Shumica dërrmuese e qytetarëve evropianë besojnë se vendi i tyre përfiton nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe duan që BE-ja të ketë një rol më të fuqishëm në mbrojtjen e tyre përballë krizave globale dhe rreziqeve të sigurisë, sipas sondazhit të dimrit 2025 nga Eurobarometri i Parlamentit Evropian, publikuar të martën, përcjell KDP.
Sondazhi zbulon se 74% e qytetarëve mendojnë se vendi i tyre ka përfituar nga anëtarësimi në BE – niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë që nga viti 1983. Ndërkohë, 66% e të anketuarve duan që BE-ja të ketë një rol më të rëndësishëm në mbrojtjen e tyre nga kërcënimet globale, me mbështetje më të lartë tek të rinjtë.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, tha se këto rezultate janë një thirrje e qartë për veprim:
“Dy të tretat e evropianëve duan që BE-ja të luajë një rol më të madh në mbrojtjen e tyre. Kjo është një thirrje e qartë për veprim që do ta përmbushim. Evropa duhet të jetë më e fortë që qytetarët tanë të ndihen më të sigurt. Parlamenti Evropian do të sigurojë që çdo propozim të jetë i guximshëm dhe ambicioz për të përballuar nivelin serioz të kërcënimit që po përjeton Evropa. Nëse nuk veprojmë sot, nesër do të mbetemi pas.”
Në nivel kombëtar, mbështetja për një rol më të fortë të BE-së varion nga 87% në Suedi, në 47% në Rumani dhe 44% në Poloni.
89% e të anketuarve mendojnë se shtetet anëtare të BE-së duhet të veprojnë më të bashkuara për të përballuar sfidat globale. Ndërkohë, 76% kërkojnë që BE-ja të ketë më shumë mjete për të përballuar sfidat e së ardhmes.
Prioritetet: Siguria dhe konkurrueshmëria
Në një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më sfidues, qytetarët europianë kërkojnë që BE-ja të fokusohet te mbrojtja dhe siguria (36%) si dhe konkurrueshmëria, ekonomia dhe industria (32%). Këto çështje ishin edhe në qendër të diskutimeve në Këshillin Evropian të javës së kaluar, ku Presidentja Metsola bëri thirrje për veprime më të shpejta dhe ambicie më të mëdha.
Prioritetet e tjera përfshijnë: pavarësia energjetike (27%), siguria ushqimore dhe bujqësia (25%), dhe arsimimi dhe kërkimi shkencor (23%).
Ekonomia dhe siguria mbeten shqetësimet kryesore
Inflacioni, rritja e çmimeve dhe kostoja e jetesës (43%) janë në krye të listës së çështjeve që qytetarët duan që Parlamenti Evropian të trajtojë. Pasojnë mbrojtja dhe siguria (31%), lufta kundër varfërisë dhe përjashtimit social (31%) dhe mbështetja për ekonominë dhe krijimi i vendeve të reja të punës (29%).
Shqetësimet për koston e jetesës janë më të larta në vende si Portugalia (57%), Franca (56%), Sllovakia (56%), Kroacia (54%) dhe Estonia (54%).
Standardi i jetesës dhe vlerat bazë të BE-së
Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve parashikojnë përkeqësim ekonomik: 33% presin që standardi i jetesës të bjerë në pesë vitet e ardhshme – shtatë pikë më shumë se në verën e vitit 2024. Në Francë, kjo shifër arrin në 53%, ndërsa në Gjermani, 47%.
Megjithatë, qytetarët mbeten të lidhur me vlerat bazë të BE-së: paqja (45%), demokracia (32%), dhe të drejtat e njeriut (22%) janë vlerat që qytetarët duan që Parlamenti Evropian t’i mbrojë më shumë.
Qytetarët duan një rol më të fortë për Parlamentin Evropian
Në kohë krizash, qytetarët kërkojnë veprim të bashkërenduar nga BE-ja. Kur Unioni perceptohet si efektiv dhe i bashkuar, mbështetja rritet – siç është rasti tani. 50% e qytetarëve kanë një perceptim pozitiv për BE-në, ndërsa 41% kanë një opinion pozitiv për Parlamentin Evropian.
Mbi 62% e qytetarëve dëshirojnë që Parlamenti të ketë një rol më të rëndësishëm – një rritje prej gjashtë pikësh krahasuar me fillimin e vitit 2024, përpara zgjedhjeve të qershorit.
Sondazhi i Eurobarometrit të Dimrit 2025 u zhvillua nga 9 janari deri më 4 shkurt 2025 në të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së. Janë realizuar gjithsej 26,354 intervista, kryesisht ballë për ballë, me përdorim shtesë të intervistave me video në Çeki, Danimarkë, Finlandë, Maltë, Holandë dhe Suedi. Rezultatet janë të peshuara sipas madhësisë së popullsisë në secilin shtet.
.