E mërkurë, 1 Maj, 2024

KROACI: DOKTORI NGA POLLOGU KANDIDAT PËR DEPUTET

Në zgjedhjet parlamentare, të cilat më 17 prill do të mbahen në Kroaci, kandidojnë edhe dy shqiptarë të nominuar nga pesë komunitete që jetojnë atje, përfshirë maqedonasit, malazezët, boshnjakët dhe sllovenët. Njëri prej tyre është dr Shoip Shoipi, i cili tanimë tri dekada jeton në Kroaci, do të angazhohet për përmirësimin e statusit të komuniteteve të ndryshme, sidomos për përfshirjen e shqiptarëve në institucionet e sistemit.

Përgatiti: ENIS SHAQIRI

Kandidati shqiptar theksoi se ka përkrahje të pjesëtare të këtyre komuniteteve  dhe është i bindur se do t’ia dalë t’i përfaqësojë ato denjësisht. Sipas tij, diversiteti ynë kombëtar është një pasuri që na bën më të fortë dhe forcon të ardhmen tonë të përbashkët.

“Zatën, kjo më ka shtyrë që të kandidoj, pasi të rinjtë po largohen edhe nga Kroacia dhe po shkojnë në vendet e tjera. Pra, kemi migrim mbi migrimin. Synimi ynë është që të ndali ikjen nga Kroacia. Me regjistrimin e popullatës, kemi 20 % të rënies së popullatës shqiptare në Kroaci, por ka rënie edhe të  numrit të popullsisë së kroatëve”, tha ai.

Doktor Shoipi premton se do të kujdeset t’u jap përgjigje plot pyetjeve që kanë ngelur të hapura mes shqiptarëve dhe shtetit kroat, si puna e pensioneve të të plagosurve, dëshmorëve që luftuan atje, stazhit, pantentave të shoferit të cilat nuk pranohen, dokumentacioneve të ndryshme nëse duan të shkojnë të punojnë atje.

Duke folur për KDP-në nga Zagrebi, ai tha se angazhohet që për studentët nga këto anë, të cilët mësojnë nëpër qendrat universitare kroate, duhet të sigurohen bursa, për shkak se, sikurse shprehet ai, pasi tradita shumëvjeçare e universiteteve atje u siguron edukim dhe përvojë cilësore.

“Si përfaqësuesi parlamentar, vizioni i punës sonë do të synojë kryesisht promovimin e diversitetit kulturor, forcimin e arsimit dhe punësimit dhe sigurimin e aksesit në kujdesin shëndetësor për çdo qytetar. Ne do të insistojmë në promovimin e programeve që nxisin integrimin e komunitetit tonë nëpërmjet të kuptuarit dhe respektimit të kulturave, gjuhëve dhe zakoneve të ndryshme. Në të njëjtën kohë, detyra jonë do të jetë ruajtja e identitetit të komunitetit tonë duke mbështetur iniciativat arsimore, ngjarjet kulturore dhe institucionet që promovojnë trashëgiminë tonë”, – tha ai, duke nënvizuar:

“Vizioni ynë është një shoqëri ku të drejtat dhe identitetet e të gjithëve respektohen dhe mbrohen, ku çdo individ, pavarësisht nga prejardhja kombëtare, ndihet i respektuar dhe i integruar. Nëpërmjet programit tonë, dëshirojmë të sigurojmë hapa konkrete që do të ndihmojnë në realizimin e këtij vizioni, duke vendosur themelet për një shoqëri inkluzive dhe multikulturore që kultivon ndryshimet si forcën e saj”, -tha ai.

Shoip Shoipi me prejardhje nga rrethina e Gostivarit, shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe të mesmen në Tetovë, studimet i kreu në Universitetin e Zagrebit, është specialist-urolog, subspecialist në onkologji urologjike, ku dhe ka doktoruar në shkencat biomedicinale. Punon në Klinikën Universitare Urologjike në Zagreb.

 

Të fundit