Peizazhi duket i zymtë, por një dritë e përshpirtshme rezistence dhe vlerash europiane duket se sot është shfaqur në Tiranë, aty ku po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian. Europa duket se po zgjohet në një realitet të ri, në një kontekst krejtësisht tjetër, nën jehonat e trishta të luftës në Ukrainë dhe tendencave për ta shndërruar në normalitet një agresion të paprecedentë që nga Lufta e Dytë Botërore. Duket se janë pikërisht këto re të zeza që po lëshohen mbi kontinentin, që po krijojnë një momentum, e që artikulohet edhe në temën boshte të samitit “Një Europë e re, në një botë të re”. Me gjasë duket se liderët e vendeve europiane tashmë e kanë kuptuar gjendjen alarmante në të cilën ndodhet Europa. Dhe nuk ka dyshim, ky është një alarm për Europën, për shkak se pavarësisht vlerave demokratike që përfaqëson, gjithë asaj suaze konceptuale që mbrun ndër vite dhe që nënkupton lirinë, dinjitetin njerëzor, diversitetin kulturor dhe mirëqenien ekonomike, Evropa nuk mund të projektohet në një abstraksion, pa asnjë ndërveprim me botën përreth saj, me gjithë ato lëvizje gjeopolitike që po ndryshojnë dinamikat dhe gjithë paradigmat e mëhershme ndërkombëtare.
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Pas agresionit rus në Ukrainë, bota, dhe sidomos Europa tashmë nuk është e njëjtë. Marrëdhëniet ndërkombëtare po luhaten, siç mund të luhatet një anije brenda një stuhie të fuqishme. Një ekuilibër i brishtë dhe kaotik përpiqet të mbahet nga mendjet racionale, ndërkohë që paqja mbetet kaq e cënueshme. Europa po përballet me sfida të shumta gjeopolitike, në veçanti me agresionin rus, që frikshëm po godet në kufijtë gjeografik dhe konceptual të saj.
Siguria duket se mbetet një ndër prioritet kryesore të BE-së. Me dhjetra lëvizje të përfaqësuesve të shteteve europiane, por edhe të institucioneve të BE-së, duket se kërkojnë një përgjigje, mbase ekzistenciale për Europën, në kuptimin e vlerave që përfaqëson dhe përpiqet të shpërndajë në botë. Peizazhi duket i zymtë, por një dritë e përshpirtshme rezistence dhe vlerash europiane, duket se sot është shfaqur në Tiranë, aty ku po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian.
Europa duket se po zgjohet në një realitet të ri, në një kontekst krejtësisht tjetër, nën jehonat e trishta të luftës në Ukrainë dhe tendencave për ta shndërruar në normalitet një agresion të paprecedentë që nga Lufta e Dytë Botërore. Duket se janë pikërisht këto re të zeza që po lëshohen mbi kontinentin, që po krijojnë një momentum të ri për kontinentin që artikulohet edhe në temën boshte të samitit “Një Europë e re, në një botë të re”. Me gjasë duket se liderët e vendeve europiane tashmë e kanë kuptuar gjendjen alarmante në të cilën ndodhet Europa.
Dhe nuk ka dyshim, ky është një alarm për Europën, për shkak se pavarësisht vlerave demokratike që përfaqëson, gjithë asaj suaze konceptuale që mbrun ndër vite dhe që nënkupton lirinë, dinjitetin njerëzor, diversitetin kulturor dhe mirëqenien ekonomike, Evropa nuk mund të projektohet në një abstraksion, pa asnjë ndërveprim me botën përreth saj, me gjithë ato lëvizje gjeopolitike që po ndryshojnë dinamikat dhe gjithë paradigmat e mëhershme ndërkombëtare.
Europa duket se po zgjohet, pavarësisht ëndrrës së bukur dhe pavarësisht konstantave të progresit që ka promovuar gjatë gjithë kohës. Ajo po zgjohet në një realitet të ri që mbetet shumë më i komplikuar se më parë, po zgjohet në një kohë të ankthshme, në të cilën gëlon popullizmi, polarizimi, dhe më e rëndësishmja cënimi i sigurisë brenda qenies së saj. Dhe, jo rastësisht, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në hapjen e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, me temën “Një Evropë e re, në një botë të re”, theksoi rëndësinë e unitetit evropian përballë sfidave globale që po cenojnë rendin dhe paqen ndërkombëtare. Padyshim, vetëm një Europë e bashkuar mund t’iu japë përgjigjen e duhur të gjitha sfidave të sigurisë, të cilat vijnë valë-valë pas agresionit rus në Ukrainë. Mbajtja e Samitit në Tiranë, duket se është një mesazh i qartë e Bashkimit Europian, se Ballkani Perëndimor, pavarësisht turbulencave nëpër të cilat kalon, mbetet pjesë e pandashme e gjeografisë europiane. Në peizazhin e zymtë të pasigurisë, entuziazmi europian duket shpesëdhënës.
Tashmë nuk ka dilemma që Europa po zgjohet në një realitet të ri, dhe protagonizimi i saj ndërkombëtar mbetet vendimtar në krijimin e një paqe afatgjate, në krijimin e një ekuilibri botëror që përputhet në gjithë atë sistem vlerash dhe parimesh të shpërfaqura gjatë tërë kohës nga BE. Samiti në Tiranë është një lloj drite që vjen nga renesanca e përhershme europiane, që herë-herë eklipsohet nga protagonistë popullistë aleancash antieuropiane. Uniteti europian mbase duhet filluar pikërisht nga identifikimi dhe afishimi i qartë i këtyre protagonistëve dhe aleancave. Kjo do të kristalizonte qëndrimin europian ndaj gjithë paradokseve që ndërkohë po shfaqen në nivel ndërkombëtar, por edhe do të kristalizonte vizionin europian në këtë realitet të ri, që mbetet imperative jetik për Europën.
Sigurisht, vendet e Ballkanit duhet të lëvizin në sinkron me këtë realitet të ri dhe me këtë pardigmë të re të BE-së, që tashmë po e rikonfiguron rolin e saj, protagonizmin e saj, në një botë të re të brishtë, në një botë të paparashikuar, që mban të kurdisura pasiguritë e agresioneve dhe ndikimeve tjera destabilizuese, sidomos në rajon e brishtë të Ballkanit, por përgjithësisht edhe në gjithë Europën.