E premte, 17 Maj, 2024

KOSOVË: LISTA SERBE THOTË SE DO T’I BOJKOTOJË ZGJEDHJET NË VERI

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – ka njoftuar të dielën se nuk do të marrë pjesë në një votim për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, i cili është caktuar për 21 prill. “Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, – ka thënë kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut. Kjo është pasuar me reagime, si të Prishtinës zyrtare, ashtu edhe të përfaqësuesve ndërkombëtare, – përcjell kdp.mk njoftimet e medias ndërkombëtare.

Lista Srpska, subjekti më i madh i serbëve të Kosovës, ka bërë ndërkohë të ditur, se nuk do të marrë pjesë në votimin për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Më 21 prill, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, është paraparë të zhvillohet votimi, pas verifikimit të listave të nënshkrimeve që janë mbledhur në një peticion gjatë muajit janar nga mbi 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në secilën komunë. “Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e ardhshëm ku do të vendoset për largimin e katër kryetarëve jolegjitimë në veri të Kosovës, sepse Albin Kurti bëri gjithçka që ai referendum të mos ketë sukses”, tha kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek. Sipas tij, “listat e votuesve nuk pasqyrojnë gjendjen reale në terren dhe kohët e fundit është rritur numri i shqiptarëve në listat zgjedhore”.

Për largimin e një kryetari komune, KQZ,  tashmë ka bërë përgatitjet për votimet ku duhet të votojnë së paku 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote për ta larguar kryetarin. Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe. Megjithë thirrjen e Listës Srpska për mospjesëmarrje në votim, procesi  sipas KQZ-së do të zhvillohet me 21 prill, edhe pasi anëtarët e Listës Srpska në komisionet komunale dhanë dorëheqje.

Zhgënjim i ndërkombëtarëve

Autoritetet ndërkombëtare u shprehën të zhgënjyera me vendimin e Listës Srpska për të mos marrë pjesë në votimet e 21 prillit. Bashkimi Evropian shprehu keqardhje dhe i bëri thirrje Listës Srpska që ta rishqyrtojë vendimin. “Demokracia ka të bëjë me pjesëmarrjen, dhe i takon elektoratit serb të Kosovës që të shfrytëzojë të drejtat e veta dhe të shprehë opinionin nëpërmjet kutive të votimit. Mbajtja e zgjedhjeve të reja për kryetarë të komunave do të siguronte një qeverisje vendore plotësisht përfaqësuese në Veri dhe do të ndihmonte në de-përshkallëzimin e situatës”, thuhet në reagimin e BE-së. BE vlerëson se e domosdoshme që të gjithë të kthehen në një situatë, ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, në polici dhe dhe gjyqësorin në veri të Kosovës.

Edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë, tha se i vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se do të tërhiqet nga pjesëmarrja në votimin. “Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar. Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe demokracinë e lirë, të drejtë dhe të lirë të Kosovës dhe zgjedhje legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë një votim për tërheqjen e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane,- njofton DW.

Reagimi i Qeverisë së Kosovës

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje Listës Serbe që, siç tha, të mos përhapë dezinformata dhe të mos u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës “që duan të jenë pjesë e procesit demokratik të 21 prillit”.

Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, nga Qeveria hodhën poshtë pretendimin se procesi i 21 prillit “është referendum i thirrur nga kryeministri Kurti”.

“Ai është rezultat i kërkesës dhe nënshkrimeve të mbledhura nga qytetarë të Republikës së Kosovës, banorë të këtyre katër komunave. Udhëzimi administrativ që parasheh mundësinë e largimit të kryetarëve të komunave, respekton vullnetin politik të qytetarëve”, u tha në përgjigjen e Qeverisë.

Ekzekutivi kosovar u ka bërë thirrje qytetarëve në komunat në Veri që të shfrytëzojnë mundësinë dhe të drejtën e tyre për të votuar për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë.

Të fundit