E shtunë, 27 Korrik, 2024

KURTI PUBLIKON PAMJE: FORCAT E ARMATOSURA SERBE SHIHEN AFËR KUFIRIT TË KOSOVËS

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se të enjten gjatë ditës janë vërejtur njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë disa metra larg kufirit me Kosovën. “Në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën”, ka njoftuar ai.

Në profilin e tij zyrtar në Facebook Kurti ka publikuar pamje dhe ka thënë se Forcat e Armatosura të Serbisë po realizojnë stërvitje të rregullta, duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.

Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën”.

Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, ka shkruar më tej Kurti.

Kujtojmë se para pak ditësh presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, teksa mori pjesë në një ngjarje për shënimin e trazirave të marsit 2004 në Kosovë, iu referua komunitetit ndërkombëtar duke thënë:

Do t’ju zbuloj çdo detaj, t’ju them se sa herë më kanë gënjyer, sa herë kanë mashtruar. Jo mua, nuk jam aq naiv, por edhe veten dhe të tjerët, duke menduar se do të mund të na japin së paku një gjë të vogël”.

Nuk ka problem – i doni ata, nuk do të na keni neve. I doni ata dhe doni t’i ndihmoni ata? Do të mbijetojmë”.

Por, jemi mjaft të mësuar dhe mjaft të zgjuar dhe të guximshëm, si dhe kemi mësuar mjaft dhe kemi marrë mjaft përvojë – pas gjithë asaj që na keni bërë në 25 vjetët e kaluar – për të pritur momentin më të mirë të mundshëm dhe për t’u përpjekur për mundësinë tonë. Këtë nuk kemi përse ta fshehim prej askujt“.

E për këtë reagoi edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. Ai tha se qytetarët e Kosovës nuk duhet të shqetësohen për kërcënimet dhe sulmet e mundshme, pasi misioni i NATO-s në Kosovë, është “i gatshëm të bëjë gjënë e duhur”.

Hovenier siguroi se garancitë e sigurisë që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës vazhdojnë të jenë të forta, përderisa tha se Kosova përfiton në aspektin e sigurisë nga prania e misionit të KFOR-it që “është forcë krejtësisht penguese ndaj ndonjë lloj sulmi që qytetarët mund të jenë të shqetësuar”.

Mund të them që përkushtimi ynë për sigurinë e Kosovës, garancitë e sigurisë që SHBA-ja ka ofruar qëndrojnë të forta si kurrë më parë. Ne flemë rehat sa i përket këtij kërcënimi. Mendojmë se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme dhe mendoj se populli i Kosovës duhet të flejë rehat sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prani të madhe këtu, që është e gatshme të bëjë gjënë e duhur”, tha Hovenier.

 

Të fundit