E premte, 3 Maj, 2024

POLITIKANI MALAZEZ KOMENTON VOTMIN PËR KOSOVËN NË ASAMBLENË PARLAMENTARE TË KE-së

Nënkryetari i Partisë Evropiane Malazeze(CEP), Stevo Vuçiniq, ka kritikuar votimin e paradoditshëm ndryshe të deputetëve malazezë në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës ku, me shumicë votash, u miratua rekomandimi që Kosova të pranohet në këtë institucion evropian. Media në Podgoricë e citon atë të ketë thënë se kolona e pestë e ka përplasur për tokë Malin e Zi:

“Votimi i ndryshëm i delegacionit malazez për pranimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës tregon se kolona e pestë e ka hedhur vendin nën këmbë”, – ka thënë nënkryetari i CEP-së, Stevo Vuçiniq, duke vlerësuar se ashiqare shoqëria malazeze ka degraduar brenda vetes, sa e ka humbur imunitetin për t’iu kundërvënë veprimit armiqësor, kurse në planin ndërkombëtar po rrënon prestigjin dhe dinjitetin e Malit të Zi.

“Vetëm kështu mund të shpjegohet votimi i delegacionit malazez, një anëtar i të cilit votoi për pranim, tjetri me kusht për pranim dhe i treti kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ajo anëtare e tretë, delegate e Partisë Popullore Demokratike, votën e vet kundër, ndër të tjera, e arsyetoi edhe me pohimin se asnjëherë në historinë e Këshillit të Evropës një territor nuk ka kërkuar anëtarësim”, –  ka thënë Vuçiniq.

Ky, thotë ai, është një mesazh i rrënjosur në nacionalizmin e Shën Savës, i mbrujtur me idenë e çmendur të grumbullimit të të gjithë serbëve të Ballkanit në një shtet.

“Protagonistët e kësaj ideje, në marrëzinë e tyre, të drejtën e sovranitetit të popujve fqinj  e kufizojnënë me interesat e të ashtuquajturës ‘botë serbe’. Kjo praktikë e Shën Savës në çështjen e interpretimit të nocionit të territorit, sovranitetit shtetëror dhe të drejtës së sovranitetit i ka rrënjët që nga koha e Luftërave Ballkanike të vitit 1912”, – rikujton ai, duke nënvizuar se Beogradi me forcën e armëve shtriu sovranitetin e vet në Maqedoni në vitin 1912, kurse në Vojvodinë si pjesë e territorit hungarez dhe në Mal të Zi më 1918.

“Edhe sot, në frymën e Shën Savës, ai interpreton se Kosova është një territor që nuk ka të drejtë të jetë shtet sovran, Bosnja dhe Mali i Zi janë territore që nuk janë sovrane, kurse malazezët janë vetëm banorë e jo popull për të cilët Mali i Zi është  atdheu i tyre. Me metoda demokratike të gjithë këta protagonistë të ‘botës serbe’ do t’i ballafaqojmë me faktin se ne jemi popull, ndërsa Mali i Zi është shtet sovran në të gjithë territorin e tij”, – përcjell kdp.mk reagimin e politikanit malazez.

Të fundit