E mërkurë, 1 Maj, 2024

FILLON FUSHATA PËR ZGJEDHJET PARLAMENTARE

Në kulmin e fushatës për zgjedhjet presidenciale, sot (18 prill) fillon zyrtarisht edhe fushata për zgjedhjet parlamentare. Këto dy fushata do të zhvillohen në mënyrë paralele gjatë katër ditëve të ardhshme, duke filluar nga dita e sotme, der më 22 prill, në mesnatë, pas së cilës fillon heshtja 48-orëshe për zgjedhjet presidenciale, ndërsa fushata për zgjedhjet parlamentare do të zhvillohet edhe gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale, deri më 6 maj, ku pastaj do të fillojë heshtja dyditore para 8 majit – dita e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, transmeton KDP.MK

Qeveria në seancën e ditës së martë vendosi që datat 24 prill 2024 (e mërkurë) dhe 8 maj 2024 (e mërkurë) të jenë ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim të mbarëvajtjes së zgjedhjeve për Presidenti të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe zgjedhjet për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe këto dy ditë nuk do të punohet.

Ndërsa dje, në Kuvend është firmosur Kodi për Zgjedhje të Drejta dhe Demokratike Parlamentare. Në akt morën pjesë përfaqësues të shumicës së partive politike dhe koalicioneve që do të marrin pjesë në garën zgjedhore për një mandat në legjislativ, por jo të gjitha e nënshkruan Kodin. Rezistenca ka ardhur kryesisht nga subjektet më të vogla politike dhe arsyeja kryesore e vendimit të tyre, siç kanë thënë disa prej tyre, është shpërndarja e padrejtë e mjeteve nga buxheti i shtetit për marketing zgjedhor të partive politike.

Nisur nga sot, deri në mbylljen e fushatës më 6 maj, partitë dhe koalicionet do të organizojnë një varg ngjarjesh për të prezantuar programet e tyre zgjedhore dhe kandidatët për deputetë që do të propozojnë për njësitë zgjedhore.

Koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI do të shënojë fillimin e fushatës për zgjedhjet parlamentare me aktivitete në Shkup, ndërsa kandidati për president Bujar Osmani sonte do të mbajë tubim në Kumanovë.

Koalicioni “VLEN” i partive opozitare shqiptare do të mbajë konferencë për media në selinë në Shkup, ku do të flasin bartësit e listave të kandidatëve për deputetë në të gjitha njësitë zgjedhore, si dhe kandidati për president Arben Taravari.

Koalicioni “E ardhmja evropiane” i udhëhequr nga LSDM e fillon fushatën parlamentare me ngjarjen “Nuk heqim dorë nga e ardhmja” që do të mbahet në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup. Karvani i LSDM-së dhe koalicionit, të cilin do ta udhëheq lideri i partisë Dimitar Kovaçevski, së bashku me bartësit dhe kandidatët e tjerë për deputetë, do të vazhdojë gjatë ditës në Gjevgjeli dhe Demir Kapi.

VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Maqedonia juaj” do ta nisin fushatën për zgjedhjet parlamentare me tubim në Ohër, ku do të prezantohet kandidatja për presidente Gordana Siljanovska-Davkova.

Ndërsa për të Majtë, Velesi është pikënisja nga e fillon fushatën. Prej aty do të prezantohen lideri dhe deputeti Dimitar Apasiev, i cili është bartës në Njësinë e parë zgjedhore dhe deputeti Borislav Krmov, bartës në Njësinë zgjedhore 3. Kandidatja presidenciale e përkrahur nga e majta, Biljana Vankovska-Cvetkovska sot do të prezantojë fushatën e saj zgjedhore në Veles.

 

 

 

 

 

Të fundit