E shtunë, 19 Prill, 2025

MAQEDONI E VERIUT: MBYLLEN 13 DISKOTEKA PËR SHKELJE TË KUSHTEVE MINIMALE

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë kryer gjithsej 82 kontrolle me procesverbal në diskoteka dhe kabare. Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, bëri të ditur se nga 23 objektet e licencuara, 13 nuk plotësojnë kushtet minimale teknike, prandaj janë në proces vendimmarrjeje për heqjen e licencës dhe ndalimin e funksionimit të tyre, transmeton KDP.MK.

“Nga 41 të tjerat, 30 prej tyre kishin parregullsi në bazë të ligjit për aktivitetet hotelierike. Janë lëshuar 28 vendime për kundërvajtje dhe dy mbyllje për tejkalim të orarit të punës, që nënkupton edhe gjobë”, tha zëdhënësja Miteva.

Inspektimet po vijojnë në terren, ndërsa një hetim më i gjerë është duke u zhvilluar me përfshirjen e disa institucioneve, përfshirë Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Ekonomisë dhe Inspektoratin e Punës. Po verifikohet gjithashtu nëse objektet në mbarë vendin disponojnë dokumentacionin e nevojshëm teknik.

Këto kontrolle të intensifikuara janë ndërmarrë pas tragjedisë në Koçan, më 16 mars, ku humbën jetën 59 persona, ndërsa të lënduar 196, që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka operuar me shkelje të rënda, duke përfshirë mungesën e rrjetit të hidranteve dhe pajisjeve të mjaftueshme kundër zjarrit, përdorimin e paligjshëm të materialeve piroteknike, si dhe mungesën e një leje të rregullt pune. Po ashtu, nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria Themelore Publike – Koçan ka lëshuar urdhër për hetim ndaj 27 personave dhe tre subjekteve juridike, të dyshuar si bashkëkryes të veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme në zjarrin e ndodhur në “Pulse”.

Prokuroria e Koçanit kërkon paraburgim për të gjithë të dyshuarit, përveç tre personave që janë të shtruar në spital. Deri më tani, janë caktuar 16 masa paraburgimi, ndërsa për të tjerët seancat gjyqësore janë ende në zhvillim.

Mes të dyshuarve ndaj të cilëve është hapur hetim janë edhe tre pronarë ose bashkëpronarë të diskotekës “Pulse” në Koçan.

Hetimi përfshin tre kryetarë komunash

Prokuroria poashtu ka njoftuar se tre kryetarët e dyshuar të komunës së Koçanit, ish-kryetarët Ratko Dimitrovski dhe Nikolço Iliev, si dhe kryetari aktual në dorëheqje, Ljupço Papazov, nga viti 2012 deri më 16 mars 2025, së bashku me dy ish-drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, nuk i kanë përmbushur detyrimet e tyre ligjore sipas Ligjit për Mbrojtje dhe Shpëtim, duke lejuar që diskoteka “Pulse” të vazhdojë të funksionojë në mënyrë të paligjshme, në kundërshtim me ligjin për veprimtari hotelierike.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, komuna ka pranuar pagesa mbi bazën e kompensimit për objektin hotelierik.

“Më 16 mars 2025, një nga të dyshuarit, person përgjegjës në klub, ka organizuar gojarisht një koncert – performancë pa një kontratë të nënshkruar zyrtarisht me grupin muzikor DNK dhe, së bashku me menaxherët e dyshuar dhe pjesëtarët e dyshuar të agjencisë së sigurisë, duke qenë të vetëdijshëm se kapaciteti dhe kushtet e objektit nuk e lejonin këtë, kanë mundësuar hyrjen e rreth 650 vizitorëve, mes të cilëve kishte të paktën 31 fëmijë.

Një nga të dyshuarit ka shitur bileta pa marrë parasysh numrin dhe moshën e vizitorëve që lejohej të merrnin pjesë, duke mundësuar hyrjen dhe praninë e të miturve në ngjarje”, deklaroi prokurori i shtetit Kocevski.

 

 

Të fundit