E shtunë, 19 Prill, 2025

A DUHET QË QEVERITË VËRTET TË PËRDORIN INTELIGJENCËN ARTIFICIALE PËR TË RIFORMUAR SHTETIN?

Zbulimi i revistës “New Scientist” se një ministër britanik po kërkon këshilla nga ChatGPT ngre pyetjen se çfarë roli duhet të kenë këto mjete të reja të inteligjencës artificiale në qeverisje – dhe nëse duhet vërtet t’i mendojmë ato si inteligjente.

Çfarë është inteligjenca artificiale? Kjo është një pyetje që shkencëtarët po e shqyrtojnë që nga lindja e kompjuterëve në vitet 1950, kur Alan Turing pyeti: “A mund të mendojnë makinat?” Tani që modelet e mëdha të gjuhës (LLM) si ChatGPT janë përhapur në mbarë botën, gjetja e një përgjigjeje është bërë më urgjente se kurrë.

Ndërsa përdorimi i tyre tashmë është përhapur gjerësisht, normat sociale rreth këtyre mjeteve të reja të AI-së po evoluojnë me shpejtësi. A duhet që studentët t’i përdorin për të shkruar ese? A do ta zëvendësojnë terapistin tuaj? Dhe, a mund të japin ato një shtysë të re për qeverinë?

“New Scientist” ka përdorur ligjet për lirinë e informimit për të siguruar të dhënat e përdorimit të ChatGPT nga Peter Kyle, sekretari britanik për shkencën, inovacionin dhe teknologjinë – në atë që besohet të jetë një përdorim i parë në botë i kësaj legjislacioni për një rast të tillë.

Kjo pyetje e fundit po shtrohet si në SHBA, ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Nën administratën e re Trump, task-forca e quajtur “Department of Government Efficiency” (DOGE) e Elon Musk po eliminon nëpunësit federalë dhe po vendos një chatbot të quajtur GSAi për ata që mbeten. Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer e ka quajtur AI-në një “mundësi të artë” që mund të ndihmojë në riformësimin e shtetit.

Pa dyshim, ka punë qeveritare që mund të përfitojnë nga automatizimi, por a janë modelet LLM mjeti i duhur për këtë punë? Pjesë e problemit është se ende nuk kemi rënë dakord se çfarë janë ato në të vërtetë. Kjo u demonstrua qartë këtë javë, kur “New Scientist” përdori ligjet për lirinë e informimit (FOI) për të marrë të dhënat e ndërveprimeve të Peter Kyle me ChatGPT. Politikanët, ekspertët e privatësisë së të dhënave dhe gazetarët – përfshirë ne – u tronditën që kjo kërkesë u pranua, duke marrë parasysh që kërkesa të ngjashme për historikun e kërkimeve në Google të një ministri, për shembull, zakonisht do të refuzoheshin.

Fakti që këto të dhëna u publikuan sugjeron se qeveria britanike e sheh përdorimin e ChatGPT më shumë si një bisedë ministrore me nëpunësit civilë përmes emailit ose WhatsApp-it, të cilat të dyja janë subjekt i ligjeve për lirinë e informimit. Ndërveprimet e Kyle me ChatGPT nuk tregojnë ndonjë mbështetje të fortë tek AI për formësimin e politikave serioze – një nga pyetjet e tij kishte të bënte me sugjerimin e podkasteve ku mund të shfaqej. Megjithatë, fakti që kërkesa FOI u pranua sugjeron se disa në qeveri duket se besojnë që me AI mund të bisedohet si me një njeri, gjë që është shqetësuese.

Siç ka raportuar gjerësisht “New Scientist”, modelet aktuale LLM nuk janë inteligjente në asnjë kuptim domethënës dhe janë po aq të prirura të prodhojnë pasaktësi bindëse sa edhe të ofrojnë këshilla të dobishme. Për më tepër, përgjigjet e tyre pasqyrojnë gjithashtu paragjykimet e natyrshme të informacionit që kanë përthithur.

Në të vërtetë, shumë shkencëtarë të AI-së janë gjithnjë e më shumë të mendimit se modelet LLM nuk janë rruga drejt qëllimit të lartë të inteligjencës artificiale të përgjithshme (AGI), e aftë për të barazuar ose tejkaluar çdo gjë që mund të bëjë një njeri – një makinë që mund të mendojë, siç do ta kishte thënë Turing. Për shembull, në një sondazh të fundit me studiues të AI-së, rreth 76 për qind e të anketuarve thanë se ishte “e pamundur” ose “shumë e pamundur” që qasjet aktuale të kenë sukses në arritjen e AGI-së.

Ndoshta, në vend që të shohim këto AI si qenie inteligjente, duhet t’i mendojmë si një lloj të ri teknologjie kulturore dhe sociale, që u mundëson njerëzve të përfitojnë nga informacioni që kanë grumbulluar njerëz të tjerë, shkruan një ekip studiuesish në revistën “Science” këtë javë. Ata i krahasojnë modelet LLM me “teknologji të mëparshme si shkrimi, shtypi, tregjet, burokracitë dhe demokracitë përfaqësuese” që kanë transformuar mënyrën se si ne qasemi dhe përpunojmë informacionin.

Nëse e kornizojmë kështu, përgjigjet për shumë pyetje bëhen më të qarta. A mund të përdorin qeveritë LLM-të për të rritur efikasitetin? Pothuajse me siguri, por vetëm kur përdoren nga njerëz që kuptojnë pikat e tyre të forta dhe kufizimet. A duhet që ndërveprimet me chatbot-ët të jenë subjekt i ligjeve për lirinë e informimit? Ndoshta, por përjashtimet ekzistuese të krijuara për t’u dhënë ministrave një “hapësirë të sigurt” për diskutime të brendshme duhet të zbatohen. Dhe a mund të mendojnë makinat, siç pyeti Turing? Jo. Të paktën, jo deri tash.

 

 

Të fundit