Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) ka njoftuar të premten, më 9 maj 2025, arrestimin e dy ish-ushtarakëve të dyshuar si agjentë të inteligjencës ushtarake hungareze, të cilët akuzohen për kryerje të aktiviteteve të spiunazhit në rajonin perëndimor të Zakarpattias, pranë kufirit me Hungarinë. Sipas SBU-së, ky është rasti i parë i dokumentuar i një rrjeti të huaj spiunazhi në këtë pjesë të vendit, raporton Kyiv Independent, përcjell KDP.mk.
“Për herë të parë në historinë e Ukrainës, Shërbimi i Sigurisë ka zbuluar një rrjet inteligjence ushtarake hungareze që po kryente aktivitete spiunazhi në dëm të shtetit tonë”, thuhet në njoftimin zyrtar të SBU-së.
Sipas autoriteteve ukrainase, të dyshuarit – një burrë dhe një grua – kishin mbledhur informacione mbi mbrojtjen ushtarake të rajonit të Zakarpattias, kishin identifikuar dobësi në strukturat mbrojtëse dhe kishin analizuar se si mund të reagonte popullata lokale nëse trupat hungareze do të ndërhynin në këtë territor.
Megjithatë, SBU nuk dha asnjë tregues se komploti i dyshuar ishte në ndihmë të Rusisë.
Hungaria, megjithëse është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s – dy blloqe që e mbështesin fuqishëm Ukrainën – ka mbajtur një qëndrim të diskutueshëm ndaj pushtimit rus, sidomos përmes deklaratave dhe politikave të kryeministrit Viktor Orban, i cili ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të ndjekë vijën e ashpër të BE-së ndaj Moskës.
Marrëdhëniet mes Kievit dhe Budapestit janë përkeqësuar në vitet e fundit. Në maj të vitit 2023, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Danilov, akuzoi Hungarinë për njohuri paraprake mbi agresionin rus të shkurtit 2022, si dhe për pretendime territoriale ndaj rajonit të Zakarpattias. Qeveria hungareze i mohoi me vendosmëri këto akuza, duke i cilësuar si “të pavërteta dhe të papranueshme”.