E premte, 3 Maj, 2024

NA FALNI, GABUAM!?

A gabuam që nuk kishim kontroll mbi mediat si në kohën e regjimit të DPMNE-së, dhe të dëgjojmë vetëm lajme nga pushteti, pa e dëgjuar opozitën dhe qytetarët?! A gabuam që nuk e përshtatëm dhe partizuam drejtësinë si në kohën e regjimit…

Shkruan: Stefan BOGOEV*

Të nderuar qytetarë, të dashur lexues, për shumë prej jush kjo kolumnë mbase mund të jetë  e çuditshme. Jo e përditshme, ndoshta në momente dykuptimëshe, por prapëseprapë e sinqertë dhe e vërtetë.

Do të nis e besoj se do ta mbyll me fjalën “na falni”. Përdorimi i kësaj fjale në përditshmërinë tonë maqedonase është bërë i rrallë, me përjashtim të rasteve  kur dikujt i drejtohemi në mënyrë të kulturuar në stilin: Më falni, a është sedilja e lirë që të ulem?

Kështu, pothuajse çdo ditë dhe pothuajse të gjithë e përdorim, por në formën e vet thelbësore, duhet të pranojmë se e përdorim goxha rrallë. Fatkeqësisht, në politikë, pothuajse kurrë.

Epo, le të përpiqem me gjithë rrezikun, por  njëherësh dhe me shpresë që të mos keqkuptohem dhe keqinterpretohem. Po edhe nëse ndodhë, paraprakisht kërkoj falje që kjo  është kështu.

Momente të sinqeritetit

Të dashur bashkëqytetarë dhe miq, na falni, gabuam! Gabuam si pushtet në shumë raste dhe situata. Thonë, kush punon ndonjëherë edhe gabon, ndaj me apo pa dashje edhe ne jemi njerëz dhe dimë të gabojmë.

Siç gabuam me pasaportat apo vaksinat, po gabuam  me disa vendime kadrovike  të cilat  zhgënjyen dhe nuk i përmbushën pritshmëritë e qytetarëve. Gabuam që ndonjëherë iu lejuam shumë partnerëve të koalicionit.

Gabuam që, ndonëse duke dashur sinqerisht, nuk ia dolëm ta realizojmë autostradën Kërçovë-Ohër, e cila që në fillimet e saj gabimisht ishte mbjellë nga projekti i vmrovist.

Gabuam që nuk ia dolëm të çojmë deri në fund drejtësinë e Revolucionit laraman, edhe pse kemi dy ish-ministra të Brendshëm dhe dy ish-drejtorë të DSK-së në burg.

Gabuam që ende nuk ia dolëm, për shkak të krizës të ndërtonojmë qendrën e re klinike në Shkup. Ka edhe punë të tjera që mbase s’po i përmend, e që i kemi gabuar, por edhe disa që nuk vareshin nga ne si Covidi dhe kriza botërore energjetike dhe e sigurisë.

Në momente të tilla të sinqeritetit, ndjej nevojën të kujtoj edhe disa nga premtimet e mia personale nga e kaluara.

Jam i lumtur që arrita ta kthej Partizanin, të ndërtojmë në Karposht tri çerdhe të reja dhe një numër të pafund hapësirash të reja të gjelbra, ama nuk ia dola të përfundoj parkun pranë Vardarit dhe platonë në Porta Vllae. Unë sinqerisht doja, por prioritetet ndryshuan dhe në fokus ishte lufta kundër Covid 19.

Arritëm ta rregullojmë konviktin e studentëve Goce Dellçev, të fillojmë renovimet edhe të të tjerëve, t’i rrisim bursat, por nuk arritëm të ndërtojmë qytetin e studentëve.

Studentë, gabuam, na falni!

Mirëpo, të nderuar qytetarë, të nderuar lexues, a gabuam që nuk patëm kontroll mbi mediat si në kohën e regjimit të DPMNE-së, e të dëgjoni vetëm lajme nga pushteti, pa e dëgjuar opozitën dhe qytetarët?!

A gabuam që nuk e rreshtuam dhe nuk e partizanuam drejtësinë si në kohën e regjimit, ndaj kemi edhe funksionarë të pushtetit të cilët përgjigjen para gjykatave dhe prokurorive!?

Po e përfundoj me esencialen

A gabuam që hymë në NATO dhe jemi të sigurt, dhe nuk ia dolëm ende të futemi në BE sepse DPMNE po bllokon procesin!? A bëmë gabim që KOM – OA tani është një kishë e njohur nga të gjithë!?

A gabuam që në Shtip arrihet përmes rrugës së re për rreth 40 minuta, në Koçanë për një orë, ndërsa duheshin dy orë, se kemi qindra shkolla dhe kopshte të reja ose të meremetuara tërësisht, ambulanca dhe spitale apo stacione të rinovuara të policisë!?

A gabuam që e gjithë kjo nuk luhej gjatë gjithë ditës në të gjitha televizionet, gazetat dhe portalet në formë propagande si në kohën e regjimit të DPMNE-së!?

A gabuam që nuk morëm mësuese, mjekë apo rrobaqepëse partiakisht të instruktuiar që në kronikat e dakorduara në televizion të na lavdërojnë që e rritëm pagën minimale nga 9.000 në 22.000 denarë!?

Pse nuk i shantazhuam bujqit që të vijnë nëpër mitingjet tona partiake nëse duan të marrin subvencione dhe a gabuam që e rritëm ndihmën sociale për 300%, kurse nuk i shantazhuam të njëjtët që të kenë teserën e partisë për të marrë ndihmën!?

A gabuam kur premtuam 500, ndërsa arritëm 660 euro paga mesatare në Maqedoni!?

Që për tre vjet ndamë dy miliardë euro e gjysmë ndihma për prindërit e vetëm, pensionistët, rastet sociale, studentët, nxënësit e shkollave të mesme dhe kompanitë për të përballuar krizën dhe në këmbim nuk kërkuam që të votonin për ne apo të dhurojnë para për LSDM-në!?

Mirëpo, të respektuar, po e përfundoj me esencialen dhe po i kthehem asaj të urtës “na falni”: Na falni, vallë sërish e doni regjimin e DPMNE-së në pushtet? Vallë,  përparimin e shtetit, lirinë, demokracinë, sërish do ta vëni në pikëpyetje?

Nuk bëhet nami të gaboni, por është e virtytshme të kërkoni falje për gabimin.

Dhe, ndonjëherë, duke kujtuar se po ndëshkoni dikë, në fakt, nuk e kuptoni se e ndëshkoni vetëveten.

Na falni, por duhet të jemi të kujdesshëm, sepse pas “hedhjes së kokës” nuk ka pishmanllëk!

Kjo varet nga të gjithë ne!

(Autori është nënkryetar i LSDM-së)

*Kolumna është marrë nga fokus.mk/ Përktheu: kdp.mk

Të fundit