Si gjithmonë, përpjekja për të krijuar suazën e nevojshme konceptuale mbi ndryshueshmëritë e realiteteve të shumta shoqërore, do të hasë në barrierat e ngurta të “strukturës së situatës”, e cila ushqehet me një utilitarizëm të skajshëm. Ky është një konflikt i përhershëm dhe i paevitueshëm. Mirëpo, nevoja për tejkalim na detyron që të ftojmë në këtë shesh dritën e kulturës, e cila është baza universale e motivimit njerëzor. Për realitetin tonë, sidomos në kushtet e vulgarizimit të skajshëm të politikës, ne vetëm mund të përsërisim një mendim të Ernest Koloqit: “Sot për sot veprimtaria politike e cila nuk ndriçohet prej kulturës nuk asht tjetër veç nji lojë e kotë, qi argëton ndoshta ata që e lozin, por që pengon ecjen e kombit mbi udhën fatale të historisë”.
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Metamorfozat e shumta që po i sjell periudha e gjatë e tranzicionit, siç duket , edhe gjatë kohë do të prehen në “ngujime mendore”, të cilat as për së afërmi nuk i përgjigjen kontekstit kohor dhe shndërrimeve të njëpasnjëshme, të cilat nga pamundësia që të gjejnë suazën e nevojshme konceptuale, pluskojnë trishtueshëm në margjinat kokëkrisura të provincializmit. Sipërmarrja e deritanishme për të sjellë kualitete te reja në hapësirën publike gjithnjë e më tepër po zvetënohet, duke humbur pandërprerë rezonancën me pikat e referencës dhe me konstantat sublime demokratike. Tashmë janë krijuar dikotomi të vrazhda ideologjike, të cilat tërheqin zvarrë ambicien për të konsoliduar një shoqëri moderne demokratike dhe për të zhbllokuar një numër të madh përpëlitjesh individuale që realisht mund t’i japin jetës shoqërore nuancat më të thella të shpirtit njerëzor.
Loja e përjetshme me sentimentet e palatuara ka rrënuar pretendimin për ta humanizuar jetën shoqërore në të gjitha fushat e saj. Yryshet e herëhershme vetëm kanë stërkequr pretendimin për të sjellë në hapësirën publike idealet e fisme të demokracisë dhe kanë mërguar përmbajtjen e saj në mishmashe ideologjike, në teke personale dhe frustracione egocentrike. Piketimet për të konsoliduar jetën demokratike në tërësinë e saj i janë nënshtruar ngutshmërisë së përditshme dhe sensit megaloman të frontmenëve. Me pak bonton tinëzar nga jeta publike janë përjashtuar të gjitha ato sensibilitete, të cilat kanë mundur të krijojnë kohezionin e nevojshëm të jetës shoqërore.
Simplifikimi profan i përmasave të demokracisë ka krijuar sensin e gabuar që çdonjëri mund të merret me këtë hapësirë të ndjeshme të jetës së përditshme qytetare. Ndërsa kompleksi i inferioritetit ka puqur në një pikë fatale tërë gjakimin për të animuar një vizion kuptimplotë mbi ndërvarësitë e shumta, të cilat përplasen në interese, iniciativa, rënie etj.
Edhe pse ky vulgarizim i proceseve demokratike ndërlidhet me krejt mendësinë ballkanike, sidoqoftë ndër ne merr tone të thella trishtuese nga se mungesa e institucioneve për të ekploruar me këto probleme të shumta krijon mundësi të mëdha për të manipuluar me esencën e këtyre proceseve. Njëri ndër hendikepet që vazhdimisht përsëritet ka të bëjë me mënyrën e qasjes ndaj shumë realiteteve, të cilat vijnë dhe përplasen në jetën tonë me tërë angështinë e së kaluarës.
Duke vëzhguar me kujdes rropullitë e tranzicionit, ne mund ta pohojmë mendimin e Adam Mihnikut se demokracia nuk kthehet vetëm si hapësirë e lirisë dhe e tolerancës, por edhe si hapësirë e urrejtjes dhe intolerancës etnike dhe religjioze. Adam Mihnik, gjithashtu thotë se demokracia është liri e shkruar dhe e përcaktuar me rregulla ligjore.
Që të mos e keqkuptojmë lirinë në format e saj të parme, edhe njëherë i referohemi Adam Mihnikut, i cili thotë se: “Liria në vetvete, pa kufizimin e ligjeve dhe të traditës, është udhë që të shpie kah anarkia dhe kaosi, të cilat udhëhiqen nga ligji i më të fortit”.
Ndërsa, për ata që mendojnë se demokracia është diçka e dhënë njëherë e përgjithmonë përmes formulimeve të tyre, Mihnik ka një kundërpërgjigje sublime: “Rendi demokratik është botë e papërkryer kronike”. Mirazhi absolutist mbi përsosmërinë e demokracisë vjen dhe ballafaqohet me një tjetër mendim të tij, që shton dozën e skepsës njerëzore. Ai mes tjerash thotë se: “Demokracia nuk është e pagabueshme, pasi që në debat të gjithë janë të barabartë”. Sipas tij, demokracia është artikulim i përhershëm i interesave partikulare, kërkim i kompromiseve morale, kërkim i emocioneve, varësive, shpresës, kërkim i së papërkryerës së përjetshme. Mirëpo, thotë Mihnik, vetëm demokracia ka mundësi të korrigjojë gabimet e veta. Diktaturat, thotë ai, shkatërrojnë kreativitetin njerëzor, varrosin aromën e jetës njerëzore e më pas edhe vetë jetën. Subjekt i demokracisë, thotë Mihnik, janë njerëzit dhe jo idetë.
Që të mos biem në gjendje dëshpërimi të përhershëm dhe që të mos i caktojmë vetes një çmim të pavetëdijshëm në këtë ngarendje të pafundme pas “abstraksioneve” demokratike, ne duhet patjetër ta evoluojmë botëshikimin tonë mbi shumë çështje të cilat drejtpërdrejtë prekin rrojtjen tonë shoqërore në këtë kohë kthesash të mëdha. Për të rrokur timbret më të thella të kësaj përpjekje, duhet patjetër të ndryshohet edhe diskursi i procedimeve mbi realitetet e shumta të jetës demokratike dhe, mbi të gjitha, të krijohet suaza konceptuale e lartësimit tonë, që realisht do të ishte në rezonancë me vlerat tashmë të promovuara nga Europa dhe të cilat na jepen si detyrë shtëpie. E rëndësishme është që brenda kohës të skicojmë një profil qytetar të shoqërisë shqiptare.
Aktualisht ndodhemi përpara fundit melankolik të bëmave të mëdha. Një premisë fundekrye dinamike na grish që të kuptojmë se liria në vetvete nuk është kurrë fundi i rrugës, por vetëm një fillim. Në veçanësi, në çdo shoqëri të veçantë, detyrë më urgjente dhe parësore është vetëpërmirësimi. Paraqitet nevoja që ngultas të procedojmë me idenë e hapësirës publike, ngase çdo gjë që mërgohet nga kjo hapësirë mbetet thellësisht individuale dhe rrëshqet nga principet e interesit të përbashkët. Veprimtaritë politike autentike, veprimi dhe të folurit, thotë Hanna Arend, nuk mund të realizohen pa praninë e të tjerëve, pa publikun, pa një hapësirë të përbërë prej shumicës. Gjykimi për të qenë i vlefshëm, thotë ajo, varet nga prania e të tjerëve. Arend thotë se: “fusha ku liria është e njohur dhe e mbajtur kurdoherë parasysh, si një fakt i jetës së përditshme, është fusha politike”. Sipas saj, arsyeja e ekzistencës së politikës është liria dhe fusha e akumulimit të saj është veprimi. Duke hulumtuar me vëmendje raportin mes lirisë së brendshme dhe lirisë si shfaqje publike, Arend kësisoj e përcakton këtë keqkuptim: “Liria e brendshme, është ajo hapësirë në të cilën njerëzit shpëtojnë prej shtrëngimit të jashtëm dhe ndjehen të lirë, mirëpo kjo ndjenjë mbetet pa shfaqje të jashtme dhe për rrjedhojë nuk ka vlerë nga pikëpamja politike”. Pa një fushë publike të garantuar, thotë ajo, liria nuk gëzon hapësirën e domosdoshme, ku ajo mund të mbijetojë. “Për më tepër, kurdoherë që bota e krijuar prej njeriut nuk është skenë e veprimit dhe e fjalës së lirë,- si në rastin e bashkësive të qeverisura në mënyrë despotike, që kufizojnë shtetasit e tyre në ngushticën e shtëpive të tyre, duke frenuar dhe penguar në këtë mënyrë zhvillimin e fushës publike-liria nuk ka një realitet të prekshëm”, thotë Arend.
Si gjithmonë, përpjekja për të krijuar suazën e nevojshme konceptuale mbi ndryshueshmëritë e realiteteve të shumta shoqërore, do të hasë në barrierat e ngurta të “strukturës së situatës”, e cila ushqehet me një utilitarizëm të skajshëm. Ky është një konflikt i përhershëm dhe i paevitueshëm. Mirëpo, nevoja për tejkalim na detyron që të ftojmë në këtë shesh dritën e kulturës, e cila është baza universale e motivimit njerëzor. Për realitetin tonë, sidomos në kushtet e vulgarizimit të skajshëm të politikës, ne vetëm mund të përsërisim një mendim të Ernest Koloqit: “Sot për sot veprimtaria politike e cila nuk ndriçohet prej kulturës nuk asht tjetër veç nji lojë e kotë, qi argëton ndoshta ata që e lozin, por që pengon ecjen e kombit mbi udhën fatale të historisë”.
Ideja europiane, që më tepër mbetet si retorikë sesa si përmbajtje, në asnjë rast nuk mund të kuptohet jashtë koncpetit të një demokracie funksionale, që kultivon pandërprerë, parime, vlera dhe vizion dinamik për të ardhmen. Dhe kjo ide europiane, që mbetet esencë e përpjkejes sonë mbase si askush tjetër artikulohet nga europiani i mirë, Stefan Cfajg: “Evropa e vërtetë ka lindur nga shpirti, nga ideja, nga besimi se kultura bashkon më shumë sesa kufijtë ndajnë.”