E diel, 18 Maj, 2025

KOS: NORMALIZIMI I MARRËDHËNIEVE ME SERBINË, PARAKUSHT PËR STATUSIN E KANDIDATIT TË KOSOVËS

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, deklaroi të hënën se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një parakusht thelbësor për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kos tha se procesi i integrimit evropian i Kosovës është i lidhur drejtpërdrejt me progresin në dialogun me Serbinë dhe me përmbushjen e parakushteve të përcaktuara nga BE-ja.

“Ne po presim formimin e qeverisë së re. Jam në kontakt të vazhdueshëm me politikanët atje dhe ata më sigurojnë se janë në favor të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë – një kusht kyç për të nisur procesin e negociatave ose për të marrë statusin e kandidatit”, tha Kos nga zyra e Komisionit Evropian në Pragë.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022 dhe mbetet e vetmja në rajon që nuk ka ende statusin e vendit kandidat. Procesi i anëtarësimit në BE është i gjatë dhe kërkon jo vetëm përafrim të legjislacionit vendor me atë evropian, por edhe miratimin unanim të vendeve anëtare për çdo hap të mëtejshëm.

Aktualisht, Kosova është në një situatë politike të pasigurt, pasi më shumë se një muaj pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, legjislatura e re ende nuk është konstituuar, duke e lënë vendin nën drejtimin e një qeverie në detyrë.

“Është shumë e rëndësishme që qeveria e ardhshme të përmbushë disa parakushte thelbësore,” theksoi Kos, pa dhënë detaje mbi to.

Zyrtarja e BE-së shtoi se deri më tani nuk ka marrë ndonjë sinjal nga shtetet anëtare ose nga presidenca daneze e Këshillit Evropian që sugjeron se statusi i kandidatit mund t’i jepet Kosovës gjatë këtij mandati. “Por mendoj se do të ishte një hap i mirë për të nisur këtë proces,” u shpreh ajo.

Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, gjithashtu paralajmëroi këtë muaj se as Kosova dhe as Serbia nuk mund të avancojnë drejt BE-së pa një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Në vitin 2023, nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e cila mbetet ende në letër për shkak të mungesës së zbatimit nga të dy palët. Tensionet në veriun e Kosovës që pasuan në shtator 2023 kanë bllokuar dialogun politik në Bruksel dhe kanë çuar në ruajtjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës nga ana e BE-së.

Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga liderët e Kosovës për heqjen e masave, Kos tha se aktualisht nuk ka konsensus mes vendeve anëtare për këtë çështje. “Nëse shtetet anëtare do të bien dakord për heqjen e masave, natyrisht që do ta bëjmë këtë. Por për momentin, jo të gjitha shtetet janë dakord,” theksoi ajo.

Kos e konsideroi si një dështim potencial faktin që deri në fund të mandatit aktual të Komisionit të mos ketë anëtarë të rinj në BE, por shprehu optimizëm për perspektivën e Malit të Zi dhe Shqipërisë.

“Nga pikëpamja teknike, mund të përfundojmë me Malin e Zi deri në fund të vitit 2026 dhe me Shqipërinë deri në fund të vitit 2027,” tha ajo.

E pyetur nëse Mali i Zi dhe Shqipëria do të jenë anëtarët e 28-të dhe 29-të të BE-së, Kos tha se mund të ketë edhe shtete të tjera që i bashkohen procesit.

Në lidhje me Serbinë, Kos tha se përparimi i saj drejt BE-së kërkon më shumë sesa premtime. “Serbia duhet të japë rezultate konkrete. Fjalët nuk mjaftojnë,” theksoi ajo, duke shtuar se kërkesat e protestuesve në Serbi – të cilët kanë protestuar muajt e fundit pas një tragjedie në Novi Sad – përkojnë me kushtet që ka vendosur BE-ja: shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, reforma në media dhe zgjedhje të lira.

“Jam mbështetësja më e madhe e protestuesve,” tha Kos, duke shtuar se angazhimi i shoqërisë civile është çelësi për përparimin evropian të Serbisë.

Në fund, Kos u ndal edhe te situata në Bosnje e Hercegovinë, duke thënë se punën e BE-së e pengon sjellja e liderëve si Millorad Dodik, presidenti i entitetit serb të Bosnjës.

“Është e vështirë të bashkëpunosh me dikë që punon kundër integritetit territorial dhe rendit kushtetues të vendit të tij,” tha Kos, duke shtuar se kjo është një nga arsyet pse Bosnja, ndonëse ka status kandidati, ende nuk ka nisur negociatat për anëtarësim.

Në lidhje me sanksionet e mundshme kundër Dodikut, Kos tha se “nuk ka unitet” mes shteteve anëtare të BE-së për t’i vendosur ato.

Dodik dhe liderë të tjerë të entitetit serb në Bosnje akuzohen për sulm ndaj rendit kushtetues dhe janë subjekt i një fletarrestimi qendror të lëshuar nga autoritetet e Bosnjës.

 

 

Të fundit