E shtunë, 25 Janar, 2025

ARTAN GRUBI DHE ENVER BEXHETI NË “LISTËN E ZEZË” AMERIKANE

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit dhe në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut, SHBA ndërmorën veprime të mëtejshme për të promovuar përgjegjësinë ndaj autorëve të korrupsionit dhe abuzimeve me të drejtat e njeriut në mbarë botën, njofton Zëri i Amerikës, përcjell KDP.

Nga Maqedonia e Veriut, këta ishin Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër, dhe Enver Bexheti, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Nenit 7031(c), Departamenti i Shtetit shpall publikisht Artan Grubin dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion të rëndësishëm përmes pranimit të ryshfeteve për të minuar proceset gjyqësore që lidhen me dënimin penal të Sasho Mijallkovit, drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (UBK). Mijallkovi u shpall në vitin 2022 për korrupsion të rëndësishëm sipas Nenit 7031(c), ndërsa OFAC e sanksionoi atë në bazë të Urdhrit Ekzekutiv 14033. Si pjesë e këtij veprimi, janë shpallur gjithashtu anëtarët e ngushtë të familjes së Grubit.

Ambasadorja e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Angela Aggeler, thotë se me futjen në “listën e zezë” të Artan Grubit nga BDI dhe gjyqtarit Enver Bexheti, konfirmohet angazhimi që askush nuk është mbi ligjin.

„Shënimi i sotëm i Artan Grubit dhe Enver Bexhetit është dëshmi se ndërhyrja politike në gjyqësor nuk mundet – dhe nuk do të tolerohet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të shënojnë ata që angazhohen në korrupsion të rëndësishëm, që minon institucionet demokratike dhe gërryen besimin e publikut. Askush nuk është mbi ligjin, dhe llogaridhënia është thelbësore për përparimin.“, shkroi Ambasadorja Aggeler.

Gjithashtu, në përvjetorin e shpalljes së Presidentit Biden të Proklamatës Presidenciale 10685, Departamenti ka ndërmarrë veprime në bazë të kësaj kompetence për të kufizuar vizat për individët që kanë mundësuar, lehtësuar ose në mënyrë tjetër kanë qenë të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm dhe për anëtarët e familjeve të tyre të ngushta.

Në të njëjtën kohë, SHBA, në koordinim të ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar, sanksionuan nëntë individë dhe 19 entitete që përbëjnë një rrjet global korrupsioni me bazë në Zimbabve në kuadër të programit të sanksioneve Global Magnitsky, si dhe tre individë dhe entitete në Jemen dhe Siri të lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut sipas programit të sanksioneve Global Magnitsky dhe programit të sanksioneve për Sirinë.

 

Të fundit