Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) fton të gjithë novatorët e rinj të aplikojnë për edicionin e 3-të të Çmimit Rajonal “Butterfly Innovation”, duke kërkuar zgjidhje të orientuara mbi nevojat e tregut të Ballkanit Perëndimor, transmeton KDP.MK. Fondi total i Çmimit është 30,000 EUR, për zgjidhjen më të mirë në secilën nga gjashtë kategoritë, që merr një çmim prej 5,000 EUR.
Përgatiti: Enis Shaqiri
Ashtu si vitet e mëparshme, novatorët mund të aplikojnë për deri në dy nga gjashtë kategoritë:
- Inovacioni i Industrisë (automobilistikë, industri përpunuese e metaleve, industri kreative, agroushqim, ekonomi e gjelbër dhe qarkulluese, turizëm, FinTech, EdTech, BioTech, HealthTech, etj.);
- Inovacioni i Gjelbër (aksioni për klimën, energjinë e qëndrueshme, lëvizshmërinë dhe bujqësinë, lufta kundër ndotjes, mbrojtja e natyrës dhe biodiversitetit, etj.);
- Inovacioni STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë);
- Inovacioni i të rinjve (për të promovuar studentë të universitetit ose të shkollave të mesme);
- Inovacioni Universitar (për të promovuar kulturën e sipërmarrjes në universitete);
- Inovacioni i grave (për të promovuar gra novatore dhe sipërmarrëse).
RCC sqaron se aplikantët duhet të jenë individë ose ekipe ku shumica e anëtarëve janë nën moshën 35 vjeç, hyrjet duhet të përshtaten brenda një prej kategorive zyrtare të çmimeve kurse zgjidhjet inovative duhet të demonstrojnë një ndikim të prekshëm brenda Ballkanit Perëndimor.
Procesi i aplikimit është i hapur nga sot, e premte, deri më 10 tetor 2024. Fituesit e Çmimit “Butterfly Innovation” do të shpallen në nëntor 2024.
Çmimi Rajonal “Butterfly Innovation” financohet nga Bashkimi Europian dhe implementohet nga RCC dhe është pjesë e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor.