E mërkurë, 12 Qershor, 2024

JA PSE BOMBA – HIMARA, NUK PLASI!

Nga Artur Zheji

Duket se pati shumë përpjekje për të destabilizuar Shqipërinë dhe për ta kthyer Himarën në një bombë shpërthyese.
U përdorën të gjitha mjetet e mbidheshme dhe të nëndheshme.

U zgjuan dhe u bënë aktive të gjitha agjenturat e “fjetura”, në Politikë, në Ekonomi dhe në Media, porse themelet nuk çeduan. Shumica shqiptare dhe pakicat që “ndjehen” greke dhe financohen përmes pensioneve si të tilla, e refuzuan në shumicën e tyre këtë skenar.

Institucionet me gjithë difektet e tyre të stërmëdha, rrezistuan dhe shqiptarët, në shumicë: ndërmjet “zarfit” dhe Dinjitetit, zgjodhën dinjitetin.

Kryeministri Mitsotaqis, falë shkollimit të rafinuar dhe falë lidhjeve familjare arvanitase, duket se e ndaloi makinerinë radikale antishqiptare, ndonëse, në varësi të algoritmit të tij të brendshëm politik: “asnjëhrë, nuk duhet të themi asnjëherë”(never say never!)

Shqipëria politike dhe Shqipëria turistike, kaloi një sprovë të vështirë, por duke llogaritur ku jemi sot, të përballueshme.
SPAK-u dhe mbështetja popullore që kjo strukturë ka fituar, rrëfeu muskujt e vet me ADN anglo-saksone dhe po vendos rregulla të reja loje: Kombëtare dhe ndërkombëtare!

Arrestimi i Gjergji Goros, vendosi një qëndrim simetrik ndaj Ligjit dhe ndaj Politikës, si edhe kontrabandohet nga tezat e radikalëve vendas apo helenë. Të mendosh që gjithë ky tension i padëgjuar që u përplas mbi Shqipërinë institucionale dhe opinionin publik arbëror: nuk shkaktoi asnjë incident vulgar me bazë urrejtjen shqiptaro-greke!
Sepse fare thjesht: një urrejtje Shqiptaro-Greke, nuk ekziston! Kush thotë ndryshe, është i paguar që të ndezë një luftë dhe një zjarr artificial, që nuk ka fitimtarë, por vetëm të humbur!

Sepse shqiptarët dhe grekët e dinë mirë që janë ata, dhe vetëm ata, shqiptarët dhe grekët, popujt autoktonë, më të vjetër të Ballkanit dhe pse jo, edhe dy popujt më të vjetër të Europës, së këtyre 3.000 viteve të fundit!
Se çfarë do të ndodhë më pas, askush nuk e di, por deri tash: bombat nacionaliste nuk plasën!
Ky është fakt.

Sepse shqiptarët dhe grekët, me përjashtim të ca mercenarëve në politikë dhe mediatikë, këto bomba i lanë të plasin të vetmuara në laboratorët që i krijuan, duke shkaktuar veçse autogol politik.

Të fundit