E premte, 26 Korrik, 2024

GENCI NIMANBEGU – KRYETAR I RI I ULQINIT

Kreu i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu është kryetari i ri i komunës së Ulqinit. Ai, në një mbledhje të tensionuar të parlamentit lokal, mbrëmë vonë,  u zgjodh me 19 vota të këshilltarëve të spektrave të ndryshme partiake. Kryetari i deritashëm i komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, nga radhët e URA-s, u shkarkua nga posti me votat e 20 këshilltarëve, nga gjithsej 33,-njofton kdp.mk.

Procedurën për shkarkimin e Bajraktarit e nisi kohë më parë shumica e re parlamentare e përbërë nga Forca, Partia Demokratike (PD), Partia Demokratike e Socialistëve, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Socialdemokratët, Partia Socialdemokrate dhe Partia Boshnjake.

Nisma për shkarkimin e Bajraktarit është dorëzuar zyrtarisht nga këshilltari i FORCA-s, Ilir Çapuni.

Shumica e re tani në Kuvendin e Ulqinit përbëhet nga 21 këshilltarë.

Në opozitë, përveç Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe Demokratëve, tqë as gjatë dy viteve të kaluara nuk ishin pjesë e qeverisë, do të jenë edhe partia URA e Dritan Abazoviqit, me dy dhe Alternativa Shqiptare me një këshilltar.

Mbledhja e Këshillit të komunës së Ulqinit, mbrëmë raportohet të ketë qenë e tensionuar dhe si rezultat i kësaj për një moment edhe është ndërprerë për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës. Gjithashtu, në pjesën përreth komunës raportohet se kanë ikur ose ndërprerë dritat. Po ashtu, në momentin e ndërprerjes së rrymës elektrike, pohohet se ka pasur edhe zënka dhe hedhje të gazit lotsjellës.

Këshilltarët kanë lajmëruar policinë e cila po mbledh informacione për incidentin, por deri tani nuk ka raportuar për zbardhen e tij. Media malazeze njofton se ka ndërhyrë edhe një ekip i ndihmës së shpejtë.

Rjedhimisht, më herët, dy drejtuesit e Forcës dhe Partisë Demokratike, Genci Nimanbegu e Fatmir Gjeka, akuzuan partinë URA për mosrespektim të marrëveshjes së para dy vjetëve:

“Më datën 21 maj 2022, kryetari aktual i Komunës Omer Bajraktari në emër të Koalicionit “Fillimi i Ri” të cilin e përbëjnë Partia demokratike, Ura, SDP, SD dhe ASH, ka nënshkruar marrëveshjen me Forcën e Re Demokratike për të bërë shumicën stabile në mandatin 22-26. Sipas kësaj marrëveshje, pas shumë mundimeve për ta ndalur këtë nga opozita e sotme, më datën 2 qershor 2022 kemi zgjedhur kryetarin e Komunës Omer Bajraktari.

Sipas kësaj marrëveshjeje, postin e kryetarit të Kuvendit dhe atë të kryetarit të Komunës do ta ndërrojnë Forca dhe URA pas dy vjetësh, pra më 2 qershor të këtij viti.

Duke iu afruar kësaj date, po shohim se një pjesëtar i koalicionit FILLIMI I RI ka plane të tjera për Ulqinin, dhe pa u konsultuar me partnerët ka nisur formimin e një shumice të re. Kështu nuk thotë marrëveshja! Përderisa kjo shumicë me plot 12 këshilltarë ka stagnuar në rritje, kryetari Omer Bajraktari në formë të jashtëligjshme ka shkarkuar sekretarët e Komunës që vijnë nga radhët e Forcës”, – përcjell kdp.mk.

Të fundit