E hënë, 1 Korrik, 2024

INVESTIMET E PAMJAFTUESHME NË SHKENCË

Përkundër prononcimeve të shumta të përfaqësuesve qeveritarë se do t’i japin një shtysë investimit në shkence, megjithatë, mbështetje financiare për projektet shkencore mbetet në nivele të ulëta dhe me oscilime të vazhdueshme vit pas viti. Vendet e Ballkanit përgjithësisht njohin investime të ulëta në shkencë, ndërkohë që në vendet e BE-së investimet në zhvillim dhe shkencë janë shumë më të larta. Sipas Eurostatit, në vitin 2022, shpenzimet e BE-së për kërkim dhe zhvillim arritën në 352 miliardë euro.

 

Vendet e zhvilluara dallohen për shkallën e lartë të investimit në shkencë. Sipas Eurostatit, shpenzimet e BE-së për Kërkim dhe Zhvillim arritën në 352 miliardë euro për vitin 2022, që nënkupton 6.34% më shumë se në vitin e 2021 kur u shpenzuan 331 miliardë euro dhe 48.52% më shumë se në vitin 2012, kur u shpenzuan  237 miliardë euro.

Kur shikohet intensiteti i zhvillimit dhe shkencës, që nënkupton shpenzimet për zhvillim dhe shkencë si përqindje e PBB-së, të dhënat tregojnë një rënie të lehtë nga 2.27% në 2021 në 2.22% në 2022.

Ndër vendet anëtare të BE-së, 4 vende regjistruan investimin në shkencë dhe zhvillim me mbi 3% në 2022. Investim  më i lartë i zhvillimit dhe shkencës është regjistruar në Belgjikë (3.44%), e ndjekur nga Suedia (3.40%), Austria (3.20%) dhe Gjermania (3.13%).

Në anën tjetër, 8 vende të BE-së raportuan intensitet të zhvillimit dhe shkencës nën 1%: Rumania (0.46%), Malta (0.65%), Letonia (0.75%), Qiproja dhe Bullgaria (të dyja 0.77%) shënuan përqindjet më të ulëta, e ndjekur nga Irlanda, Sllovakia dhe Luksemburgu me aksione afër 1%.

Midis vitit 2012 dhe 2022, intensiteti i zhvillimit dhe shkencës në BE u rrit me 0,14 për qind. Rritjet më të mëdha u regjistruan në Belgjikë (1.16 për qind), Greqi (0.77 për qind) dhe Kroaci (0.69 për qind).

Siç mund të shihet në vendet e BE-së kemi një rritje permanente të investimeve në zhvillim dhe shkencë, që realisht tregon për përkushtimin e vendeve të BE-së ndaj shkencës si një faktorë esencial në progresin e përgjithshëm.

 

SHPENZIMET E KËRKIMIT DHE ZHVILLIMIT NË VENDET E BALLKANIT PERËNDIMOR

Sipas të dhënave nga Eurostat, në vitin 2021, shpenzimet për financim të kërkimit dhe zhvillimit në Turqi përbënin 1.1% të PBB-së së vendit, një rritje prej 0.8% nga një dekadë më parë. Intensiteti turk i kërkimit dhe zhvillimit mbetet më i lartë se ai i Ballkanit Perëndimor. Niveli tjetër më të lartë në vitin 2021 prej 1.0 % të PBB-së kishte Serbia, ndërkohë që në vitin 2011 kishte qenë në nivelin 0,7 %.

Në Mal të Zi,  shpenzimet për kërkim dhe zhvillim u rritën nga viti 2011, kur përbënin 0,3 % të PBB-së, ndërsa sipas të dhënave më të fundit të dispunueshme në vitin 2018 këto shpenzime përbenin 0,5 %.

Në Maqedoninë e Veriut, shpenzimet për kërkim dhe zhvillim  kanë mbetur rreth 0.4 % e PBB-së gjatë periudhës për të cilën janë të disponueshme të dhënat nga 2015-2020.

Shpenzimet për kërkim dhe zhvillim në Bosnje dhe Hercegovinë kanë rënë si përqindje e PBB-së, nga 0.3% në vitin 2012, ndërsa sipas të dhënave të disponueshme në vitin 2020 janë 0.2% .

Në Kosovë shpenzimet publike të kërkimit dhe zhvillimit arrijnë në vetëm 0.01% të PBB-së, pavarësisht objektivit prej 0.7% të mandatuar me ligj.

Shqipëria akordoi 0.4% të PBB-së për kërkimin dhe zhvillimin për vitin 2021.

Shpenzimet e brendshme bruto për Kërkim dhe Zhvillim, përndryshe të referuara si GERD, përfshijnë shpenzimet për Kërkim dhe Zhvillim të kryera nga sipërmarrjet e biznesit, institucionet e arsimit të lartë, si dhe qeveritë dhe organizatat private jofitimprurëse. Shpenzimet për R & D sipas burimit të fondeve përshkruan origjinën e financimit të K & D. Për shkak të mungesës së të dhënave për vitin në vitet e mëvonshme, viti 2020 po përdoret si vit referencë.

INVESTIMET NË SHKENCË DHE STRATEGJIA PËR SPECIALIZIM TË MENÇUR

Sa investohet për kërkime shkencore­ në Republikën e Maqedonisë së Veriut? A inkurajon MASH iniciativën deri tek institutet hulumtuese për hulumtime shkencore? Si dhe a ka interesim nga ana e instituteve hulumtuese për kërkime shkencore?

Gjatë vitit 2023, gjegjësisht para tre muajsh, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se ka ndarë mbi 240 milionë denarë për të mbështetur punën e punëtorëve shkencor-kërkimor dhe për të stimuluar zhvillimin e shkencës. Me këto mjete janë modernizuan kushtet në disa laboratori të institucioneve të arsimit të lartë dhe shkencor, janë akredituar metoda të reja për punë, dhe njëkohësisht janë financuar 7 projekte me interes të veçantë publik në shtatë institucionet publike shkencore në vend.

“Shkenca dhe njohuritë e qytetarëve janë burimet tona bazë me të cilat mund të konkurrojmë me botën e zhvilluar dhe nuk na mbetet asgjë tjetër, veçse të fokusohemi dhe të investojmë”, kishte theksuar ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

Ai gjithashtu kishte bërë  të ditur se është krijuar një draft versioni i Strategjisë për specializim të mençur të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka miratuar Strategjinë për specializim të mençur për periudhën 2023-2027 me Planin Aksionar për vitin 2024-2025.

Kjo strategji ishte propozuar nga Ministria për Arsim dhe Shkencë, si rezultat i procesit të skriningut në kuadër të eurointegrimeve. “Zbatimi i konceptit për specializim të mençur në nxitjen e zhvillimit ekonomik, është me qëllim harmonizimin me rregullativën evropian dhe praktikat në pjesën e shkencave dhe hulumtimeve edhe për politikat e ndërmarrjeve dhe industrisë, si epilog edhe i skriningut të procesit në BE”, kanë bërë të ditur nga qeveria.

Ministria për Arsim dhe Shkencë, Ministria për Ekonomi, së bashku me disa agjenci tjera shtetërore do të ndjekin realizimin e Strategjisë për specializim të mençur, në përputhje me Planin Aksionar. MASH-i çdo vjet duhet ta informojë Qeverinë në lidhje me realizimin e Strategjisë dhe Planit.

Përmes kësaj Strategjie planifikohet nxitja e krijimit të produkteve dhe shërbimeve me vlerë të shtuar, ekologjike, të qëndrueshme dhe konkurruese në tregun vendor dhe ndërkombëtar.

Duket se nga viti në vit kemi rritje për mbështetje financiare të hulumtimeve shkencore, por që akoma mbetet e pamjaftueshme për të pretenduar nivele që i kanë disa vende të rajonit dhe më gjerë në Evropë.

Pavarësisht njoftimeve për rritjen e buxhetit për projektet shkencore dhe kërkimore, rritja në vitin 2022 ishte shumë më e ulët se sa pritej. Gjatë vitit 2022 për projekte shkencore janë ndarë 462 milionë denarë, por ka rritje të konsiderueshme në zërin buxhetor për projekte kërkimore-shkencore.

Sipas të dhënave të MASH-it, tashmë ka një rritje të mbështetjes nga viti në vit. Në vitin 2021 kishte një rritje në 218 milionë denarësh për hulumtimet shkencore, ndërkohë që kjo mbështetje në vitin 2020 ishte 80, 5 milionë denarë.

Sipas MASH-it, ndarja më e madhe është përqendruar në financimin e projekteve kërkimore-shkencore për mbështetjen e infrastrukturës kërkimore në akademitë  si dhe në institucionet publike kërkimore.

Nga të dhënat e MASH-it, në vitet paraprake, gjegjësisht në vitin 2021  janë shpallën dy konkurse, për një investim sa më të madh në infrastrukturën kërkimore- shkencore.

Nga shuma e përgjithshme në kuadër të kërkimeve shkencore, MASH gjatë vitit 2021, ka ndarë 3,6 milionë euro. Sipas konkursit për ndarjen e mjeteve për financim janë miratuar 7 projekte, gjegjësisht nga një projekt për çdo institucion shkencor, me vlerë të përgjithshme prej 19 milionë denarë ose 304,500 euro.

Sipas MASH, ekziston interesim i madh nga ana e hulumtuesve për kërkime shkencore.  Sipas tyre, në konkurset e shpallura në vitin 2021 janë paraqitur gjithsej 374 hulumtues prej të cilëve 333 janë pranuar për financim. Ndërsa në vitin 2022, janë paraqitur 392 hulumtues, ndërsa në takimet e mbajtura shkencore muajt e fundit janë paraqitur edhe 19 institucione shkencore.

Sipas statistikave të EUROSTAT, në vitin 2020, Shtetet Anëtare të BE-së shpenzuan rreth 311 miliardë euro për kërkime dhe zhvillim, që nënkupton një rënie prej 1 miliard euro krahasuar me vitin 2019 (312 miliardë euro). Intensiteti i kërkimeve dhe zhvillimit si përqindje e PBB-së, ishte  2.3% në 2020, krahasuar me 2.2% në 2019. Megjithatë, kjo rritje e vogël është për shkak të një rënie të PBB-së si rezultat i pandemisë COVID-19.

Sipas bankës botërore Izraeli shpenzon pjesën më të madhe të PBB-së për aktivitete në drejtim të kërkimeve shkencore. Në vitin 2018, Izraeli shpenzoi 4.95% të PBB-së për Kërkim dhe Zhvillim, në vitin 2019 – 5.14% të PBB-së, ndërsa në vitin 2020 – 5.44%.

MUNGESA E STRATEGJISË PËR ZHVILLIMIN E SHKENCËS

Në një prononcim të mëhershëm, Drejtor i Institutit Max van der Stoel, Veli Kreci,  ka theksuar se sistemi hulumtues i Maqedonisë së Veriut karakterizohet nga mungesa e një strategjie për zhvillimin e shkencës dhe hulumtimit, dhe se për kërkime shkencore dhe zhvillim teknologjik, nevojitet të hartohen plane konkrete  për veprim dhe zbatimin e masave dhe aktiviteteve për të siguruar zhvillimin e mëtejshëm të kërkimeve shkencore.

Ekspertë të fushës kërkimore shkencore kanë theksuar se në vitet e kaluara mesatarisht vetëm 0.1 për qind e PBB-së është shpenzuar për shkencën, që është shumë nën fondet e nevojshme, por edhe shumë prapa parave të shpenzuara nga vendet evropiane.

Jo një herë nga përfaqësuesit qeveritar është theksuar se investimi në shkencë mbetet investim për të ardhmen, ndërkohë Maqedonia e Veriut akoma mbetet në nivele të ulëta të financimit të projekteve shkencore.

Sistemi informativ për aktivitetet hulumtuese në Maqedoninë e Veriut menaxhohet nga Biblioteka Kombëtare “Shën Klementi” i Ohrit, e cila gjithashtu funksionon si qendër kombëtare E-CRIS. Në sistemin informativ E-CRIS të Maqedonisë së Veriut, aktualisht ekzistojnë 3658 studiues dhe 192 organizata hulumtuese.

Korniza ligjore për aktivitetet hulumtuese në RMV është përcaktuar me Ligjin e Veprimtarisë Shkencore dhe Hulumtuese. Ky ligj rregullon parimet, qëllimet, veprimtarinë shkencore dhe hulumtuese, subjektet e veprimtarisë shkencore dhe hulumtuese dhe mënyrën e financimit të veprimtarive shkencore dhe hulumtuese.

 

Teksti është punuar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

Të fundit