E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

ANIJA ME MBETJE TË DYSHUARA TOKSIKE ANKOROHET NË DURRËS, KU DO T’I KONTROLLOHET PËRMBAJTJA

Një anije, e cila dyshohet se bart një sasi të madhe të mbetjeve të rrezikshme, u ankorua të premten në portin kryesor të Shqipërisë, ku prokurorët kanë urdhëruar që përmbajtja e saj të kontrollohet dhe testohet.

Anija me flamur turk, Moliva XA443A, ishte mbajtur në një liman rreth 1.5 kilometra larg portit të Durrësit, derisa autoritetet e gjetën një hapësirë në port për vendosjen e kontejnerëve të saj, thanë zyrtarët e portit dhe zyra e prokurorit.

Kontejnerët pritet të dërgohen në një agjenci në Porto Romano, rreth 6 kilometra larg.

Para 10 ditëve, prokurorët urdhëruan që kontejnerët të konfiskoheshin dhe të ruheshin “në një vend të sigurt” për monitorim.

Zyra e prokurorit u ka kërkuar institucioneve të ndryshme të kryejnë teste të ndryshme laboratike për materialin që përmbajnë kontejnerët.

Dyshimet për mbetje të rrezikshme në këtë anije, e cila u nis nga Shqipëria drejt Tajlandës, ngriti fillimisht Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN). Jim Puckett, kreu i BAN-it, tha për gazetarët në Durrës më 28 tetor se në anije janë “2.102 tonë mbetje të rrezikshme”.

“Ka pasur shumë deklarata kontroverse për këtë dërgesë. Disa thonë që nuk ka mbetje të rrezikshme, ndërsa ne themi që jemi 95 për qind të sigurt që janë”, tha Puckett.

Këto mbetje, që konsiderohen të rrezikshme, besohet se janë krijuar gjatë proceseve teknologjike nga aktiviteti i kompanisë turke ‘Kurum International’, në zonën e ish-kombinatit metalurgjik në Elbasan.

Më 21 gusht, Prokuroria e Durrësit, bashkë me Zyrën Evropiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF), i filluan hetimet.

Qeveria e Shqipërisë ka thënë disa herë se lajmet për “transportim të mbetjeve të rrezikshme” janë vetëm “aludime”.

Vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati thënë se nga Shqipëria nuk janë transportuar mbetje të rrezikshme në Tajlandë apo Kinë.

“Në të dyja rastet e përfolura të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane përmes linjave ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë, dhe nuk janë bërë objekte kontrollesh në vendet e Bashkimit Evropian, ku janë ndaluar dhe janë magazinuar përkohësisht, por janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre”, tha Qeveria shqiptare në shtator.

Ajo pretendoi se operatorët ekonomikë në Shqipëri dhe Kosovë janë përgjegjëse për kontejnerët, pa përmendur specifikisht dikë me emër.

Opozita, në anën tjetër, pretendon se kompania “Kurum International” ka shkelur ligjin për mënyrën e përpunimit të mbetjeve të rrezikshme që prodhon, ndërkohë që kompania “Sokolaj” ka shkelur ligjin, lidhur me transportin e mbetjeve toksike të rrezikshme./REL

Të fundit