E shtunë, 12 Korrik, 2025

E VËRTETA TINGËLLON NJËSOJ NË ÇDO GJUHË

Jo rastësisht veprat e tij, ku flet për shtypjen serbe në Kosovë dhe ideologjinë e çmendur të Millosheviqit, janë përkthyer dhe promovuar edhe në gjuhën serbe. E vërteta tingëllon njësoj në çdo gjuhë.

Shkruan: Xhelal Neziri

Gazetarët flasin një gjuhë të njëjtë, pa marrë parasysh vendin ku jetojnë. Flasin me gjuhën e fakteve, pasqyrojnë realitetin objektiv, gjurmojnë të vërtetën dhe e urrejnë propagandën. Është pikërisht propaganda e kokave të sëmura të politikës ajo që nxiti luftërat në rajon, të cilat morën jetën e qindra mijëra njerëzve dhe lanë pas qytete të shkaktuara.

Pikërisht në këtë periudhë gazetari dhe shkrimtari Fahri Musliu ka jetuar dhe punuar si gazetar në Beograd. Ka jetuar në kohë kur raportimi i të vërtetës ka qenë revolucion, por njëkohësisht ka sjellë edhe pasoja. Libri DITARI I NJË GAZETARI SHQIPTAR NË BEOGRAD sjell pikërisht këtë realitet të errët  të makinerisë propagandistike të regjimit të Millosheviqit. Shënimet e mbajtura dhe raportimet për ZËRIN E AMERIKËS në periudhën e luftës në Kosovë Janar-Qershor 1999 pasqyrojnë realitetin siç ishte dhe e shpalosin të vërtetën e pacensuruar nga komisionet e regjimit . Në tërë këtë çmenduri, kur regjimi i Millosheviqit ndëshkonte çdo gazetar që guxonte të flasë të vërtetën, Fahri Musliu megjithatë kishte bashkëbisedues në Beograd me të cilin e flisnin gjuhën e njëjtë, pra atë të gazetarisë, të së vërtetës dhe të humanizmit.

Është shumë e gjatë lista e mediave shqipe, ish-jugosllave, evropiane e botërore për të cilat ka shkruar apo në të cilat është paraqitur me qëndrimet e tij Fahri Musli. Të gjitha këto i ka përmbledhur në veprën KOSOVA – NYJË E (PA) ZGJIDHUR (1 dhe 2) ku e karakterizon një konstantë, një trajektore që tërhiqet gjatë gjithë karrierës së tij: ai nuk lëviz nga qëndrimi se PRANIMI I KOSOVËS SI SHTET I PAVARUR NUK ËSHTË VETËM NË INTERES TË SHQIPTARËVE, POR EDHE I SERBISË. Këtë tezë ai e ka promovuar në mediat e Beogradit edhe në kohën kur Millosheviqi kishte injektuar një dozë të paparë të urrejtjes ndaj Kosovës, ndaj shqiptarëve, nga e cila politika serbe nuk mund të çlirohet edhe në ditët e sotme.

Veprat e Fahri Musliut janë dokumentim i historisë më të re të shqiptarëve. Kjo më shumë shihet në veprën PROCESET E KURDISURA KUNDËR SHQIPTARËVE TË KOSOVËS, ku dolumenton terrorin shtetëror serb nëpërmjet informatave për proceset gjyqësore individuale dhe grupore kundër shqiptarëve, të zhvilluara në gjykatat e Serbisë. Edhe në këtë aspekt ai gjen njerëz që kanë të shenjtë jetën e çdo njeriu , të vërtetën, të cilët u angazhuan për mbrojtjen e shqiptarëve nga këto procese, si Natasha Kandiq, Sonja Biserko dhe një listë e gjatë e luftëtarëve për të drejtat e njeriut.

Shqiptar në Beograd ishte edhe Bekim Fehmiu, një aktor që preku majat e kinematografisë botërore. Pas luftërave ai u la padrejtësisht në harresë edhe në Beograd, edhe në Prishtinë. I lindur në Pejë, me fëmijëri të kaluar në Prizren, ai u bë i famshëm në vitin 1966 me filmin “Mbledhësit e puplave” dhe më pas pasuroi karrierën me filma si “Aventurieri”, “Të kuqtë dhe të zinjtë”, “Odiseu” dhe “Përgjithmonë Julia”, duke interpretuar në disa gjuhë dhe përkrah artistëve më të mëdhenj të kohës.

Është pikërisht Fahri Musliu që me monografinë e botuar na sjell madhështinë e aktorit të harruar padrejtësisht.

Duke e njohur edhe personalisht, ai na sjell aktorin me të gjitha vlerat që posedonte, e që shkonin përtej artit. Aty e gjejmë Bekimin si një figurë komplekse, një erudit, një poliglot, një aktor i formatit ndërkombëtar, një artist shumë i madh dhe me famë botërore.

E tërë veprimtaria e tij, në fakt, na çon përtej çdo paragjykimi. Ajo then çdo realitet të konstruktuar për t’u shërbyer ideologjive destruktive dhe na jap më shumë nuanca midis të bardhës dhe të zezës. Jo rastësisht veprat e tij ku flet për shtypjen serbe në Kosovë dhe ideologjinë e çmendur të Millosheviqit janë përkthyer dhe promovuar edhe në gjuhën serbe. E vërteta tingëllon njësoj në çdo gjuhë.

(Fjala e mbajtur në promovimin e opusit krijues të publicistit Fahri Musliu)

 

Të fundit