E diel, 7 Korrik, 2024

MICKOSKI NË SHQIPËRI PËR T’I KTHYER NË IDENTITET MAQEDONASIT ETNIK, AKUZON BULLGARINË PËR ASIMILIM

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se së shpejti do t’i vizitojë maqedonasit etnik në Shqipëri për të biseduar me ta dhe “të rivendosë besimin në identitetin maqedonas, të cilin ata e mbrojnë me krenari”, përcjell KDP.

Ai bëri të ditur se do të bëjë gjithçka për të mbrojtur shtëpitë e tyre shekullore dhe identitetin e tyre. Pas rezultateve katastrofike të regjistrimit të popullsisë në Shqipëri për minoritetin maqedonas, ai fajin ia hodhi LSDM-së dhe BDI-së, të cilat, sipas tij, i lanë hapësirë ​​të zbrazët propagandës së huaj.

“Ne si shtet duhet të kujdesemi për tanët edhe në anët e tjera të kufirit. Më vjen keq që kjo po ndodh, por fajtori ka emër dhe mbiemër, e ai është qeveria e LSDM-së dhe BDI-së. Qeveria bullgare me propagandën e saj po e shfrytëzon vetëm hapësirën e zbrazët që ia la”, tha Mickoski gjatë vizitës së tij në Gjevgjeli.

Por politika asimiluese e Bullgarisë, sipas Mickoskit, nuk është vetëm tek maqedonasit.

“Nëse shihen shifrat do të bëhet e qartë se prek edhe një pjesë të madhe të qytetarëve të tjerë në Shqipëri – është diçka që duhet analizuar më seriozisht. Tani shtrohet pyetja, meqenëse në Shqipëri ka trefish më shumë që deklarohen si pjesë e komunitetit bullgar, a do të kemi edhe një kusht për Shqipërinë që ata të jenë në preambulën e kushtetutës? A do të vlejë ai kusht edhe për ata apo vetëm për ne? Do të doja të shihja se cili do të jetë reagimi. Nuk e kuptoj logjikën pse do të vlente për ne dhe ku janë trefishi – të mos aplikohet”, tha Mickoski.

Sipas regjistrimit të fundit në Shqipëri, atje jetojnë 2281 maqedonas, ndërsa bullgarë janë 7957. MPJ e Maqedonisë u përgjigj se rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë në Shqipëri nuk pasqyrojnë në mënyrë adekuate numrin real të maqedonasve etnikë në Shqipëri.

Para zbatimit të regjistrimit të vitit të kaluar, maqedonasit reaguan se u bëhej presion për t’u regjistruar si bullgarë – nga tregtarët që premtonin pasaporta, donacione të shumta të pajisjeve shkollore dhe kompjuterë, e deri te paralajmërimi i marrjes së nënshtetësisë për ato që kanë pasaporta bullgare.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, këto ditë pas takimit të punës me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis në Athinë, vlerësoi se qeveria e re e Maqedonisë së Veriut nuk është e gatshme t’i zbatojë marrëveshjet.

“Është e nevojshme të njihet e drejta ndërkombëtare. Pasi të nënshkruhet një marrëveshje ndërkombëtare, ajo duhet të zbatohet nga të gjitha qeveritë e mëvonshme, jo të rishikohet”, tha Radev, i cili vlerësoi se 120 mijë maqedonas kanë nënshtetësi bullgare, me origjinë të dokumentuar bullgare.

Në këtë është përgjigjur Miskoski: “Jam mësuar me poshtërimin dhe fyerjen. E gjithë jeta ime ka qenë kështu, por disi fitoj gjithmonë në fund. Do të shohim se si do të jetë në këtë rast”.

Edhe pse thotë se ka më pak përvojë se presidenti bullgar Rumen Radev dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ai u tha atyre se duhet të mësohen me politikën e re në vend që mbron interesat e qytetarëve maqedonas.

“Ne jemi një komb i vogël dhe paqësor i gatshëm të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë, por bashkëpunimin e shohim si rrugë me dy drejtime, jo njëkahëshe”, tha kryeministri.

Të fundit