E premte, 26 Korrik, 2024

AFRIM GASHI: NË MANDATIN E TRETË, KRYEPARLAMENTAR I TRETË SHQIPTAR

Në Maqedoninë e Veriut, në seancën e konstituimit të parlamentit pas zgjedhjeve të 8 majit, Afrim Gashi i koalicionit Vlen u zgjodh të martën kryetar i ri i parlamentit të vendit. Ai është kryetari i tretë i Parlamentit që vjen nga etnia shqiptare e Maqedonisë së Veriut’. Gjatë kohës së ish-jugosllavisë në krye të Parlamentit u zgjodh Nexhat Agolli, kurse në vitin 2017 – Talat Xhaferi i BDI-së.

Zgjedhja e tij si pjesë e marrëveshjes me partinë VMRO-DPMNE pritet të pasohet me formimin e shpejtë të qeverisë midis dy koalicioneve. Presidentja e vendit, brenda një afati prej dhjetë ditësh duhet t’ia dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë së re kreut të VMRO-së, Hristijan Mickovski.

Afrim Gashi është i lindur më 9 nëntor të vitit 1977 në Shkup. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, duke bërë betejë për hapjen e paraleles së mjekësisë edhe në Shkup. Gjatë shkollës së mesme është marrë edhe me muzikë, ndërsa bashkë me grupin e tij kanë marrë pjesë edhe nëpër festivale të ndryshme.

Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës e mbaroi në vitin 2007, ndërsa studimet pasuniversitare, në Institutin e Studimeve Juridike, Sociologjike dhe Politike në Shkup – në drejtimin e shkencave politike, i përfundoi më 2021.

Një kohë ka punuar në SHB “Logos-A” – Shkup, ndërsa në opinionin është i njohur edhe si publicist, duke qenë aktiv me shkrime publicistike në media të ndryshme shtypit dhe ato elektronike në gjuhën shqipe dhe maqedonase

Në vitin 2011 e ka themeluar revistën mbarëkombëtare “Shenja” dhe deri në vitin 2014 ka qenë kryeredaktor i saj.

Nga viti 2014 është aktiv edhe në politikë, duke e themeluar Lëvizjen Besa. Ai është nismëtar, projektues dhe ideator i saj, ndërsa një kohë e ka ushtruar edhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të saj. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitin 2016 është zgjedhur deputet, duke kandiduar në njësinë zgjedhore nr. 2.

Më 9 mars 2019, pas ndarjes së Lëvizjes Besa, Gashi themeloi partinë “Alternativa” dhe u zgjodh kryetar i saj.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 ai sërish u zgjodh deputet.

Ai është i martuar dhe prind i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali.

Gjatë fjalimit pas marrjes së detyrës ai tha se do të angazhohet që secili deputet të gëzojë të drejtën e shpehjes.

“Me që ky është madati im i tretë si deputet dhe viti i tetë i përvojës sime parlamentare mund t’ju them se kam pasur jo vetëm fatin, por shumë shpesh edhe vështirësinë që në këtë sallë të jem në rolin e deputetitit të pushtetit dhe deputetit të opozitës. Andaj, nëse jo më mirë se shumë pre jush, atëherë gjithsesi mjaft mirë e kuptoj rolin e secilit deputet dhe kjo më bën të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm që me detyrën që po e marr përmbi vete të mundësoj që secilit deputet të këtij parlamenti t’i garantohet mundësia për t’u shprehur dhe e drejta e fjalës is dhe e drejta e qëndrimit politik”, tha Gashi.

Gjatë kohës në shkollën e mesme, Gashi ka qenë pjesë e grupit muzikor “Xhepat e Zbrazët”, ku ka qenë njëri nga vokalistët e grupit.

Kur në vitin 2021 Alternativa vendosi të prishë koalicionin me ASH dhe t’i bashkohet qeverisë LSDM-BDI, njëri nga gazetarët e pyeti nëse me hyrjen në qeveri dëshiron t’i mbushë “xhepat e zbrazët”.

Gashi u përgjigj: “E para, në rininë time kam qenë themelues i një grupi muzikor që e ka pasur emrin “Xhepat Zbrazët”. Edhe atëherë në një intervistë nga gazetarë i pyetur se çfarë ju pret në të ardhmen në aspektin muzikor, unë ju kam thënë se nuk e di çfarë, vetëm e di se emri i grupit nuk do të ndryshojë. Kështu që nuk jam as unë as eksponentët e partisë time në politikë për të mbushur xhepa dhe distancohem nga një fjalor i këtillë. Unë mendoj se është shumë e dëmshme që eksponentët politik të shihen si njerëz që futen në politik për të mbushur xhepat dhe deri sa mendohet kështu në opinion, dhe me të drejtë në disa aspekte sepse disa politikanë kanë dhënë indikacione të mendojnë kështu njerëzit, unë mendoj se gjërat do të shkojnë keq”, tha Gashi.

 

Të fundit