E premte, 26 Korrik, 2024

PALIMPSESTI I NJË TRASHËGIMIE LETRARE

Lexuesi tashmë ka në duar një libër me poezi të përzgjedhura të krijuesit Nexhat Pustina me një titull tepër kreativ “Dallëndyshja e kujtesës”, të botuar nga SH.B “Agoraprint”, që është pikërisht në funksion të shpërfaqjes së trashëgimisë sonë letrare, të risjelljes në vëmendje të një poeti kalibër, që tashmë e ka vendin e vetë, si shumë të tjerë, në universin e përshprtshëm të letërsisë shqipe. Një punë e fisme e botuesit Emin Azemi, një përkushtim për të trandur nga pluhuri i harresës, emra të letërsisë shqipe që i kanë dhënë kuptime sublime një kohe letrare, një paradigme letrare

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Trashëgimia letrare mbetet një lloj palimpsesti shpirtëror që si potencialitet mbrun kohën letrare, emrat e përveçëm të një kohe tjetër, të një brezi në ardhja, i cili në partiturat e përshpirtshme të kësaj trashëgimia gjen vibrimet, galerinë e pafundme të shfaqjeve njerëzore që shndërrohen mëpastaj në vatra frymëzimi dhe rrugëtimi poetik. Emrat kulmorë të kësaj trashëgimie, të kësaj përhershmerie letrare mbeten fenerë ndriçues, pika reference, në gjithë atë trajketore letrare që në studimin diakronik të letërsisë njihet si histori e letërsisë. Pikërisht, për ta konsoliduar këtë dimension të padiskutueshëm të studimit të letërsisë mbetet e pashmangshme që emrat që kanë shënuar vlera kulmore të jenë pjesë e historisë së letërsisë, pjesë e vlerave të verifikuara letrare. Në kohën kur letësisë shqipe i mungon një sistem i konsoliduar i reprezentimit vleror të letërsisë, kur shumë emra nga trashëgimia jonë letrare mbeten të harruar për shkak të mungesës së një paradigme studimi gjithëperfshirëse dhe moderne, botimi i veprave të përzgjdhura të autorëve nga trashëgimia jonë e pasur letrare shënon një hap përpara pikërisht në drejtim të konsolidimit të një historie të letërsisë shqipe përtej skemave deritashme dhe kallëpeve të ngushta të paravendosura.

Sigurisht, debati mbi këtë problematikë letrare mbetet i gjerë dhe mbase kërkon shumë më tepër hapësirë dhe kohë për ta sheshuar, por ndërkohë, ne kemi në duar një libër me poezi të përzgjedhura të krijuesit Nexhat Pustina me një titull tepër kreativ “Dallëndyshja e kujtesës”, të botuar nga SH.B “Agoraprint”, që është pikërisht në funksion të shpërfaqjes së trashëgimisë sonë letrare, të risjelljes në vëmendje të një poeti kalibër, që tashmë e ka vendin e vetë, si shumë të tjerë, në universin e përshprtshëm të letërsisë shqipe. Një punë e fisme e botuesit Emin Azemi, një përkushtim për të trandur nga pluhuri i harresës, emra të letërsisë shqipe që i kanë dhënë kuptime sublime një kohe letrare, një paradigme letrare, që vjen të na kumtojë edhe sot, se krijimtaria e mirëfilltë e mbrujtun në universin e veçantë të shprehjes poetike mbetet vlerë e përhershme, mbetet poetikë që vazhdon të vibrojë me drithmat më të thella të shpirtit krijues edhe në këtë kohë.

Gjatë leximit të kësaj poezie, ne jemi në një kohë tjetër, që në asnjë rast nuk është një kohë kronologjike. Përkundrazi, ne ndodhemi, siç e definon filozofi Nikollaj Berxhaje procesin dhe çastin e krijimit, në kohën ekzistenciale që përfton tjera ndjeshmëri dhe tjera fushëpamje poetike që vijnë si topose lirike, si vise gjëmimesh krijuese, me tone të thella të një lirizmi të butë, të një vargu të mëndafsht që tashmë e ka afishuar fjalën poetike në një lloj ekonomizimi gjuhësor siç na shpërfaqet në poezinë “Due e nuk due”:

Due ta vë fjalën aty ku duhet

Gur themeli që kurrë mos të luhet

Dhe, po në këtë poezi, Nexhat Pustina, shpërfaq përmes një gjuhe të figurshme kredon e tij krijuese, atë afsh agimesh, që shkon përtej materiales, përtej grykësive të zakonshme:

Nuk due ma të vras turtuj as pëllumba
Për ta shtue sahanin në sofren e gërgasit
Por due agime dhe vetëm agime
Që i puth e diellit rrezja trime.

Në tërësinë e vetë, në gjithë atë që nënkpton magji e gjuhës, poezia e Nexhat Pustinës mbruhet dhe bart me vete një tis të vargut sentencial, që vjen si kondensim gjuhësor, por edhe si semantikë urtësie dhe përvoje jetësore.

Por, kjo përkorje gjuhësore brenda kohës transponohet në një ligjërim poetik përshkrues, duke sjellë kështu pamje nga galeria e kujtesës, nga gjithë ai përjetim poetik i gjendjeve të ndryshme. Pikërisht, në poezitë „Sharri“ dhe “ Dhe ai qytet“ kemi dy përshkrime, dy botë që përplotësojnë njëra-tjetrën, dy pamje që përshkohen nga i njëjti tonalitet idilik.

Nexhat Pustina, mbetet emër i përveçëm në letërsinë shqipe, sepse ligjirimi i tij poetik përfton gjuhën parake, fjalët e moçme, modelet paraprake të ligjerimit poetik të traditës, që shkrihet mjeshtërisht në matricën origjinale të transponimit të tij poetik. Brenda këtij ligjerimi poetik nëpërduken tonalitetet e poetikës së Hil Mosit, Mjedës, Migjenit, Lasgushit, por edhe të Bodlerit dhe autorëve tjerë modern.

Poetika e Nexhat Pustinës është sintezë kreative e ligjerimit poetik të traditës dhe shfaqjeve moderne të poezisë. Ajo merre nga tradita esencat e përhershmërisë së botës shqiptare dhe më pas i transponon në ligjerim origjinal modern poetik. Është një ligjërim poetik që me elegancë sjellë edhe poezinë erotike, gjithnjë si mungesë e përshkuar me tone melankolie. Në këto frekuenca të ligjerimit poetik janë poezitë “ Ku do jesh ti” dhe “Mall”:

Të gjitha së bashkut lexojnë mall

Mall që ç’fryn tërfula dashtnie

Si flamur i palosun melankolie

Dhe, në këtë pikë nuk kemi se si të mos pajtohemi me Edgar Alan Poen, i cili në esenë e tij “ Filozofia e kompozicionit”, mes tjerash thekson se “ I vetmi ton legjitim i poezisë është melankolia.

Po në këtë frymë melankolie janë edhe poezitë “Nusja e detit”, që vjen si një bukuri e munguar e Merit, e subjektit poetik, që për nga koncepti poetik mund të krahasohet me poezinë “Një kalimtare” të Bodlerit, si dhe poezia “Piktura e humbun”, që është një lloj spleen-i për zvetënimin, një vështrim i trishtë mbi kalimin e padiktueshme të kohës.

Po kaq e fuqishme dhe me ngjyra kujtese është edhe poezia „Mbas shiut“ një pikturë e përmallshme e shkëputur nga galeria e kujtesës.

Poezia “Kandili“ mbetet paradigmatike, shpërfaq esencën e poetikës së Nexhat Pustinës:

Unë jam një kandil i vogël ndriçoj ngapak,
Fitilin e kam në trup, pa kokë, drejt
Shpirti më rri i ndezur mu në flakë
As që shuhet, as që soset, në jetë e përjetë

Simbolikën e kandilit e hasim gjatë tërë kohës në poezinë e Nexhat Pustinës, një simbolikë vetëmohimi dhe drite, një ndërlidhje dhe një prurje në një ligjërim të ri i “kandilit” të Naimit. Pikërisht, kjo ndërlidhje, ky kontinuitet letrar vërehet edhe në poezinë “Drita në horizont”, në të cilën poeti Nexhat Pustina i fton në tryezën e krijimit poetët vëllezër, ata që janë drita e frymëzimit.

Gjithë këto dimensione poetike të Nexhat Pustinës përplotësohen edhe me një dimension tjetër thellësisht human, me një dashuri njerëzore thellësisht universale siç mund të vërehet në poezinë “Shpërngulja e romit”.

Padiskutim, këto janë vetëm disa fragmente poetike nga opusi krijues i Nexhat Pustinës dhe vetëm disa dimensione pikante që shtrihen përgjatë ligjërimit poetik herë të butë me tone përtejbote shqiptare dhe herë rebelues me formësime figurative ngushtish të një kohe kërcënuese. Gjithsesi poetika e Nexhat Pustinës, mbetet një palimpsest letrar, një ligjërim poetik që vulosë një paradigmë letrare, një brez krijuesish, që i kanë dhënë dinjitetin e plotë poezisë shqipe të krijuar në arealin shqiptar të këtushëm.

Te çdo krijues nëpërduken esenca letrare të krijuesve pararendës. Borhesi paradoksalisht thoshte që ne i krijojmë pararendësit. Në teoritë letrare njihet termi kontinuitet letrar. Botimi i këtij libri me poezi të përzgjedhura të Nexhat Pustinës, nga botuesi Emin Azemi, është pikërisht në funksion të këtij kontinuiteti letrar, në funksion të risjelljes, vlerësimit dhe rivlerësimit të trashëgimisë sonë letrare, e cila vjen të vezullojë edhe në këtë kohë me praninë e vetë, me gjithë atë dritë të përtejme fjalësh, vargjesh, ndjeshmërish dhe kuptimesh, me gjithë atë galeri pamjesh, gjësendesh të moçme, zërash, me gjithë atë përhershmëri bote shqiptare që mbrun një poetikë të veçantë.

Ky libër mbetet një ftesë për studiusit e letërsisë, që në të ardhmen ngeshëm të mund të thellohen në poetikën e Nexhat Pustinës, në opusin e tij krijues që mbetet i veçantë dhe vulë e një breznie krijuesish, që vunë themelet e artit modern letrar në arealin e këtushëm të letërsisë shqipe.

 

Të fundit