E premte, 3 Maj, 2024

SONTE NË MESNATË FILLON HESHTJA PARAZGJEDHORE PËR ZGJEDHJET PRESIDENCIALE

Dita e sotme, 22 prilli, shënon afatin e fundit për fushatën e zgjedhjeve presidenciale. Shtatë kandidatët që synojnë postin e Presidentit të Maqedonisë së Veriut, kanë kohë deri në mesnatë për të tërhequr mbështetje dhe për të vënë në pah platformën e tyre politike. Heshtja para-zgjedhore nis pas mesnate dhe do të vazhdojë deri në mbylljen e qendrave të votimeve në orën 19:00 të datës 24 prill, transmeton KDP.MK.

Për zgjedhjet presidenciale, në listën zgjedhore janë regjistruar 1.814.317 votues. Në certifikatat nga Lista Zgjedhore për votim në vend janë regjistruar 1.713.758 votues, ndërsa jashtë vendit në përfaqësitë diplomatike-konsullore apo diplomatike do të votojnë 2.569 votues.

Në certifikatën e posaçëm nga Lista zgjedhore për personat që vuajnë dënimin me burg ose ndodhen në paraburgim gjatë zgjedhjeve janë regjistruar2 147 votues.

Në Listën Zgjedhore për personat që gjatë zgjedhjeve ndodhen në institucionet për përkujdesje jashtëfamiljare janë regjistruar edhe 534 votues, të cilët kanë dorëzuar kërkesë për votim. Dy persona janë renditur si persona të zhvendosur brenda vendit.

Votuesit në zgjedhjet e shtatë presidenciale do të mund të zgjedhin një nga shtatë kandidatët për president – pesë burra dhe dy gra. Kandidatët janë: Presidenti aktual Stevo Pendarovski(61) nga LSDM, Gordana Siljanovska Davkova(68), nga partia opozitare VMRO-DPMNE, Bujar Osmani(44) nga koalicioni “Fronti Europian” (BDI), Arben Taravari(50) nga koalicioni opozitar “VLEN”, Biljana Vankovskën(64) nga e Majta, Maksim Dimitrievskin(48) nga ZNAM, dhe Stefçe Jakimovskin(63) nga GROM.

Të shtatë kandidatët do të vazhdojnë aktivitetin e tyre parazgjedhor sot.

Ndonëse sot është dita e fundit e fushatës për zgjedhjet presidenciale, prezantimi i programeve të partive për zgjedhjet parlamentare të 8 majit do të vazhdojë edhe në këto ditë heshtjeje parazgjedhore.

Karakteristikë e këtyre zgjedhjeve është se në vend të të dielës do të mbahen të mërkurën, ditë e shpallur nga Qeveria si ditë jopune.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, i cili pritet të zhvillohet, do të përkojë me zgjedhjet parlamentare të 8 majit dhe kur votuesit të shkojnë në qendrat e votimit para se të marrin fletëvotimin, do të duhet të deklarojnë nëse do të votojnë për të dyja zgjedhjet ose jo. Nëse nuk duan të votojnë në asnjë prej zgjedhjeve, nuk do të mund të ndryshojnë mendje gjatë ditës dhe të kthehen sërish në qendrën e votimit dhe të votojnë.

Nesër do të votojnë diaspora, të burgosurit, të moshuarit dhe të sëmurët dhe të pafuqishmit. Votimi për president ka nisur me anëtarët e këshillave zgjedhorë që kanë udhëtuar për të zhvilluar votimin në diasporë. Në Listën zgjedhore janë shënuar 191 votues, të cilët duhet të votojnë në diasporë.

 

 

Të fundit