E diel, 7 Korrik, 2024

INFOGRAFIKË, DY TË TRETAT E QYTETARËVE NË RMV TË GATSHËM TË SAKRIFIKOJNË ANËTARËSIMIN NË BE

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), por shfaqin rezerva lidhur me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Më shumë se dy të tretat e qytetarëve janë të gatshëm të sakrifikojnë rrugën integruese, nëse përfshirja e bullgarëve është kushti i vetëm për realizimin e tij. Megjithatë, ka dallime të konsiderueshme për këtë çështje ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë. Përderisa 63.5% e maqedonasve janë kundër kornizës së negociatave dhe vetëm 11.6% e mbështesin atë, situata është e kundërta tek shqiptarët etnikë. 55.9% e shqiptarëve etnikë mbështesin kornizën e negociatave të krijuar sipas propozimit francez, transmeton KDP.MK. Analistët politik, në vend dhe nga jashtë për Portalb.mk, kanë theksuar rëndësinë e sondazheve të opinionit publik, duke nënvizuar se qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet të jenë të vetëdijshëm për realitetin politik dhe ndërkombëtar që lidhet me procesin e eurointegrimit të vendit. Sipas tyre, qëndrimet e tilla të qytetarëve të vendit janë rezultat i pritjes afatgjate të procesit integrues.

Shkruan: Enis Shaqiri

Sipas anketës ku morën pjesë 1030 qytetarë në periudhën nga 7 deri më 11 qershor 2024, rezulton se më shumë se dy të tretat e qytetarëve të RMV-së janë gati të sakrifikojnë anëtarësimin në BE, nëse e vetmja mënyrë për të arritur atje është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë.

Sipas të dhënave, 69.5 përqind e të anketuarve mendojnë se qeveria e re nuk duhet të pranojë këtë përfshirje, edhe nëse kjo do të kushtojë shtyrjen e fillimit të negociatave me BE-në.

Në këtë kontekst, 55.7 përqind e qytetarëve u shprehën se janë kundër kornizës së negociatave të rënë dakord me propozimin francez, ndërsa 28.1 përqind e mbështesin atë.

Ka dallime të konsiderueshme për këtë çështje ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë. Përderisa 63.5% e maqedonasve janë kundër kornizës së negociatave dhe vetëm 11.6% e mbështesin atë, situata është e kundërta te shqiptarët etnikë. 55.9% e shqiptarëve etnikë mbështesin kornizën e negociatave të krijuar sipas propozimit francez, ndërsa 22.7% janë kundër. Një shumicë e madhe e qytetarëve ose 60.3% thonë se e njohin mirë propozimin francez për përcaktimin e kornizës së negociatave, ndërsa 37.6% thonë se nuk e njohin mirë. Shqiptarët etnikë konsiderohen më të njohur me propozimin francez sesa maqedonasit. 66.4% e shqiptarëve etnikë dhe 58.6% e maqedonasve konsiderojnë se janë të njohur me propozimin francez”, thuhet në raport.

Pothuajse gjysma e qytetarëve ose 49.1% besojnë se korniza e negociatave mund të ndryshohet, ndërsa 28.3% mendojnë se kjo nuk mund të ndodhë. Krahasimi me anketën e vitit të kaluar tregon një rritje të ndjeshme të numrit të qytetarëve që aktualisht besojnë se korniza mund të ndryshohet. Nëse vitin e kaluar 37.1% e qytetarëve besonin në ndryshimin e kornizës, sot kjo përqindje ka shkuar në 49.1%.

Infografik: KDP.MK

Në pyetjen se a do pranonin ndryshimin e Kushtetutës dhe të vazhdohen negociatat me BE-në nëse RMV merr garanci shtesë, 47,8 përqind kanë thënë jo ndërsa 42,1 kanë thënë po.

Infografik: KDP.MK

Është interesant fakti se anketa e këtij viti tregon numrin më të madh të qytetarëve që do të votonin kundër. Ne po e bëjmë këtë pyetje për të katërtën herë në 5 vitet e fundit. Nëse në vitin 2019 vetëm 17.3% ishin kundër, sot ky numër është rritur në 28.7%”, thuhet në raportin e Institutit për Hulumtime Politike në Shkup.

60 përqind e qytetarëve janë shprehur se do votonin për nëse nesër ka referendum për hyrjen e vendit në BE, kundrejt 28 për qind e atyre që janë shprehur kundër.

Infografik: KDPMK

31.7 përqind e qytetarëve besojnë se Maqedonia e Veriut nuk do të hyjë kurrë në BE, 18.1 përqind presin që kjo të ndodhë në 5 vitet e ardhshme, ndërsa 15.9 përqind e të anketuarve presin hyrje në BE në 15 vitet e ardhshme.


Pançev: Në shoqëritë maqedone dhe bullagre dominojnë prirjet nacionaliste

Eksperti dhe njohësi i rrethanave politike në Bullgari dhe rajon Anton Pançev në një bisedë për Portalb.mk thotë se ky sondazh tregon një pasqyrë të qartë se në shoqëritë maqedonase dhe bullgare, dominojnë prirjet nacionaliste.

Në një situatë të tillë, kur shtohet numri i qytetarëve në të dyja vendet që mbështesin një vizion nacionalist për marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona, qeveritarët në Shkup dhe në Sofje duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të mos lejojnë emocionet ta pengojnë eurointegrimin e Maqedonisë së Veriut”, thotë Anton Pançev.

Ai thekson se pas deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoskit, si edhe zyrtarëve të tjerë në qeverinë e re se komuniteti bullgar nuk do të përfshihet në Kushtetutë dhe do të kërkohen ndryshime në kornizën e negociatave dhe në Traktatin për miqësi, shumë politikanë dhe ekspertë bullgarë kanë deklaruar për bllokimin e plotë të procesit eurointegrues për Maqedoninë e Veriut derisa nuk plotësohen të gjitha kërkesat bullgare që kanë të bëjnë me gjuhën, historinë e përbashkët, dhe kulturën.

Anton Pançev. Fotografia marrë nga profili i tij në facebook.

Mosmarrëveshjet midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë duhet të zgjidhen mbi bazën e vlerave evropiane, komuniteti bullgar në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet t’i marrë të gjitha të drejtat kolektive dhe individuale, që parashihen në Kushtetutën dhe në ligjet e vendit, derisa këta qytetarë të Bullgarisë, që ndihen maqedonas, kanë të drejta që burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet bullgare dhe nuk mund të ketë pretendime për ndryshimin e modelit kushtetues”, thotë Pançev.

Analisti nga Bullgaria rikujton Shkupin zyrtar se qëndrimi i Sofjes ndaj angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut është i pandryshuar, dhe për këtë ai thotë se nuk ka asnjë rëndësi se cili koalicion do të qeverisë, në Shkup apo në Sofje.

Institucionet e Maqedonisë së Veirut duhet t’i realizojnë detyrat që burojnë nga Korniza e negociatave, miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian në korrik 2022 dhe miratuar nga Kuvendi maqedonas. Gjithashtu, Maqedonia e Veriut duhet t’i plotësojë të gjitha angazhimet që i mori përsipër me Traktatin e miqësisë me Bullgarinë, nënshkruar në vitin 2017, si edhe me Traktatin e Prespës me Greqinë nga viti 2018”, thotë Pançev.

Për fund ai shton se korniza negociuese, traktati i miqësisë, protokollet përkatëse, si dhe të gjitha marrëveshjet midis të dyja shteteve duhet të realizohen pa humbur kohë.

Kjo politikë do të sjellë probleme elektorale, sidomos për koalicionin qeveritar në Shkup siç shihet nga sondazhi. Alternativë tjetër nuk ka, sepse bllokimi i procesit eurointegrues mund të vazhdojë shumë vite dhe do t’i shkaktojë dëme të mëdha shoqërisë maqedonase në një situatë të turbullt globale”, përfundoi Pançev.

Nikolovski: Nacionalizmi ndaj bullgarëve, pasojë e premtimeve joreale të qeverisë së re

Në anën tjetër, Dimitar Nikolovski nga “Eurothink”, theksoi se qëndrimet e tilla të qytetarëve të vendit janë rezultat i pritjes afatgjate të procesit integrues.

Thjesht, një pjesë e madhe e qytetarëve maqedonas kanë humbur shpresën se vendi mund të bëhet pjesë e BE-së”, thotë Nikolovski.

Sa i përket qëndrimeve për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së , Nikollovski është i mendimit se kjo vjen si rezultat i premtimeve joreale të qeverisë aktuale se korniza negociuese mund të ndryshohet.

Dimitar Nikollovski, foto: Eurothink

Do të duhet një periudhë më e gjatë e ndërtimit të besimit të ndërsjellë për të riparuar marrëdhëniet me Bullgarinë. Por është shumë e vështirë sidomos për faktin se ka një krizë të përhershme të lidershipit politik në fqinjin lindor, siç e kemi parë edhe nga zgjedhjet e fundit”, përfundoi Nikollovski.

Ndryshe, me fitoren e VMRO-së, përkatësisht formimin e qeverisë së re, ka filluar edhe tensionimi i raporteve midis Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe Greqinë.

Me Bullgarinë, për shkak se kryeministri Mickoski tha mund të ketë ndryshim të Kornizës negociuese, e cila u kritikua ashpër nga Sofja.

Ndërsa tensionet me Greqinë nisën kur presidentja Gordana Siljanovska Davkova, gjatë betimit nuk përmendi emrin kushtetues të vendit, Maqedoni e Veriut, por e përmendi emrin e dikurshëm, Maqedoni.

Kujtojmë se vendi duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

 

 

Të fundit