E shtunë, 27 Prill, 2024

MAQEDONIA E VERIUT SHËNON KATËR VJETORIN E ANËTARËSIMIT NË NATO

Maqedonia e Veriut sot shënon katër vjetorin e anëtarësimit në NATO, njofton KDP.MK. Më datë 27 Mars të vitit 2020, vendi zyrtarisht u bë anëtar i 30-të i NATO-s, ndërsa pas tre ditësh, më 30 Mars, flamuri i vendit u vendos edhe me ceremoni në qendrën e NATO-s në Bruksel, në prani të Komandës Supreme (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Me rastin e kësaj dite, sot në Shkup janë mbajtur një sërë aktivitetesh e ngjarjesh.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sikurse transmeton MIA, gjatë manifestimit tradicional me trupin diplomatik, me të cilin do të shënohet edhe fillimi i Ditëve të NATO-s në vend, të cilat do të zgjasin deri më 4 prill, tha se integrimi në NATO dhe BE është përgjigjja më e mirë ndaj ambicieve imperialiste ruse.

Anëtarësimi në NATO dhe BE është përgjigjja më e mirë e ambicieve imperialiste ruse. Ukraina është vetëm pengesa e parë, ndërsa i rradhës do të jetë Ballkani Perëndimor.

Osmani tutje theksoi edhe nevojën për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe të vendeve të tjera nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, në BE.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë shënimit të 4-vjetorit të anëtarësimit të vendit në NATO. 

Në rrethanat e dhëna, proceset integruese evropiane dhe euroatlantike paraqesin gjithashtu një çështje sigurie dhe për këtë arsye ne avokohemi që Maqedonia e Veriut të integrohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Tani më shumë se kurrë, integrimi euroatlantik dhe evropian i Ballkanit Perëndimor duhet të konsiderohet si një mjet për përmirësimin e sigurisë dhe konsolidimin e stabilitetit të krahut juglindor të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Gjithashtu, mjetet demokratike për integrimin euroatlantik janë mjetet më të mira për parandalimin e konflikteve dhe për ndërhyrjet keqdashëse të palëve të treta. Vlerat demokratike dhe mënyra e jetesës do të mbizotërojnë nëse ka mbështetje të mjaftueshme politike dhe veprim të përbashkët politik, si dhe solidaritet me ata që pranojnë të njëjtat vlera dhe i mbrojnë ato pa kompromis”, tha shefi i diplomacisë, Bujar Osmani.

Ndërsa shefi i Delegacionit të BE-së në vend, David Gir, në ngjarjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, theksoi se Aleancën Veriatlantike, mbetet bazë për mbrojtjen kolektive të aleatëve dhe është thelbësore për sigurinë euroatlantike.

Shefi i Delegacionit të BE-së në vend, David Gir, në ngjarjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, me rastin e katër vjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

NATO dhe Bashkimi Evropian, tha Gir, luajnë njëkohësisht një rol plotësues në forcimin dhe mbështetjen e paqes dhe sigurisë në Evropë.

Dhe është me të vërtetë e njohur se një mbrojtje evropiane më e fortë dhe më e aftë mund të kontribuojë pozitivisht në sigurinë globale dhe transatlantike dhe është plotësuese dhe e ndërveprueshme me NATO-n”, tha kreu i Delegacionit të BE-së në vend.

Duke iu përmbajtur urimeve me rastin e katër vjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, Gir vlerësoi vendin, për siç tha ai, përputhshmërinë qind për qind të vazhdueshme me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, dhe në kontekstin e udhëheqjes së saj dhe shembullin që jep në lidhje me Ukrainën.

Historia e marrëdhënieve me NATO-n

Përcaktimi për integrimin euro-atlantik të Republikës së Maqedonisë së Veriut daton që nga viti 1993, kur Kuvendi miratoi Rezolutën, në të cilën u definuan prioritetet e politikës së jashtme të vendit, e ato janë anëtarësimi në NATO dhe në BE.

Më 15 nëntor 1995, me emrin e atëhershëm Republika e Maqedonisë  e nënshkroi Dokumentin Kornizë për qasje drejt programit Partneritet për paqe (PP). Në atë kohë, vendi ishte pranuar edhe në Këshillin e Atlantikut të Veriut për Bashkëpunim, kurse më vonë në Këshillin e Partneritetit Euro-Atlantik.

 

Një roje nderi qëndron prapa flamurit të NATO-s, gjatë ceremonisë zyrtare të ngritjes së flamurit të NATO-s para Qeverisë së RMV-së në Shkup më 12 shkurt 2019. (Foto nga Robert ATANASOVSKI / AFP)

Më 14 qershor 1996 u hap Zyra për lidhje, ndërsa kah fundi i vitit 1997 u hap edhe Misioni i Përhershëm në selinë e NATO-s në Bruksel.

Në prill të vitit 1999 në Samitin e NATO-së në Uashington, Republika e Maqedonisë së Veriut e mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Aleancë, me çka vendi filloj me përgatitjet dhe realizimin e Planit të Veprimit për anëtarësim.

Vetoja nga Greqia, Marrëveshja e Prespës dhe anëtarësimi i plotë

Ndërkaq, në Deklaratën Përfundimtare të Samitit të NATO-së në Bukuresht në vitin 2008, Aleanca solli vendim se vendi duhet të marrë ftesë për anëtarësim pas zgjidhjes së kontestit për emrin me Greqinë. Pas gati tre dekadash mosmarrëveshja u tejkalua me Marrëveshjen e Prespës të nënshkruar më 17 qershor 2018, dhe dera e NATO-s u hap.

Në kuadër të deklaratave të Samiteve të radhës në NATO (Lisbonë 2010, Çikago 2012, Uells 2014 dhe Varshavë 2016), u përsërit formulimi nga Bukureshti se Aleanca do të bëj ftesë për anëtarësim në NATO menjëherë pas arritjes së zgjidhjes reciproke të pranueshme për emrin në kuadër të OKB-së.

Më pak se një muaj pas marrëveshjes së arritur me Greqinë, në Samitin e NATO-s në Bruksel (11-12 korrik 2018), Këshilli i Atlantikut të Veriut, në takimin në nivel të   shefave të shteteve dhe qeverive, solli Vendim që ta ftojë Republikën e Maqedonisë së Veriut t’i fillojë negociatat për anëtarësim në Aleancë.

Më 1 gusht, 2018, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i dërgoi letër Ministrittë Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut së bashku me Planin për zbatimin e procesit të anëtarësimit në NATO.

Më 18 dhe 19 tetor 2018, në takimin e mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel, Republika e Maqedonisë së Veriut me sukses i përfundoi negociatat për anëtarësimin e vendit në Aleancë.

Më 21 janar 2019, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut i dërgoi letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, ku shprehej gatishmëria dhe aftësia e vendit që t’i pranojë dhe respektojë obligimet dhe zotimet për anëtarësimin e vendit në NATO, të përfshira në Marrëveshjen e Uashingtonit dhe studimin për zgjerimin e NATO-s të vitit 1995, si dhe dëshirën për marrjen e ftesës për t’u anëtarësuar në NATO.

Më 6 shkurt 2019, në selinë e NATO-s në Bruksel, përfaqësuesit e 29 vendeve – anëtare të NATO-s, në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe Ministrit të Punëve të Jashtme e nënshkruan Protokollin për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancë.

Pas ceremonisë solemne në Bruksel, filloi procedura për ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit nga ana e 29 vendeve anëtare të Aleancës. Procedura për ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit u finalizua më 19 mars 2020, kur Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Uashington, e dorëzoi instrumentin për ratifikimin e Traktatit të Uashingtonit, duke e rrumbullakuar kështu fazën e tretë dhe të fundit të procesit të anëtarësimit.

Zyrtarizimit të anëtarësimit të plotë, i ka paraprirë nënshkrimi i Instrumentit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO nga presidenti Stevo Pendarovski më 20 mars 2020.

Çfarë është NATO

NATO është një aleancë politike dhe ushtarake që përfshin 32 vende nga Evropa dhe Amerika e Veriut. Ajo u themelua në vitin 1949 me nënshkrimin e Traktatit të Atlantikut të Veriut, i njohur ndryshe si Traktati i Washingtonit.

Pankartat me logon e NATO-s janë fotografuar përpara selisë së re të NATO-s gjatë një turneu. (Foto nga Emmanuel DUNAND / AFP) (Foto nga EMMANUEL DUNAND/AFP nëpërmjet Getty Images)

Qëllimi i NATO-s është të garantojë lirinë dhe sigurinë e anëtarëve të saj përmes mjeteve politike dhe ushtarake. Aleancën e përbëjnë aktualisht 32 shtete anëtare dhe bazohet në parimet e mbrojtjes kolektive, ku një sulm ndaj njërit prej anëtarëve konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve. Kjo është e përcaktuar në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit. NATO gjithashtu promovon vlerat demokratike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.

Pikat kryesore të NATO-s janë:

  • Mbrojtja kolektive: Neni 5 i Traktatit të Uashingtonit përcakton se një sulm ndaj njërit prej anëtarëve konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve, duke u angazhuar për mbrojtje të përbashkët.
  • Lidhja transatlantike: NATO siguron një lidhje unike mes Evropës dhe Amerikës së Veriut, duke lejuar konsultime dhe bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë,
  • Operacionet shumëkombëshe: NATO kryen operacione për administrimin e krizave, të cilat mund të jenë të mandatuara nga Kombet e Bashkuara ose të realizuara në bashkëpunim me vende të tjera dhe organizata ndërkombëtare.

    Zgjerimi i NATO-s:
     Anëtarësimi në NATO është i hapur për çdo shtet evropian që është në gjendje të respektojë parimet e Traktatit dhe që kontribuon në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut. Së fundmi, Suedia dhe Finlanda janë pranuar si anëtarë të rinj në vitin 2023 dhe 2024 përkatësisht1.

 

 

Të fundit