjve. Si samiti i parë i KPE-së në Ballkanin Perëndimor, simbolika është e qartë: ky rajon është pjesë e Evropës dhe BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj zgjerimit drejt gjashtë vendeve të paanëtarësuara të kontinentit.
KPE-ja nuk është një strukturë burokratike, por një platformë politike për dialog dhe zgjidhje. Ajo përfaqëson vende që ndajnë interesa, parime dhe vlera të përbashkëta. Në fakt, kjo ide daton që nga viti 1952 me propozimin për një Union të Komunitetit Evropian të Thëngjillit dhe Çelikut dhe Komunitetit të Mbrojtjes Evropiane. Në vitin 1954, projekti u braktis pasi Franca nuk e ratifikoi traktatin për mbrojtjen evropiane. Sot, 70 vjet më vonë, është sërish Franca që rikthen idenë në një format më të përshtatur me realitetin aktual. Kthimi i mundshëm i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë e ka rikthyer urgjencën për një mbrojtje të përbashkët evropiane.
Tre vite pas promovimit të KPE-së, integrimi evropian nuk ka ecur me ritmin e shpresuar. Megjithatë, kjo platformë synon të mbajë gjallë frymën e bashkimit dhe perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe vendet tjera aspirante. Sipas parashikimeve, Mali i Zi mund të anëtarësohet deri në vitin 2028, ndërsa Shqipëria një vit më vonë. Shkupi mbetet larg zgjidhjes së kontestit me Sofjen, ndërsa Serbia, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina janë ende në distancë nga integrimi i plotë.
Deri më tani, KPE-ja ka arritur të mbajë të bashkuar liderët evropianë rreth interesave të përbashkëta strategjike. Se në çfarë drejtimi do të evoluojë më tej – drejt një BE-je me përbërje të zgjeruar apo një federate të shteteve – mbetet për t’u parë. Sidoqoftë, KPE-ja po mban gjallë ëndrrën evropiane për paqe dhe progres.