E diel, 18 Maj, 2025

TENTIMI I TETË PËR KONSTITUIMIN E KUVENDIT TË KOSOVËS, VV ENDE PA SHUMICË

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet të martën për herë të tetë radhazi, ndërsa procesi i konstituimit vazhdon të mbetet i bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit për zgjedhjen e kryetarit të tij.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme për të udhëhequr me Kuvendin. Deri më tani, ajo ka marrë mbështetjen e 57 deputetëve, një numër i pamjaftueshëm për t’u zgjedhur.

Pavarësisht thirrjeve për reflektim, LVV nuk ka tërhequr kandidaturën e Haxhiut, ndërsa partitë opozitare kanë paralajmëruar se nuk do ta mbështesin atë, duke e cilësuar si figurë jo unifikuese.

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, tha se partia e tij ka përmbushur obligimet kushtetuese duke propozuar një kandidat dhe duke votuar për të, ndërsa fajësoi opozitën për bllokadën.

Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, akuzoi LVV-në për “teka” dhe “këmbëngulje arbitrare”, duke theksuar se një kandidat për kryetar Kuvendi duhet të ketë mbështetje të gjerë parlamentare.

Në një intervistë për emisionin “Përballje” në Teve1, Haxhiu tha se nuk është optimiste për ndryshime në seancën e së martës, duke theksuar se mungon vullneti politik për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e qeverisë së re.

“Mendoj që situata nuk do të ndryshojë. Qëndrimet e partive opozitare janë bërë të qarta publikisht,” tha Haxhiu, duke shtuar se përgjegjësia për konstituimin bie mbi të gjitha partitë, jo vetëm mbi mazhorancën.

Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj, konfirmoi se partia nuk pret më shumë vota sesa në seancat e mëparshme. Ai tha se janë duke shpresuar në një reflektim të opozitës për të mos bllokuar procesin.

“Kemi 57 vota, sikurse në seancën e kaluar. Shpresoj që nesër të ketë një situatë të re në frymën e bashkëpunimit,” deklaroi Rexhaj.

Duke reaguar ndaj kërkesave të opozitës për ndërrimin e kandidatit për kryetar Kuvendi, Rexhaj tha se kjo nuk është “fontanë dëshirash”, duke theksuar se propozimi i kandidatit është e drejtë e partisë fituese.

Ai mbrojti kandidaturën e Haxhiut, duke e cilësuar atë si “gruan më të votuar në Kosovë” dhe u shpreh optimist se ajo së shpejti do të marrë drejtimin e Kuvendit.

 

 

Të fundit