E shtunë, 27 Korrik, 2024

ARRESTIME DHE LIRIME: ÇFARË PO NDODHË NË SISTEMIN E GJYQËSORIT NË RMV?

Nake Georgiev, gjykatës suprem, vitin e kaluar kaloi pa sanksion në “filtrin” e Këshillit Gjyqësor dhe madje u zgjodh si anëtar i tij. Sot, situata ka ndryshuar. Ai tashmë dyshohet për ryshfet, i është hequr imuniteti dhe gjendet në paraburgim. Në anën tjetër, ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Sasho Mijallkov, pritet të enjten të dal nga burgu, pas vendimit të ndryshuar të Gjykatës Themelore Penale në Shkup.  Kjo sjell në vëmendje pyetjen: çfarë po ndodhë aktualisht në sistemin e gjyqësorit në Republikën e Maqedonisë së Veriut?
Njohësit e proceseve juridike argumentojnë se mënyra e proceseve gjyqësore, si në të kaluarën ashtu edhe tani, nuk tregon se ka ekzistuar një sistem gjyqësor i pavarur, i cili do të nxirrte para bankës së të akuzuareve çdo person që shkel interesin publik dhe shkakton dëme financiare. Ata thonë se: “nëse nuk vihet në funksion shteti i së drejtës, atëherë është e vështirë që Maqedonia e Veriut të përputhet me standardet evropiane, ku edhe synon të jetë në të ardhmen”.

Shkruan: Enis Shaqiri

Këshilli gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut me kërkes të Prokuroris Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në një seancë urgjente pas mesnatën e së martës ka vendosur që gjykatësit të Gjykatës Supreme Nake Georgiev t’ia heq imunitetin dhe t’i aprovojë masën e paraburgimit nën dyshimet se ka kryer veprën penale “pranim i shpërblimit për ndikim të paligjshëm”, vepër e dënueshme në bazë të nenit 359 nga Kodi Penal.

Sipas informacioneve të marra nga ankuesi, i dyshuari i parë duke përdorur pozitën e tij zyrtare dhe duke përdorur ndikim në mënyrë të rrejshme ka premtuar favore për të pandehurin (babain e denoncuesit) në një procedurë tjetër të zhvilluar në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe ka përfaqësuar rrejshëm se do të ushtrojnë ndikim së bashku me të dyshuarin e dytë”, njoftuan nga Prokuroria.

Ministria e Punëve të Brendshme ia ka hequr lirinë gjyqtarit suprem Nake Georgiev për shkak siç thonë “marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm”.

Sipas ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) gjykatësi Georgiev ishte kapur në vend të ngjarjes më 20 maj gjatë kryerjes së veprës penale.

Më 20.5.2024 u privua nga liria një gjyqtar i Gjykatës së Lartë për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit për ndikim të paligjshëm. Gjyqtari u privua nga liria në vend të ngjarjes gjatë kryerjes së veprës penale. Po presim udhëzime të mëtejshme nga prokurori i përgjithshëm i kompetent”, informuan nga MVR.

Nga kjo ministri (MPB) nuk e përcaktuan shumën e që e kishte marrë gjyqtari i lartë, por disa nga mediat duke u thirrur në burime përkatëse publikuan se bëhej fjalë për 10.000 euro.

Nake Georgiev nuk është një emër i panjohur për publikun e gjërë. Zgjedhja e tij si anëtar i Këshillit Gjyqësor u shoqërua me polemika të mëdha. Procedura për të përcaktuar përgjegjësinë e tij u zhvillua gjatë periudhës kur ai ishte kryetar i Gjykatës së Apelit në Shtip. Por, vetëm një ditë para se të përcaktohej lista e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor, në një pjesë të mbyllur të seancës, Këshilli vendosi të ndërpresë procedurën ndaj Georgiev. Ky vendim erdhi pasi rasti i tij kishte qëndruar në sirtar për disa muaj.

Në anën tjetër, Sasho Mijjallkov, ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), nesër pritet të dalë nga burgu, pas vendimit të ndryshuar të Gjykatës Themelore Penale në Shkup.

“Gjykata e Apelit në Shkup në interes të publikut dhe mediave informon se në një seancë jopublike më 14 maj, solli vendim për të pranuar ankesën e të dënuarit S.M. nga Shkupi dhe vendimin e Gjykatës Themelore Penale në Shkup  e ndryshoi, ashtu që i dënuari më 23 maj të vitit 2025 do të lirohet nga dënimi me burg”, deklaroi Gjykata e Apelit.

Vendimi i Gjykatës së Apelit erdhi pas ankesës së Mijallkovit për vendimin e Gjykatës Penal, sipas së cilës ai duhej të shkon në lirimin me kush në fund të vitit. Kështu që Mijallkov nuk duhet që deri më 25 prill të vitit 2025 të shkakton ndonjë vepër penale.

Ndryshe, ai në burgun e Strugës duhej të mbante dënimin deri më 25 prill të vitit 2025, si pjesë e dënimit me 3 vjet burg për rastin “Perandoria”, rast ku ai e pranoi fajin. Procedura për lirimin nga burgu erdhi si propozim i drejtorit të burgut të Strugës.

Lirimi me kusht i ish-shefit të DSK-së, dhe ish-anëtarë i lartë në udhëheqjen e VMRO-DPMNE-së vjenë pikërisht në kohën kur Qeveria e re pritet të formohet nga kjo parti e cila u shpall si fituese absolute në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 8 majit.

Ish shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Sasho Mijallkov.

Ndryshe kjo parti është zotuar se: ‘integrimi evropian, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit’, do të jenë shtyllat bazë të qeverisë së re.

Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës në një prononcim për KDP.MK thotë se nëse merret për bazë funksionimi i shtetit të së drejtës, atëherë VMRO-DPMNE-ja detyrimisht duhet ta ketë prioritet, edhe dëmin që shkaktoi Nikolla Gruevski: “Nëse merret për bazë funksionimi i shtetit të së drejtës, atëherë VMRO-DPMNE-ja detyrimisht duhet ta kishte prioritet, edhe dëmin që shkaktoi Nikolla Gruevski, i cili e futi shtetin në borxhe dhe varfëroi qytetarët e Maqedonisë së Veriut për dekada të tëra, si dhe futi institucionet publike në borxh më të lartë për sa i përket vendit.

Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës

Ai gjithashtu argumenton se mënyra e faljeve të mëparshme, jo vetëm se nuk arriti të zhbejë krimin dhe korrupsionin, por përkundrazi, krimi dhe korrupsioni gëlltitën edhe prokurorin special.

“ Indikacionet e procedurave gjyqësore para kësaj periudhe, për sa i përket Miallkovit dhe të tjerëve, treguan se gjyqësia ishte selektive dhe improvizuar, vetëm për sy e faqe në aspektin publik. Nga ana tjetër, është parashikuar se mënyra e atyre faljeve, jo vetëm se nuk arriti të zhbejë krimin dhe korrupsionin, por përkundrazi, krimi dhe korrupsioni gëlltitën edhe prokurorin special”, thotë Selmani.

Selmani tutje thotë se duke e parë nga ky prizëm dhe duke ditur se VMRO-DPMNE vjen nga një situatë e krimeve të rënda, atëherë jo vetëm se do të ketë një gjyqësor selektiv, por mund të marrë edhe përmasa ndërnacionale.

Duke e parë nga ky prizëm, dhe duke ditur se VMRO-DPMNE vjen nga një situatë e krimeve të rënda, siç është edhe vete objekti apo selia e VMRO-DPMNE-së, atëherë jo vetëm se do të ketë gjyqësor selektiv, por mund të marrë edhe përmasa ndërnacionale. Sepse, siç duket, VMRO me fitimin e pushtetit absolut do të vë gjithçka në funksion të kësaj partie, por në asnjë mënyrë nuk mund të vë në funksion shtetin e së drejtës, pa u hapur dosje për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe klikën e tij, të cilët jo vetëm e futën shtetin në borxh publik, por edhe sot e kësaj dite, varfëria, krimi dhe kriminaliteti kanë bërë që Maqedonia e Veriut të varfërohet në nivel rajonal. RMV është një nga shtetet me më shumë borxhe publike, pikërisht për shkak të gjyqësisë selektive. Por, nëse nuk vihet në funksion shteti i së drejtës, atëherë është e vështirë që Maqedonia e Veriut të përputhet me standardet evropiane, ku edhe synon të jetë në të ardhmen”, thotë Selmani.

Kujtojmë se sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut ka qenë në qendër të kritikave edhe nga institucionet ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë kërkuar me ngulm progres në vendosjen e sundimit të ligjit.

Një nga pikat kryesore të kritikave ka qenë ndryshimet në Kodin Penal, të cilat kanë çuar në lirimin e dhjetëra ish-zyrtarëve të lartë të akuzuar për vepra penale të rënda gjatë periudhës së qeverisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, nga viti 2006 deri në vitin 2016.

 

Të fundit