E hënë, 1 Korrik, 2024

KRYEMINISTRI GREK AKUZON PRESIDENTEN DHE KRYEMINISTRIN PËR “SHKELJEN DIREKTE TË MARRËVESHJES SË PRESPËS”

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit Evropian,ka  informuar homologët e tij për, siç tha ai, “faktin që edhe presidentja, edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut po e shkelin drejtpërdrejt Marrëveshjen e Prespës”, duke nënvizuar se është e domosdoshme që të gjithë ta kuptojnë se “respektimi i legjislacionit evropian, ashiqare kalon përmes respektimit me besnikëri të marrëveshjeve ndërkombëtare”, -përcjell kdp.mk njoftimin e agjencisë MIA nga Athina.

Në një konferencë shtypi në Bruksel pas Samitit të Unionit, Mitsotakis, përveç se për zhvillimet aktuale evropiane, teksa iu përgjigj pyetjes së një gazetari, foli edhe për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut:

– Duke qenë se kishte një pjesë për çështjet e zgjerimit, unë mora iniciativën dhe i njoftova kolegët e mi në Këshillin Evropian për ndodhitë në Maqedoninë e Veriut, për faktin se edhe presidentja, edhe kandidati për kryeministër në fakt po shkelin drejtpërdrejt Marrëveshjen e Prespës, duke e injoruar atë në praktikë erga omnes, dhe duke zgjedhur të përdorimin emër tjetër, e jo emrin e definuar me Kushtetutë të vendit, për përdorim të brendshëm, i cili është plotësisht në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Prespës, – tha Mitsotakis duke shtuar se “për këtë epilog të pakëndshëm”ka informuar kolegët e tij. Sipas kryeministrit grek, perspektiva e vendit në BE varet nga respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

– E kam bërë absolutisht të qartë se nëse Shkupi insiston në këtë linjë, kjo në thelb do ta bëjë jashtëzakonisht të vështirë, nëse jo që edhe në praktikë, të anulohet, çdo proces të konvergjencës së shpejtë me familjen evropiane. Prandaj, mendoj se të gjithë duhet të kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre dhe ta dinë se respektimi i legjislacionit evropian padyshim që kalon përmes respektimit me besnikëri të marrëveshjeve ndërkombëtare që janë nënshkruar, në këtë rast konkret, nga të dyja palët, tha Mitsotakis.

Partia opozitare greke SYRIZA, mbrëmë vonë ka lëshuar një deklaratë lidhur me takimin e kryetares Gordana Siljanovska Davkova me delegacionin e Lidhjes së  Shoqatave të Maqedonasve dhe Fëmijëve refugjatë nga pjesa Maqedonisë së Egjeut – MAKEDON, duke komentuar se dënojnë “pikëpamjet irredentiste” dhe i kanë bërë thirrje qeverisë aktuale greke të ndërkombëtarizojë çështjen.

– SYRIZA dënon pa mëdyshje qëndrimet irredentiste të presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska, për një gjoja “Maqedoninë e Egjeut”, me të cilat shkel vrazhdët nenin 4 të Marrëveshjes së Prespës. I bëjmë thirrje qeverisë së Mitsotakisit që më në fund të zgjohet nga letargjia diplomatike në të cilën ka rënë dhe të ndërkombëtarizojë menjëherë çështjen, në mënyrë që Qeveria e Maqedonisë së Veriut të ballafaqohet me përgjegjësitë e veta, të cilat i referohen edhe procesit të saj aderues në BE dhe vendosjes së sanksioneve për ata që shkelin Marrëveshjen e Prespës sipas legjislacionit të SHBA të vitit 2021, – ka kumtuar partia opozitare greke./KDP/

Të fundit