Nga Dritan Hila
E gjithë përpjekja për të gjetur arsyen e humbjes së Kamala Harris, mund të përmblidhen vetëm në një: Gërryerja e zorrëve të barkut të miletit dhe shurdhëria e veshëve të shtetit për ta dëgjuar atë.
Gjithë arsyet e tjera janë sekondare: Emigrantët, LGBTQ-të, proceset e Trump-it, të gjitha do të ishin falur nëse do të ecte mirë ekonomia. Njerëzit janë pragmatistë dhe nëse ekonomia do të ecte mbroth, askujt nuk do t’i prishej gjumi pse Trump-i shkonte në burg, çfarë bën dikush me bythën e vet apo sa meksikanë kanë kapërcyer gardhin në El Paso. Dhe pastaj kur kërcasin zorrët dhe veshët e qeverisë janë shurdh, plas revolta dhe nuk do t’ia dish se kush vjen pas. Madje arroganca e qeverisësve ka shpërthyer revolucionet më të njohura në histori: Ai amerikan për shkak se britanikët vendosën një takse për çajin dhe u treguar intransigjentë me kërkesën për rishikimin e saj, duke e çuar Bostonin në revoltë megjithëse në ato kohë ishte qyteti më i pasur i perandorisë e me bibliotekën më të madhe. Kur plasi revolucioni francez, Parisi ishte qyteti më i ndritur i botës, por arroganca e Mari Antuanetës çoi tek armët. San Peterburgu ishte qyteti më i pasur i Rusisë dhe rusët kurrë nuk kishin qenë më mirë dhe me më shumë liri se në vitin 1917, por mospërfillja e carit dhe careshës, vaniteti i tyre, thashethemet për një prift që drejtonte nga krevatet e konteshave vendin, çoi në revolucionin e tetorit.
Demokratët amerikanë jo vetëm që ishin të çorientuar, por tashmë janë një kastë hermetike. Kamala mund edhe mos kishte humbur nëse Biden nuk do kishte ligësinë ta tirrte deri në limite dorëheqjen, nëse do kishte një garë në primare, nëse do kishin caktuar objektiva dhe qenë më veshhapur me elektoratin, nëse…nëse….nëse do ishin më empatikë me njerëzit. Nuk ia del dot zhurma e propagandës të mbulojë kërcitjen e zorrëve.