Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, Svetozar Antoviq, dhe udhëheqësi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aleksandar Stankov, njoftuan se pas tragjedisë në Koçan janë kryer 59 autopsi dhe identifikime të të vdekurve brenda një kohe të shkurtër, transmeton KDP.MK. Sipas tyre, të gjitha viktimat kanë humbur jetën si pasojë e asfiksionit.
“Të gjitha viktimat u zbuluan se kishin vdekur nga asfiksia e dhunshme, e shkaktuar drejtpërdrejt nga zjarri. Pritet që të gjitha raportet e autopsisë të përfundojnë deri në fund të marsit. Veshjet dhe të gjitha sendet e gjetura tek të vdekurit ndodhen në Institutin dhe do t’i kalojnë Prokurorisë”, u tha në konferencën për media.
Çka është asfiksioni?
Asfiksioni është një gjendje mjekësore kritike që ndodh kur trupi nuk merr mjaftueshëm oksigjen për të mbajtur funksionet e tij normale. Kjo mund të ndodhë për shkak të bllokimit të rrugëve të ajrit, ndotjes së ajrit, problemeve me mushkëritë ose shkaktohet nga faktorë të tjerë që pengojnë furnizimin me oksigjen. Simptomat përfshijnë vështirësi në frymëmarrje, ndjenjë mungese ajri dhe në rastet më ekstreme mund të çojnë në humbje të ndjeshmërisë ose madje vdekje.
Mjekët sqaruan se janë formuar gjashtë grupe, të përbëra nga ekspertë të mjekësisë ligjore, patologë dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme.
Sipas Stankov, pas marrjes së informacionit për zjarrin, punonjësit e Institutit të Mjekësisë Ligjore arritën në vendet e tyre të punës për vetëm një orë, duke hartuar menjëherë një plan për veprimet e duhura.
“Qëllimi ishte përfundimi i shpejtë dhe cilësor i autopsive që filluan në mbrëmjen e 16 marsit dhe përfunduan në mëngjesin e 18 marsit, si dhe për të siguruar identifikim të saktë”, përfundoi Stankov.