Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka gjobitur Hungarinë me 200 milionë euro për mosrespektim të politikës së Bashkimit Evropian lidhur me azilin. Gjykata i ka shqiptuar edhe një gjobë shtesë – një milion euro në ditë derisa ky shtet nuk e ndryshon politikën e tij, përcjell kdp.mk njoftimin e BBC-së.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë njoftoi se Budapesti më 2020 shkeli aktvendimin dhe ligjet e BE-së duke i detyruar azilkërkuesit të udhëtojnë në Beograd ose Kiev për të kërkuar leje udhëtimi për të hyrë në territorin hungarez.
Dënimi për “mbrojtjen e kufijve të Bashkimit Evropian është i padëgjuar dhe i papranueshëm”, – ka shkruar kryeministri hungarez Viktor Orbán në rrjetin social X, duke reaguar ndaj vendimit.
“Si duket për burokratët e Brukselit janë më të rëndësishëm emigrantët e paligjshëm sesa qytetarët e tyre evropianë”, – ka shtuar ai.
Hungaria ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj migrantëve jashtë Bashkimit Evropian që kur më shumë se një milion njerëz hynë në vend, në vitin 2015, kryesisht duke ikur nga lufta në Siri.
Me qëllim të pengimit të hyrjes së tyre, autoritetet hungareze kanë ngritur gardhe të larta kufitare, kurse rojet kufitare hungareze janë të pajisura me teknologji të lartë.
Sipas ligjeve të BE-së, kushdo që ikën nga përndjekja në shtetin amë ka të drejtë të kërkojë mbrojtje ndërkombëtare dhe nuk mund të kthehet mbrapsht nëse në atë vend i kanoset rreziku serioz nga vdekja ose torturimi.
Në kumtesën e lëshuar të enjten, më 13 qershor, Gjykata Evropiane tha se Hungaria e shmangu “qëllimisht” aplikimin e politikës së BE-së dhe se “lëshimi i saj është i paprecedentë dhe është shkelje jashtëzakonisht serioze e të drejtës së BE-së”.
Nën këto lëshime të autoriteteve hungareze konsiderohen arrestimet jashtëligjshme të njerëzve që kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare dhe mohimi i të drejtës së tyre që të qëndrojnë në Hungari derisa të mos konsumohen të gjitha mjetet juridike për kërkesat për azil, – thuhet në kumtesë.
Duke dështuar në respektimin e ligjeve të BE-së, Hungaria siluroi solidaritetin e vendeve evropiane.
Politika e re e BE-së për azilin duhet të përshpejtojë procesin që shtetet anëtare ose të pranojnë mijëra emigrantë që vijnë nga shtetet e ”vijës së parë”, si Italia, Greqia dhe Spanja, ose të sigurojnë mjete plotësuese financiare.
Hungaria ka premtuar se nuk do të pranojë emigrantë të paligjshëm, pavarësisht çdo pakti. Ky vend nga një korriku merr presidencën e radhës të Bashkimit Evropian./BBC/