E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

FRONTI EUROPIAN: VAZALITETI MUNDËSON POSHTËRËSIMIN E SHQIPTARËVE DHE KOMUNITETEVE

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, sot, së bashku me liderët e tjerë të Frontit Evropian, nga selia e BDI-së në Reçicë të Vogël, deklaroi se partia e tij, së bashku me partnerët e tjerë të koalicionit, do të përdorin të gjitha mekanizmat për të mbrojtur legjitimitetin e fituar të Frontit Evropian, pas konstituimi të djeshëm të përbërjes së re të Parlamentit, transmeton KDP.MK 

“Ne, bashkë-drejtuesit e Frontit Europian konstatojmë që bashkimi jonë është reflektim i frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe paraqet unifikim për të avansuar barazinë midis komuniteteve dhe kohezionin shoqëror”, tha Ahmeti.

Ai tha se rezultati i zgjedhjeve parlamentare është cenuar dhe vazhdon të cënohet nëpërmjet siç e quajti “një inzhinjeringu zgjedhor në sytë e gjithë opinionit, vendor, rajonal dhe ndërkombëtar”.

“Fronti Europian ngadhnjeu si koalicion fitues në zgjedhjet presidenciale me diferencë prej 40.000 vota, ndërsa në ato parlamentare me mbi 31.000 vota dhe 6 deputetë më tepër. Fronti Europian mori 19 deputetë, ndërsa opozita 13 deputetë. Fronti Europian doli ngadhnjyes në 20 komuna ku jetojnë dhe votojnë shqiptarët dhe komunitetet tjera. ndërsa opozita në 8. Fronti Europian doli forca e dytë në shtet, që ndodh për herë të parë në historinë e vendit”, theksoj Ahmeti.

Sipas Ahmetit, Fronti Europian dhe opozita shqiptare, në muajt dhjetor 2023 dhe janar 2024, bashkarisht janë dakorduar dhe kanë firmosur deklaratë për mos-hyrje në partneritet qeveritar pa ndryshimet kushtetuese dhe garantimin e rrugëtimit europian.

”Përkundër të gjitha argumenteve dhe numrave e rezultateve, edhe me deputetë, edhe me numra absolut votash, edhe me fitore në dy të tretat e komunave, humbësit e zgjedhjeve, pa legjimitetin e sovranit, u nënshtruan tërësisht duke injoruar vullnetin e popullit, Marrëveshjen e Ohrit, legjitimitetin dhe pa patur aspak respekt për ata që sollën të gjitha këto ndryshime cilësore në vendin tonë. Në këtë kontekst, qytetarët na pyesin, ç’kuptim ka demokracia në vendin tonë nëse komuniteti shumicë përcakton se kush i përfaqëson shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët dhe komunitetet tjera?”.

Ai shtoi se nga ky moment Fronti Evropian po e fillon betejën e respektimit të frymës së Marrëveshjes së Ohrit e cila siç tha “bazohet në legjitimitetin dhe të drejtën zakonore për përfaqësim nga ata që e kanë legjitimitetin e komuniteteve”.

“Ne po nisim rrugëtimin për të mos e lejuar këtë majorizim që rëndon bashkëjetesën dhe demokracinë dhe ftojmë qytetarët që të na bashkangjiten në përpjekjet tona për ta mbrojtur votën, legjitimitetin dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit, por edhe Marrëveshjen e Prespës dhe atë të fqinjësisë së mirë për të ardhme europiane”, përfundoi Ahmeti duke nënvizuar se: “Vota e juaj nuk guxon të shkojë huç dhe ne jemi këtu bashkë që ti prijmë fitores tuaj dhe ta zbatojmë vullnetin tuaj fitimtarë”.

Konferenca e shtypit e Ahmetit vjen në kontekst të publikimit të marrëveshjes mes VMRO-DPMNE, koalicionit “VLEN” dhe Lëvizjes ZNAM për formimin e qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut.

Ahmetit, sot iu bashkuan edhe partnerët e tjerë të Fronti Europian.

Ndryshe, dje në seancën konstituive, Ahmeti refuzoi të komentojë pozicionet e Frontit Evropian. Deputetët e Frontit Evropian poashtu nuk votuan për verifikimin e mandateve dhe e braktisën Kuvendin para zgjedhjes së Afrim Gashit për kryetar të Kuvendit.

 

 

 

 

Të fundit