E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

NË UEJL U PROMOVUAN LIBRAT E PUBLICISTIT FAHRI MUSLIU

Në mjediset e bibliotekës së Universitetit të Evropës Juglindore u promovuan librat e publicistit dhe gazetarit nga Kosova, Fahri Musliu. Midis tyre edhe “Masakra e Suharekës”, “Ditari i gazetarit shqiptar në Begorad”, “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës”, si dhe libri “Mes frikës dhe shpresës – Ditar në kohën e P(l)andemisë Covid – 19”. Rektori i UEJL-së, akademik Abdylmenaf Bexheti me këtë rast thekosi se “gjeneratat e reja, që janë rritur pas çlirimit të Kosovës, nuk e kanë idenë e periudhave sfiduese dhe përndjekjeve që përmbajnë vepra e Musliut”. Për veprat e Musliut folën edhe: komunikologu Demush Bajrami, analisti dhe gazetari investigativ Xhelal Neziri, si dhe kulturologu Bardhyl Zaimi.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Në hapje të eventit, gazetari dhe moderatori i kësaj ngjarje, Seladin Xhezairi lexoi një fragment nga “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd”. Në këtë ditar, Musliu përshkruan përjetimet e tij gjatë vitit 1999.

Seladin Xhezairi, gazetar.

Ai shënon: “E mërkurë, 26 maj 1999, ka tri ditë që po bëj gjumë të rehatuar, ndonëse vazhdoj të zgjohem shumë herët. Duke pirë kafen e mëngjesit, e shfletoj shtypin e ditës dhe i përcjell lajmet nga mediat elektronike. Duket se edhe unë, dhe të gjithë në këto hapësira jemi shndëruar në sy e veshë, në pritje të vendimit për fundin e luftës. Njoftohet prap për goditje të shumta të objekteve në Serbi, por edhe në Kosovë. Më shumë e ka pësuar burgu i Dubravës, ku, sipas burimeve zyrtare, janë vrarë mbi 100 shqiptarë të burgosur”.

Musliu vazhdon përjetimin e tij, duke përmendur një bisedë me të afërmen e tij në Amerikë, Shpresën: “Ja urova lindjen e vajzës, dhe me shaka i themë: Po pse nuk prite edhe dy ditë për të mbëritur gazmendi atje…”

Ai përmend edhe një intervistë për televizionin amerikan ABC.

“Fola për shqiptarët në Beograd. Është për çudi se gazetarët e huaj janë mjaftë të interesuar për këtë temë. Nuk e di nëse do të kemë ndonjë pasojë nga kjo intervistë dhe çfarë do të jenë reagimet e regjimit. Që nga fillimi i luftës, për herë të parë më telefonoj nga Tirana, Florian Nova, i ngaruar me punë në ambasadën e Shqipërisë në Beograd. Më gëzon telefonata e tij se nuk dihet se çka po ndodhë pas asaj alo-je, dy ditë pas fillimit të bombardimeve”, shënon ai në ditar, duke treguar qartë tensionin dhe pasigurinë e asaj kohe të vështirë.

Aklademik Bexheti: Veprat e Musliut  një pasuri historike për gjeneratat e reja

Fjalë rasti mbi opusin e veprave të Musliut pati edhe Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), akademiku Abdylmenaf Bexheti, i cili theksoi rëndësinë e këtyre veprave edhe për brezin e ri:

Akademik Abdylmenaf Bexheti, rektor i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL).

“Gjeneratat e reja, që janë rritur pas çlirimit të Kosovës, nuk e kanë idenë e periudhave sfiduese dhe përndjekjeve që përmbajnë këto vepra. Përmes këtyre librave, ata mund të njohin sakrificat dhe historinë e vërtetë të vendit,” tha ai duke kujtuar përvojat e veta si student në Universitetin e Prishtinës në vitet ’80, si dhe duke vënë theksin te nevoja për të ruajtur kujtesën historike.

“Ne si shoqëri lexojmë pak dhe harrojmë shpejt,” shtoi Bexheti. Sipas tij, puna dokumentuese e Musliut ka peshë në mbledhjen e fakteve në historinë kombëtare.

“Çdo gjë ishin në gjendje të na lejojnë, por të shkruajmë dhe të publikojmë, jo, ky është realiteti””, përfundoi Bexheti.

Bajrami: Gazetaria në udhëkryqin e detyrës etike dhe sigurisë personale

Komunikologu Demush Bajrami në cilësinë e recensentit, vlerësoi librin “Ditari i gazetarit shqiptar në Begorad”, si një pasqyrim të sfidave të të qenit gazetar “në kushte të rrezikshme”.

Dekani i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit në UEJL, Demush Bajrami.

“Të jesh gazetar dhe publicist në një shtet që të klasifikon si armik dhe ushtron gjenocid ndaj popullit tënd të vë në një pozicion jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe moralish sfidues. Ky është një rol që e vendos gazetarin në udhëkryqin e detyrës etike, sigurisë personale dhe përgjegjësisë kolektive, duke bartur rreziqe të qenësishme si censura, burgosja, tortura apo edhe vdekja”.

Ai shtoi se ky është një rol që vendos gazetarin në udhëkryqin mes detyrës etike, sigurisë personale dhe përgjegjësisë kolektive, duke u përballur me rreziqe të larta si censura, burgosja, tortura, apo edhe vdekja.

“Megjithatë, për ata që zgjedhin këtë rrugë nga nevoja për të dokumentuar mizoritë, për të informuar komunitetin global dhe për të ruajtur të vërtetën historike, shpesh tejkalojnë rrezikun dërrmues. Një shembull i tillë është fati i gazetarit dhe publicistit shqiptar në Beograd, Fahri Musliu,” tha Bajrami.

Neziri: Vepra të rëndësishme si dokumentim i historisë së re të shqiptarëve

Ndërkaq, analisti dhe gazetari Xhelal Neziri vlerësoi veprat e Musliut si dokumentim të historisë më të re të shqiptarëve, veçanërisht në librin “Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës”, ku autori përshkruan “terrorin shtetëror serb përmes detajeve për proceset gjyqësore kundër shqiptarëve në Serbi”.

Xhelal Neziri, gazetar dhe analist politik.

“Veprat e Fahri Musliut janë dokumentim i historisë më të re të shqiptarëve. Kjo më shumë shihet në veprën PROCESET E KURDISURA KUNDËR SHQIPTARËVE TË KOSOVËS, ku dolumenton terrorin shtetëror serb nëpërmjet informatave për proceset gjyqësore individuale dhe grupore kundër shqiptarëve, të zhvilluara në gjykatat e Serbisë. Edhe në këtë aspekt ai gjen njerëz që kanë të shenjtë jetën e çdo njeriu , të vërtetën, të cilët u angazhuan për mbrojtjen e shqiptarëve nga këto procese, si Natasha Kandiq, Sonja Biserko dhe një listë e gjatë e luftëtarëve për të drejtat e njeriut”, tha Neziri.

Zaimi: Monografia për Bekim Fehmiun, vepër që “trondit”

Publicisti dhe kulturologu Bardhyl Zaimi, në fjalën e tij, u ndal tek monografia “Bekim Fehmiu-Odiseu i Kosovës”. Duke vlerësuar përmbajtjen dhe strukturën e veprës, ai e krahasoi atë me mjeshtërit e mëdhenj të monografisë si Stefan Zweig.

Bardhyl Zaimi, publicist.

“Përtej definimeve teorike, sa herë që puna e do të flasim për monografi, mendja më shkon te Stefan Cfajgu, ky mjeshtër i monografive letrare, sidomos tek monografia e tij mbi shkrimtarin francez Honore de Balzak. Një monografi që të trondit, një jetëshkrim letrar që tejkalon definimet, konceptet dhe rregullat e ngurta. Njësoj të trondit edhe monografia “Bekim Fehmiu-Odiseu i Kosovës”, e gazetarit dhe publicistit, Fahri Musliu, me gjerësinë e faktografisë që sjellë, për gjithë ato shkrime të pafundme të mediave të ndryshme të rajonit dhe atyre ndërkombëtare mbi aktorin e përmasave ndërkombëtare, shqiptarin, që në asnjë rast nuk hezitonte ta theksojë përkatësinë e tij, në çdo vend, në çdo paraqitje të tij”, tha Zaimi.

Në përfundim, autori Fahri Musliu shpjegoi arsyet e orientimit të tij drejt ktyre veprave.

Fahri Musliu.

“Shkaku pse jam orientuar në këto vepra, pikërisht është e vërteta, janë ngjarjet e shumta, për të cilat ne shqiptarët gjithmonë jemi të prirur t’i eksazgjerojmë tej mase, apo t’i harrojmë në tërësi. Dhe gjithmonë flasim, thuajse dimë gjithçka.

Po e përmend një rast.

Gjatë vitit ’88, në Beograd, në një ndejë diku, diskutonim për situatën në Kosovë, mes tjerëve aty ishte edhe një avokat me prejardhje nga Prishtina. Në një moment u hap çështja e Rankoviqit në Kosovë, dhe unë po flisja në bazë të asaj që kam lexuar dhe dëgjuar. Dëgjuan të gjithë, por avokati më tha: ‘Fahri, më fal, edhe unë i di këto, por a ke të shkruar diçka? Nëse ma gjen një libër, do të të falenderohem!’ Ky ishte momenti vendimtar. Unë kam filluar të marrë shënime, të zbuloj të vërtetën, me nuansa e cila dhemb, mirëpo edhe të shpëton”, tha ai, duke theksuar se këto libra “kanë vlerë dokumentare dhe historike,” por siç tha, “nuk kanë marrë mbështetje nga institucionet e Kosovës.”

“Asnjë nga këto libra nuk është financuar nga Qeveria e Kosovës apo ministria e Kulturës; tri libra janë mbështetur vetëm nga sponsorizime private, madje as filmi i Bekim Fehmiut, që për mua është tragjedi”, theksoi Musliu, duke shtuar se “librat nuk janë shkruar për përfitime personale, por për të lënë gjurmë për të nesërmen.”

“Bie fjala për masakrën e Suharekës, ngjarje gjyqësore që e kam përcjell 94 ditë. Kam shfletuar dhe përpunuar 9,500 faqe material. E kam reduktuar, në 1,000 faqe dhe e kam përkthyer në shqip. Libri u bota edhe në serbisht, i financuar nga institucione jo shtetore serbe, por të tjera në Beograd. Në Kosovë, jo“.

Ai gjithashtu foli për librin e tij “Proceset e Kurdisura” ku dokumenton të gjitha gjykimet që janë mbajtur në Serbi nga viti 1999 deri në 2001, për rreth dy mijë shqiptarë të transferuar nga Kosova, në Serbi.

“Askush nuk e dinte se ku ishin ata, deri në gushtin e atij viti, kur Natasha Kandiq më informoi se Kryqi i Kuq kishte zbuluar se një numër të madh shqiptarësh që ishin transferuar në Serbi”.

Mbi Autorin

Fahri Musliu u lind më 20 korrik 1948 në fshatin Zapluzhje të komunës së Dragashit të Kosovës.

Shkollën e mesme e kreu në Prizren, ndërsa Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.

Punën e gazetarit e ka filluar në mars të vitit 1968, kur ka filluar punën  në Rilindje si korrespondent nga Dragashi.

Krahas gazetave dhe mediave elektronike në gjuhën shqipe ka shkruar edhe për gazetat Borba, Naša Borba, Vjesnik, Danas… Ka qenë korrespondent i Zërit të Amerikës, BBC, RTK…

Musliu ka qenë fitues i çmimit vjetor për gazetarin më të mirë të Rilindës për vitin 1987.

 

Të fundit