Dritan Shakohoxha, një emër i njohur në komentimin e futbollit në Shqipëri dhe më gjërë ku ndiqet futbolli me komentim shqiptar, ka arritur të ndërtojë një reputacion për interpretimin e tij të detajuar dhe preciz të aspekteve të ndryshme të lojës. Me një dëshirë të madhe për komentimin e futbollit, ai ka krijuar lidhje të forta me adhuruesit e futbollit, duke i bërë ata të ndjehen sikur janë pjesë e aksionit në fushë. Por, ajo që shumëkush nuk e din është se Shakohoxha ka qenë gjithashtu njëri nga pjesëmarrësit dhe dëshmitarët e takimeve me liderët e sistemit në tranzicion të Shqipërisë, nga komunizmi në atë demokratik.
Në një intervistë ekskluzive për KDP.MK, Shakohoxha ndanë mendimet e tij për dy Shqipëri krejtësisht të ndryshme, për jetën e vështirë nën regjimin komunist dhe për bukurinë e jetës në demokraci. Shakohoxha e përshkruan këtë tranzicion si një udhëtim nga një “makth i vërtet” drejt një jete të re, të lirë dhe të bukur.
Ai në këtë intervistë flet edhe për ndryshimet që ka pësuar futbolli shqiptar, që nga vitet e ’90-ta deri tek kualifikimi i Shqipërisë në kampionatin evropian. “Në fillim të viteve ’90, sporti pësoi një goditje shumë të rëndë, për shkak se njerëzit ishin të fokusuar në çështje të tjera kurse sporti dhe arti ishin në plan të dytë. Por me ndryshimin e shekullit, duket sikur vuajtjet e shqiptarëve mbaruan. Tani në Evropian, Shqipëria do të na dhurojë një verë të mrekullueshme. Në Gjermani jetojnë dy milionë apo më shumë shqiptarë, që janë rezidentë, dhe do të vijnë edhe rreth 500 mijë të tjerë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por e di që do të jetë një festë e madhe shqiptar”.
Përgatiti: ENIS SHAQIRI
KDP: I nderuari Shakohoxha, Ju jeni njëri nga dëshmitarët e tranzicionit të Shqipërisë nga një sistem komunist, në atë demokratik. Nga kjo distancë si e shihni atë sistem, atë Shqipëri, si dhe atë tranzicion të shtetit shqiptarë?
Shakohoxha: Ekzistojnë dy realitete të Shqipërisë që janë diametralisht të kundërta dhe nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Këto dy realitete janë shumë larg njëra-tjetrës për shumë motive. Periudha që kemi përjetuar më parë ishte një tmerr i vërtetë. Ndoshta ne nuk ishim plotësisht të vetëdijshëm se sa makth i vëretë ishte, por në retrospektivë, ajo periudhë ishte një makth për të gjithë ne. Duke e krahasuar atë me bukurinë e jetës në demokraci, kemi zbuluar se sa e turpshme, e keqe, e frikshme dhe e pa jetë ishte jeta që kishim përpara. Ndoshta nuk ishim në dijeni të plotë për shumë gjëra për shkak të mungesës së informacionit. Prandaj, e konsideroj veten me fat që isha pjesë e brezit që përjetoi momentin e tranzicionit, pasi isha shumë i ri në atë kohë. Do të doja shumë të kisha lindur në periudhën e tanishme, por të jesh protagonist i ndryshimit të bënë të ndjehesh më mirë, të jep nder dhe shumë përfitime të tjera. Shqipëria ka treguar se sa shumë është zhvilluar në këto vite, sidomos në këto 10-15 vitet e fundit. Zhvillimet e Shqipërisë janë aq të mëdha, sa kur Shqipëria udhëhiqet në një sistem demokratik, shqiptarët tregojnë se janë të aftë të ndërtojnë një shtet evropian.
KDP: Ju keni qenë pjesë e takimeve me liderët e periudhës së tranzicionit, më konkretisht me Ramiz Aliajn. Çka mbani mend nga ato takime? A e konsideroni veten si një pjesëmarrës aktiv në lëvizjet e tranzicionit?
ShakoHoxha: Është një privilegj të jesh pjesë e historisë së vendit tënd. Me të vërtetë, mendoj se kam pasur fat, dhe nuk e shoh veten si dikë me merita të jashtëzakonshme. Më shumë se meritë, e konsideroj veten me fat që isha prezent në ato momente historike. Falenderoj të gjithë ata në shkollën time që më zgjodhën mua për ti përfaqësuar, pasi çdo shkollë zgjodhi nga një përfaqësues. Për fatin tim të mirë, ndodhesha në vendin e duhur, në momentin e duhur. Për të qenë i sinqertë, nuk e kam shfrytëzuar këtë rast për interesa personale, pasi nuk u përfshiva edhe në politikë, ashtu siç bëja edhe para se të takohesha me Ramiz Aliajn, dhe me të gjithë studentët e tjerë. Ëndrra ime ishte të bëhesha gazetar, dhe arrita ta realizoj këtë ëndërr, por prapëseprapë u ktheva tek sporti. Nuk është se ndryshova mendjen time, por thjesht dhashë kontributin tim që të ndryshonte Shqipëria.
KDP: Ju jeni një komentator i njohur në fushën e futbollit në Shqipëri dhe më gjerë ku ndiqet sporti me komentim shqiptarë. Duke pasur parasysh ndryshimet që ka pësuar futbolli shqiptar gjatë viteve, si e vlerësoni progresin dhe zhvillimin e këtij sporti?
Shakohoxha: Në fillim të viteve ’90, sporti pësoi një goditje shumë të rëndë, të keqe, dhe jo të mirë, për shkak se njerëzit ishin të fokusuar në çështje të tjera kurse sporti dhe arti ishin në plan të dytë. Sepse në fillim mendonin të ushqeheshin, kur Shqipëria ishte në një gjendje kaotike, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht, dhe njerëzit nuk është se e kishin mendjen te sporti. Por me kalimin e kohës dhe ndryshimin e shekullit, duket sikur vuajtjet e shqiptarëve kanë mbaruar dhe shqiptarët kanë fituar më shumë pushtet, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku duket se shqiptarët kanë marrë më shumë pushtet. Kjo ka çuar në transformimin e përfaqësueses së Shqipërisë në përfaqësuese të shqiptarëve në të gjitha sportet, sidomos në futboll, pasi njerëzit e kanë shikuar më shumë, pasi ka qenë më shumë në vëmendjen e njerëzve. Nora Kelmendi është njohur për sukseset e saj në sport, dhe ka fituar medalie me Shqipërinë, por nuk është se e kanë ndjerë të gjithë, por futbolli ka bërë që të gjithë shqiptarët të ndjehen të përfaqësuar. Flamuri kuq e zi, Skënderbeu, dhe më vonë Adem Jashari, kanë qenë pikat e referencës për shqiptarët, por tani ekipi kombëtar i futbollit është bërë pika e bashkimit për të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku janë lindur ose ku jetojnë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, apo edhe në shtetet tjera, që mund të jenë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por që kenë lindur në Itali, Gjermani apo Amerikë. Kjo është hera e parë dhe e vetme që unë e di deri më tani, që shqiptarët janë bashkuar dhe bota është dakord me bashkimin e tyre, dhe kjo është përfaqësuar në një skuadër futbolli. Deri në vitet ’90, kjo skuadër ishte përfaqësuese e Shqipërisë, por tani është përfaqësuese e shqiptarëve, pasi populli ynë është shpërndarë në shumë shtete të ndryshme, por të gjithë ndjehen të përfaqësuar nga ekipi kombëtar i futbollit.
KDP: Si i kujtoni sot trazirat e vitit 1997?
Shakohoxha: Dëshiroj të shpreh një mendim: natyrshëm jam një individ pozitiv, dhe i shoh gjërat pozitivisht. Brenda trupit tim, psiqikës time, bëj përpjekje të vazhdueshme për të fshirë dhe harruar ngjarjet negative, jo vetëm duke i fshehur ato në kujtesën time, por duke i fshirë përfundimisht nga ekzistenca ime. Kam bërë përpjekje të mëdha gjatë viteve për të fshirë vitin 1997 nga kujtesa ime dhe kam arritur të fshijë shumicën e kujtimeve të asaj periudhe. Në të vërtetë, kujtesa ime është mbushur me ngjarje të tjera të rëndësishme nga historia e këtij vendi. E di që ajo ishte një periudhë e vështirë, e trazuar dhe agresive, ku shumë njerëz mendonin se ky vend do të shkatërrohej dhe nuk do të mund të rindërtohej. Megjithatë, unë kam qenë gjithmonë optimist dhe sot, duke e kujtuar atë periudhë, më duket sikur ajo nuk ka ekzistuar. Nga perspektiva ime modeste, më duket sikur ajo periudhë nuk ka ekzistuar fare.
KDP: Si e shihni Shqipërinë sot?
Shakohoxha: Ky është momenti më i mirë i Shqipërisë në historinë e saj. Kurrë më parë Shqipëria nuk ka qenë kaq e fortë ekonomikisht, kaq në paqe, kaq e përfaqësuar në botë. Asnjëherë më parë zëri i saj nuk ka qenë kaq i lartë dhe i dëgjuar. Shqiptarët që nuk jetojnë në Shqipëri, janë krenarë me atë që po ndodh sot në Shqipëri. Ky është momenti më i bukur, por unë besoj verbërisht se ky është vetëm fillimi i bukurisë së Shqipërisë. Besoj pa dyshim që do të ketë një progres shumë më të madh, sepse shqiptarët janë të aftë, të zotë, këmbëngulës, punëtorë, vizionarë, njerëz me fantazi, me këmbëngulje dhe ambicie të jashtëzakonshme. Nëse vëreni ambiciet e tyre që kanë zhvilluar në shtetet e ndryshme të botës, në biznese modeste ose edhe në biznese shumë të mëdha, do ta bëjnë edhe vendin e tyre shumë të madh. Nëse vëreni rreth rajonit tonë, sa është zhvilluar Shqipëria, nuk është zhvilluar asnjë vend tjetër, dhe sa do të zhvillohet Shqipëria, vështirë se do të zhvillohet një vend tjetër. Besoj se me atë që po bëjnë shqiptarët nëpër botë, dhe që po kthejnë sytë e tyre drejtë Shqipërisë me investime, do ta bëjnë Shqipërinë edhe më të bukur dhe të fuqishme.
KDP: Ku e shihni pas dhjetë vitesh Shqipërinë? Është në NATO, mendoni se do jetë pjesë e BE-së?
Shakohoxha: Në Bashkimin Evropian, shoh shumë shtete të përfshira, duke përfshirë edhe vende të vogla dhe modeste, por asnjërën prej tyre nuk e shoh më të mirë ose më të aftë se Shqipëria. Besoj se Shqipëria do të jetë e përfshirë në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe një ditë do të ulet në atë tavolinë ku i takon të jetë, me zë të lartë dhe të dëgjueshëm nga të gjithë, në botën evropiane dhe të zhvilluar. Por kjo është normalitet dhe do të ndodhë, prandaj nuk duhet të habitemi që po ndodh. Ajo që unë shpresoj të shoh është ai kryqëzimi që po ndodhë tani. Nuk e di nëse e keni vënë re, por shumë breza po fillojnë të kthehen në Shqipëri. Pra, kushtet që janë krijuar për shumë njerëz, shkollimi i tyre jashtë, apo edhe lindja e tyre jashtë, duke parë progresin e madh ekonomik të Shqipërisë dhe investimet e mëdha që po bëhen, i kanë shtyrë njerëzit të gjejnë veten duke punuar edhe këtu. Pra, nëse dikush mbaron një shkollë në Zvicër për hoteleri, do të mund të punonte fare mirë edhe këtu.
KDP: A mendoni se ka përfunduar problemi i kijes së trurit, nese jo, si mund të kthehet?
Shakohoxha: Sot, konceptin e ikjes dhe kthimit po gjykojmë e si në vitet e ’90-ta. Çfarë dua të them me këtë? Dua të them se sot njerëzit kanë mundësinë të ikin, të kthehen, të lëvizin, të prodhojnë. Në kohën e Enver Hoxhës, nëse një person jetonte në Tiranë me shtëpi, po ta transferonit në Vlorë, për të do do të konsiderohej si një gjë që po ja bëni me hile. Por sot nuk është e njëjta. Sot nuk është e çuditshme nëse dikush transferohet me biznesin e tij në Sarandë apo Vlorë. Dikush sot mund të zgjedhë të jetojë në Kukës, dikush në Prizren – ku kam shumë miq që kanë zgjedhur të jetojnë – dikush shkon të jetojë në Tetovë, ndërsa një i Tetovës vjen të jetojë në Shkodër. Jetojmë në shekullin e 21, duhet t’i lejojmë njerëzit të jetojnë atje ku dëshirojnë, të provojnë se çfarë mund të bëjnë me jetët e tyre. Nuk duhet të themi se ata që ikin janë të poshtër, apo ata që kthehen janë patriotë. Gjithë njerëzit gjejnë veten e vet tek vendi ku mund të përfaqësohen më mirë. Nuk mendoj se Shqipëria sot është siç ka qenë në vitet e ’90, kur ikën të gjithë. Ne të gjithë e shohim sot se sa mundësi kemi. Në fakt, këto pallate që i shikojmë sot kushtojnë nga pesë apo gjashtë mijë euro për metër katëror, ndërsa në vitet e ’90, kushtonin vetëm 200 dollarë për metër katëror. Për ti dhënë edhe një këndvështrim, në këto çaste, në Shqipëri po bëhen investime aq të mëdha, aq vizionare, dhe aq komfort me pjesën tjetër kompetitive, me nivelin e lartë të Evropës, jo me atë të nivelit të mesëm. Mendoj se do të kthehen ata që kanë dëshirë të jetojnë në Shqipëri për të bërë biznes. Kjo ide e jetuarit për patriotizëm është pak e çuditshme dhe nuk ka sens. Po këtyre 50 mijë italianëve që jetojnë në Shqipëri, çfarë duhet t’u themi? Ata kanë braktisur Italinë dhe kanë ardhur të jetojnë në Shqipëri, pra kjo është pa sens. Dëgjo, këta të opozitës sot në Shqipëri, bërtasin se po ikën rinia, por edhe ata të pushtetit bërtisnin të njëjtën gjë kur ishin në opozitë. Këta burra e kanë për politik këtë punë, ndërsa unë nuk e kam për politik, unë e kam sinqerisht, dhe jap opinionin tim për atë që është e vërtetë.
KDP: Për korridoret infrastrukturore në rajon. Sa luajnë rol në zhvillimin e vendeve të rajonit këto korridore.
Shakohoxha: Kjo cop toke që na ka dhënë perëndia, është aq e vogël ku ne jetojmë, saqë nganjëherë më duken qesharake ata që zihen me njëri-tjetrin për kush iku, kush doli, apo kush hyri. Ata janë njerëz që nuk mendojnë për të mirën tonë. Ndërkohë, rruga e Kombit që është ndërtuar me Kosovën, që pas kësaj interviste do të më çojë edhe mua në Prishtinë, edhe pse është pasdite vonë tani në Tiranë, na mundëson të kemi biznes dhe të bashkohemi sëbashku. Ne nuk mund të jemi bashkë vetëm sepse festojmë 28 Nëntorin, ngremë flamurin, bërtasim emrat e Skënderbeut dhe Adem Jasharit, dhe pastaj të shpërndahemi secili në punët tona. Pra, nëse ne nuk krijojmë biznese me njëri-tjetrin, nuk kërkojmë ekonomi me njëri-tjetrin, dhe nuk krijojmë prosperitet me njëri-tjetrin, ne nuk mund të jemi as shumë të bashkuar, as shumë të lumtur, dhe as shumë të fuqishëm. Kjo nënkupton se këto rrugë janë detyra e vetme për ata që qeverisin Shqiptarët, si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut. Sepse edhe në Maqedoni, politikanët tani nuk janë siç kanë qenë para 15 viteve, kur ishin në periferi. Tani janë faktorë të rëndësishëm dhe do të kuptojnë se dyqanet e Tetovës, me zinxhirat e floririt të trashë dhe të mëdha atje, si në Anadol, do të shuhen nëse do të ndërtohet rruga e madhe dhe e gjerë ku njerëzit do të vijnë dhe do të shkojnë nga Tirana dhe Prishtina. Ata do të lidhen me njëri-tjetrin dhe këto vende do të zhvillohen. Pa rrugë, nuk do të zhvillohen, siç ka ndodhur me Kosovën në fillim, pa rrugën e Kombit. Do të kishte pasur shumë pak biznese dhe do të kishim qenë shumë pak të lidhur. Pra, këto rrugë janë arterie të ndërlidhjes së racave tona. Maqedonia e Veriut ka mbetur pak e aneksuar, për fat të keq, për faj jo të pakët të politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët shpesh e shohin veten si të shkëputur dhe nuk dëgjohen të bërtasin për tu bashkuar, për të qenë afër, apo për të promovuar biznese shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe biznese maqedonase në Shqipëri. Këto nuk i shoh dotë.
KDP: Për fund, cila është prognoza juaj për kombëtaren e Shqipërisë, në Evropianin e këtij viti?
Shakohoxha: Do të na dhurojë një verë të mrekullueshme. Unë e kam provuar atë në Francë, tani do ta provojmë në Gjermani. Në Gjermani jetojnë dy milionë apo më shumë shqiptarë, që janë rezidentë, dhe do të vijnë edhe rreth 500 mijë të tjerë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por e di që do të jetë një festë e madhe shqiptare, që do të sjellin ashtu siç bënë në Francë, do të bëjnë në Gjermani. Në anën tjetër, futbolli është diçka relative, dhe nuk është një gjë konkrete, që unë do të them se do të shënojë X apo Y. Kryesorja është që ne do të shkojmë atje, për t’i treguar botës që jemi edhe ne tek kjo tavolina e madhe që politikanët nuk kanë arritur akoma, por ja që ne arritëm. Jemi ne tek kjo tavolina e madhe që ju na njihni të gjithë të bashkuar, por nuk e bashkoni dotë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Por ne jemi të bashkuar këtu, dhe na njeh e gjithë Evropa të bashkuar. Do të jemi tek ajo pjesa që shqiptarët dinë ta bëjnë më së miri, pra kudo ku ka shqiptarë ka festë, ka njerëz të paqësorë, punëtorë dhe të ndershëm. Poashtu do t’u tregojmë se ne jemi ata që kemi ardhur në paqe, në festë në Gjermani, dhe do të shikojmë pastaj që do ketë nga këto kombëtaret që janë për rreth nesh, që do të vijnë për luftëra, për sherre, për njerëz konfliktual. Kështuqë ne, vetëm paqe kemi dashur dhe kemi përcjellë kudo.