E shtunë, 19 Prill, 2025

SINODI SI JEHONË E REGJIMIT

Shkruan: Vladimir Veljkoviq

Të gjitha protestat studentore të mbajtura gjatë muajve të fundit, të cilat kanë gëzuar mbështetje të gjerë shoqërore dhe kanë nxjerrë dhjetëra mijëra qytetarë të Serbisë në rrugë, kanë kaluar qetësisht. Megjithatë, regjimi i Vuçiqit përpiqet me ngulm t’u atribuojë atyre një karakter potencialisht të dhunshëm. Sepse në Serbi është në zhvillim e sipër një “revolucion laraman”, tha së fundmi uzurpatori vendas Vuçiq.

Kështu, në prag të 15 marsit, kur ishte planifikuar mbajtja e një tubimi të madh në Beograd, mediat nën kontrollin e regjimit njoftuan: “Formacione paraushtarake po përgatisin një grusht shteti” (Politika). Më tej, po të njëjtat gazeta, dikur të respektuara, shkruajnë se “policia në hyrjet e kryeqytetit ka konfiskuar sasi të mëdha thikash, shufrash, sëpatash”. Pastaj: “Gjashtë terroristë të arrestuar” (Informer); “Huliganë të tërbuar po shkaktojnë kaos pranë Parkut të Pionierëve” (Alo) – dhe gjithçka në të njëjtin frymë.

Për publikun me pretendime intelektuale, Politika publikoi një intervistë të gjatë me Aleksandar Duginin, ideologun e Rusisë luftënxitëse të Putinit: “Një revolucion i ri me ngjyra do të çonte në shpërbërjen e Serbisë.” Ndërsa revolucioni i parë “me ngjyra”, imagjinoni, ndodhi më 5 tetor 2000, kur qytetarët e Serbisë mbrojtën fitoren e zgjedhjeve të 24 shtatorit të po atij viti.

Për Duginin, çdo regjim jodemokratik është i denjë për vëmendje dhe mbështetje: “Absolutisht nuk më çudit që protestat po mbahen edhe në Hungari, Sllovaki dhe Gjeorgji, vende që ruajnë sovranitetin e tyre”, pra në shtete ku regjimet minojnë me zell demokracinë zgjedhore, duke marrë si model Rusinë.

Kontribut në fushatën e regjimit dha në mënyrën e vet edhe Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe: “Dëgjojmë zëra për përplasje të mundshme në popullin tonë dhe kjo na shqetëson shumë”, duke shtuar që secili të bëjë gjithçka që është në dorën e tij për të ruajtur paqen dhe që “dhuna të refuzohet”. Zërat që dëgjon Sinodi përhapen përmes tabloideve të regjimit dhe askujt tjetër nuk i shkon mendja që do të ndodhë diçka ndryshe nga ajo që kemi parë deri më tani – një tjetër protestë madhështore e rinisë dhe qytetarëve serbë kundër një regjimi të papërgjegjshëm dhe prapambetur.

Deklarata është përforcuar, siç i ka hije, me citimin e fjalëve nga Shkrimi i Shenjtë: “Siç doni që njerëzit t’ju bëjnë juve, bëjuni edhe ju atyre” (Lk 6, 31). Pra, si duam që njerëzit të sillen ndaj nesh dhe si duhet të sillemi ne ndaj tyre në bazë të kësaj? Duam që të mos na dezinformojnë, të mos na përcjellin lajme të rreme dhe të mos përhapin panik në lidhje me shpërthimin e përplasjeve.

Patriarku dhe Sinodi reagojnë në të njëjtën mënyrë si më parë. Në vitin 2021, kur Vuçiq dërgoi banditë kundër qytetarëve që protestonin kundër Rio Tintos, patriarku edhe atëherë bënte thirrje për paqe. Të njëjtën gjë po bën edhe tani, kur vetëm njëra palë flet për përplasje, grusht shteti dhe nxit dhunën – duke pasur parasysh që për gjëra të tilla, radikalët gjithmonë kanë qenë kompetentë. / Pescanik.net

 

 

Të fundit